Ballina Kulturë Gjurgjeviku i Madh gjatë historisë-vështrim i shkurtër

Gjurgjeviku i Madh gjatë historisë-vështrim i shkurtër

71
0

Nga Lush Culaj 

Nga viti 850 e deri në fillim të shekullit XI (1018) Kosova ishte nën sundimin bullgar. Kriza e rëndë që e përfshiu Bizantin, pas vdekjes së Manuel Komnenit, ia mundësoi Stefan Nemanjës ta pushtonte Kosovën, dhe nga sundimi bizantin u kalua nën sundimin e Nemanjës.

Gjurgjeviku është i regjistruar në Kristobulën e Manastirit të Deçanit të vitit 1330. Më 1343-1347 Stefan Dushani përfshin në shtetin e tij edhe Llapushën e Gjur­gjevikun e Madh. Pason periudha e sundimit të Balshajve, prej kur kemi disa të dhëna për Lla­pushën dhe për antroponiminë e saj. Osmanët, në vitin 1455, kur e pushtojnë pjesën më të madhe të Kosovës, formojnë njësitë territoriale administrative të quajtura vilajete. Në defterin e Sanxhakut të Shkodrës të vitit 1485, Gjurgjeviku i sotëm është i shënuar me emrin Gjorgjovik dhe i takon Nahijes të Suhogerllës, i varur nga Peja, i ndarë në mes tre feudalëve; kishte 72 shtëpi, 13 beqarë e shtatë të veja.

Ky vendbanim është regjistruar edhe në një hartë austriake, të përpiluar në bazë të shënimeve të vitit 1689, kur ishte kryengritja antiosmane në krye me Pjetër Bogdanin. Në një shkresë të argjipeshkvit Pjetër Karagiqi, të vitit 1725, shkruan se në Prizren, famullitar dhe misionar apostolik është studenti i Kolegjit Ilirik të Loretos, Don Pjetër Bytyqi. Këtij misioni i takon edhe fshati Guirgevicu me 8 shtëpi dhe 20 anëtarë të besimit të krishterë. Fshati më vonë përmendet në regjistrin e Manastirit të Deviçit të vitit 1767 dhe 1782. Sipas një dokumenti osman të vitit 1837, Gjurgjeviku ishte pjesë e Bajrakut të Astrazubit. Në një burim tjetër, thuhet se rreth vitit 1890, në Gjurgjevik, nga 30 familje vetëm dy kishin mbetur të krishtera. Mund të supozohet se të krishterët, shpeshherë, janë deklaruar si të tillë vetëm me marrjen e emrit myslimanë, por në shtëpi e kanë ruajtur besimin e vjetër të krishterë.

Llapushasit dhanë kontribut edhe në periudhën e Lidhjes të Prizrenit në Lidhjen e Pejës, si dhe në të gjitha krye­ngritjet e rëndësishme antiosmane. Në krye­ngritjen e vitit 1912, Sadik Ramë Gjurgjeviku, në krye të 500 luftëtarëve nga Gjurgjeviku, Kijeva, Plloçica, Ceraviku, Ujmiri, Doberdoli etj., që kryesisht ishin fshatra të Llapushës (L. Culaj), shkoi në Nahijen e Podgurit për ta mbështetur kryengritjen atje. Pas kthimit nga Istogu, kryengritësit e Llapushës vazhduan luftimet kundër forca­ve osmane që zgjatën nga 6 deri më 13 maj. Përleshjet ishin të rrepta dhe me humbje nga të dyja palët. Në prag të Kuvendit të Junikut, nga 17-18 maj 1912, u mbajt këshillimi i bajraktarëve dhe krerëve në fshatin Gjurgjevik i Madh, në shtëpinë e Sadik Ramës, ku u disku-tua që, nëse nuk pranoheshin kërkesat nga Perandoria Osmane, do të fillonte kryengritja në gjithë Shqipërinë. Perandoria Osmane nga fundi i vitit 1912 u detyrua t’i lëshonin tokat shqiptare. Serbia dhe Mali i Zi e pushtuan Kosovën. Bekimin për këtë e marrin një vit më vonë nga Konferenca e Am­basadorëve në Lo­ndër. Tani Llapusha dhe Gjurgjeviku i përkisnin rrethit të Rahovecit. Për shkak të dhunës serbe një pjesë e popu­llatës ikën si muhaxhirë në Shqipë­rinë londineze. Atje krijuan një frymë që përpiqej për çlirim e Kosovës.

