Dy çifte të rinjsh nga Suedia dhe Kili kanë zgjedhur të vizitojnë Thethin, por dhe të punojnë vullnetarisht aty.
Ata janë turistë të cilët kanë një formë të veçantë udhëtimi. Të rinjtë zgjedhin të punojnë vullnetarisht në vendet që vizitojnë në mënyrë që të sigurojnë fjetjen dhe ushqimin.
Sipërmarrësi Pavlin Polia, tha se të rinjtë janë një ndihmë e nevojshme për biznesin e tij. Ai shtoi se kërkonte punonjës me rrogë, por përmes platformave online ra në kontakt me vullnetarët, të cilët po e shijojnë punën dhe turizimin në Theth.
“Kemi një çift nga Kili dhe një çift nga Suedia të cilët po na ndihmojnë dhe po na japin një dorë. Më vonë mund të vijnë dhe të tjerë nga Gjermania dhe nga Argjentina. Ne po kërkojmë njerëz që të punojnë me rrogë faktikisht, por këta po punojnë vullnetarisht dhe po ju pëlqen. Janë njohur me Thethin nëpërmjet platformava online.
Janë njerëz që udhëtojnë tërë kohës dhe zgjedhin këtë mënyrë udhëtimi. “Workaway” quhet faqja, ti bën aplikimin, pranohesh dhe më pas familjarizohesh. Ne na kanë dhënë një dorë të mirë dhe jam shumë falenderues pasi pavarësisht punës është dhe shkëmbimi kulturor”, tha ai për Euronews Albania.
I riu nga Suedia tha se Thethi është një vend shumë i bukur dhe po u pëlqen shumë jetesa aty.
“Thethi është shumë, shumë i bukur. Nga vendi i cili unë vij është fushor, këto jam i rrethuar nga malet dhe më pëlqen. Ushqimi është shumë i mirë”, tha ai.
Ndërkohë që një vullnetare tjetër u shpreh me humor se ushqimi i mirë është arsyeja kryesore pse po punojnë vullnetarisht në Shqipëri.
“Ushqimi është arsyeja më e mirë pse ne po punojmë këtu”, tha ajo.