Për ekspertin e ekonomisë, Pano Soko, mos pasja e shifrave reale të turistëve të huaj që zgjedhin Shqipërinë si destinacion nis që nga mënyra se si qeveria i konsideron dhe percepton turistët.
I ftuar në emision “DREJT” të moderuar nga Luan Rama në “Ora News”, Soko theksoi se 10 milionëshi i vjetshëm ishin udhëtarë, dhe jo turistë.
“Nëse i referohemi specifikimeve që INSTAT-i i bën numrit, ai përllogarit dhe ata njerëz që hyjnë dhe dalin nga Shqipëria brenda ditës. Vjet ka pasur rritje dhe të kapacitete të frekuentimit të aeroportit të Rinasit, i cili për shkak të çmimeve që ofron është bërë atraktiv në rajon.
Pra, ai shfrytëzohet jo vetëm nga shqiptarët, por edhe të qytetarëve të shteteve përreth.
Në një studim të publikuar së fundmi, konsiderohej se numri i turistëve që qëndrojnë më shumë se dy ditë në Shqipëri është 5 milionë, dhe këtu dalim tek shifrat e deklaruara që nuk kanë lidhje me turistët e raportuar.
Po ashtu ne duhet të kemi parasysh dhe impaktin ekonomik të turizmit. Shikoni çfarë ka ndodhur në Shqipëri: Në vitit 2022 ne kemi pasur 7 milionë turistë dhe rritja ekonomike ka qenë 4.1 për qind.
Në vitin 2023 kemi pasur rekordin me 10 milionë turistë dhe rritja ekonomike është 3.6 për qind. Kjo do të thotë se shifrat vijnë duke u rritur impakti në ekonomi vjen duke u ulur”, u shpreh ndër të tjera Pano Soko.