Ish-kryeministri Sali Berisha i cili vuan dënimin me arrest shtëpie gjatë fjalës së tij para mbështetësve poshtë pallatit ka komentuar takimin e zhvilluar sot në Milano nga kryeministri Rama me shqiptarët e diasporës në Itali. Berisha gjatë fjalës së tij u shpreh se Rama shkoi në Itali për të sulmuarUmberto Bossin, ish-liderin e Ligës së Veriut.
Berisha më tej shtoi se a mund të flasë Rama për familjen e Umberto Bossit, kur thjeshtra e tij fiton me dhjetëra e dhjetëra tendera për shkak të pushtetit të tij. Ai shtoi se Edi Rama para se të përmendë të tjerëve djalin apo vajzën, të tregojë njëherë si u ndërtua pallati dhe pse e çoi Lindën në bordin e Abi Bank.
Fjala e plotë:
Në Itali shkoi të sulmonte Umberto Bossin, ish-liderin e Ligës së Veriut, sepse i atribuoi atij shprehje që në memorien time, i ka thënë dikush tjetër. Por ai i del zot vetes, nuk merrem me të. Merrem me sulmin familjar që i bëri Umberto Bossit. Ku ke fytyrë ti mor për sulme familjare, se djali i tij paska marrë një diplomë dhe ka kryer një vepër të gabuar, të keqe, të dënueshme. Po yt vëlla, anëtar i grupit të Xibrakës, i lidhur kokë e këmbë me Gentian Xhixhën. Po Olsi Rama, trafikanti i Xibrakës.
A mund të flasësh ti për familjen e Umberto Bossit, kur thjeshtra jote fiton me dhjetëra e dhjetëra tendera për shkak të pushtetit tënd. Po si mund të flasësh ti për familjen e Umberto Bossit, kur Linda jote të erdhi në konak me pallatin 5-katësh të ndërtuar pa asnjë faturë tatimore, doganore, bankare, ndërtimore, por vetëm siç tha me para gjaku. Akuzoi dhe të vëllanë, dhe njerëzit e vet. Edi Rama po si mund të përmendësh ti djalin e Umberto Bossit kur Linda jote sot e kësaj dite mashtron shqiptarët me tokën e Surrelit.
Edi Rama para se tu përmendësh të tjerëve djalin apo vajzën, tregoju njëherë si u ndërtua pallati, tregoju njëherë pse e çove Lindën në bordin e Abi Bank, tregoju shqiptarëve ka aksione dhe reaksione në atë bankë apo jo. Prandaj dhe kur je i zhytur në llucë gjer në vesh, qe do, pse e sulmon atë në Itali. Djali i tij ka bërë një vepër të gabuar, të keqe, por ai ka qenë anëtar koalicioni i qeverisë së Silvio Berluskonit, qeverisë më mike ndaj emigrantëve shqiptarë në historinë e gadishullit.
Po kur përmende Umberto Bossin, pse nuk përmende Silvio Berluskonin për fisnikërinë e tij ndaj shqiptarëve, pse nuk permende Giorgio Napolitanon, për respektin që u bëri shqiptarëve në vitet ’90. Ti je një sharës i keq që ndjen kënaqësi vetëm kur shan mor ordiner. Ti turpëron gjallë e të vdekur të këtij vendi. Ti je turpi i shqiptarëve dhe i Shqipërisë.