Atentati mbi Franc Ferdinantin në Sarajevë me 1914 ishte vetëm shkas për fillimin e Luftës së Parë Botërore. Në prag të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, Shqipëria ishte në një gjëndje katastrofike. Ishte momenti kur problemet dhe kontraditat në Evropë kërkonin zgjidhje. Përfa-qësuesit italianë në Paqen e Versajës kërkonin me çdo kusht që marrëveshja e fshehtë e Londrës të zbatohej në favor të Italisë.

Përfundimi i Luftës së Parë Botërore solli ndryshime të theksuara në planin nacional dhe ndërkombëtar të disa shteteve të Evropës. Sipas të dhënave të Komitetit të Kosovës, me seli në Shkodër, në vitin 1918, në përfundim të Luftës së Parë Botërore fshati Gjurgjevik i Madh kishte 40 shtëpi me 725 banorë.

Familja e Isuf Dushit pasi u pa qëllimi që shqiptarët të mbetëshin nën Mbretërinë SKS i kishte nxjerrë në mal për rezistencë dy djemt e tij Zeqir e Rexhë Isufin. Këta ndiqnin kryetarët e komunave, të cilët shkaktonin vrasje e dhunime mbi shqiptar. Zeqiri dhe Shabani Ilazi ( baba i Ymer Berishës) kishin arritur ta vrasin edhe kryetarin e komunës të Dollcit Den Ribaçin.

Në dimrin e janar shkurtit 1919 forcat serbe e rrethojnë shtëpinë e Isuf Dushit. Familja përjetoi tmerr të pa parë. Anëtarët e familjës së tij thirreshin një nga një dhe mbytëshin me mjete të forta dhe hudheshin në flakën e shtëpisë së tyre. E terë pasuria dhe shtëpia e Isuf dushit u kall e në të u kallën edhe 22 anëtarë të familjës. Nga e tërë familja terrorit i shpëtoi, pos zeqir e Rexhë Isufit që ishin në mal edhe Bajrami që atë mbrëmje nuk ishte në shtëpi.

Në pranverë 1919 Llapusha po përgaditej për kryengritje. Në maj 1919 Sadik Rama u thirr nga serbët për bisedime në fshatin Gjurgjevik i Vogël. Qellimi ishte ta arrestonin. Bali Fazliu nga Gjurgjeviku i Madh me çetën e tij me trima kryesisht nga fshatra të Llapushës kishin për qëllim ta ruanin Gjurgjevikun e Madh nga sulmët. Përderisa Sadik Rama gjëndej në Gjurgjevik të Vogël i rrezikuar Bali Fazliu u nis ti shkonte në ndihmë me 200 trima.

Për shkak të rezistencës kundër serbo-malazezëve në kryengritjen e Llapushës së vitit 1919, udhëhequr nga Sadik Rama, Azem Bejta, Ramadan Shabani, Zef Gjidoda, Metë Ymeri, Bali Fazliu etj. sipas të dhënave të Komitetit të Kosovës, në këtë fshat u vranë 7 persona dhe u dogj e plaçkit fshati. Fshati u kolonizua nga nëntë familje serbo-malazeze. Fshati shtrihet rreth 10 km në lindje të Klinës. Është vendbanim kodrinor i ndarë në lagje.

Sipas bashkëbiseduesve, në vendin Lugi i Kishës, ekzistojnë varreza që nga koha e ilirëve. Ky është fshati i Metë Ymerit, Bali Fazlisë, Sadik Ramë Gjurgjevikut, Ymer Berishës, Ukë dhe Sha­ban Sadikut dhe përsonaliteteve të tjera kombëtare deri në luftën e fundit të UÇK-së dhe çlirimin e Kosovës. Pra fshati identifikohet dhe krenohët më shumë emra madhor. Ndër më të dalluarit është emri i profesor Ymer Berishës, emri i një intelektuali të dalluar, i cili u bë sinonim i lëvizjes gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botë­rore. Fshati përbëhet prej lagjeve të Berishëve, Thaçëve, Merturëve, Prendelive, Xhamisë, Saligjokëve, Banushëve, Rambrahimëve, Tafilbajramëve, Shabanzeqirëve, Salirra­h­manëve etj.