Ballina Dossier Kujtimet e Petro Markos: Në Shtëpinë Botuese punoja në një zyrë me...

Kujtimet e Petro Markos: Në Shtëpinë Botuese punoja në një zyrë me kolegun që unë e kisha futur në punë, por ai më spiunoi te Sigurimi, sikur kisha folur kundra pushtetit dhe…

56
0

Rrëfimet e shkrimtarit të njohur Petro Marko, ish-luftëtari i Brigadave Internacionaliste në Luftën e Spanjës dhe i Tiranës, tregon prapaskenat e asaj që njihet si Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe pse Koçi Xoxe urrente Enver Hoxhën?! Porosia e Sejfulla Maleshovës: “Kjo është parti terroriste, mos hap gojën, se do e pësosh…”! Përse u dënua Petro Marko dhe kush ishin ata që i’a përgatitën arrestimin dhe kush e ndihmoi pas daljes nga burgu, etj. Pjesë të zgjedhura nga libri “Intervistë me vetveten”, i shkrimtarit të njohur shqiptar Petro Marko, i botuar në fillim të viteve ’90-të pas shembjes së regjimit komunist, libër i cili pati një jehonë të madhe në shtypin e kohës, pasi u botua dhe ribotua disa herë, duke shënuar një rekord shitjesh.

Nga Petro Marko

NËN DIELLIN E MJEGULLUAR TË LIRIMIT TIM NGA BURGU

Pyetje: – Si e ndjeve veten, kur dole nga pragu i portës së burgut?

Përgjigje: – Të them të drejtën, shumë herë kisha dalë nga burgu vite të shkuara, por, që të dilja i gjallë nga ky lloj burgu, nuk e besoja kurrë. U përqafova me shokët që lashë brenda, sidomos me ata me të cilët rrija më shpesh, dhe ja, u çel dera e hekurt. Përjashta më priste Safoja, që kishte pesë orë që qëndronte kundruall portës së madhe të Burgut të Vjetër. Çudi! Sytë m’i vrau drita e lirisë…! Por, kur pashë të më afrohej Safoja ime, m’u bë sikur ndriti gjithë planeti dhe për një sekondë, gjithë errësira që jetova, m’u zhduk brenda një çasti.

Në një shtëpi të vogël dhe të vjetër (“Rruga e Veriut” ose “Bardhok Biba”) një familje fisnike kosovare, me mbiemrin Rizvanolli, i kishte lëshuar një dhomë e kuzhinë të vogël në oborr familjes sime; ishte aty dhe vjehrra ime dhe biri i saj. Zija, Shefqet dhe Ali Rizvanolli, vëllezërit kosovarë të shpallur të deklasuar, të tatuar rëndë, pranuan në shtëpinë e tyre familjen e Safos. Ata u sollën si të ishin të afërt: nuk pranuan kurrë pagesë qiraje dhe i ndihmonin me se të mundnin. Nuk hanin gjë të mire, pa i bërë pjesëtarë, si të ishin një familje. Edhe kur dola unë nga burgu, vazhdoi e njëjta miqësi dhe zemërbardhësi. Ishin një familje e ndershme e me tradita, sidomos gratë e tyre fisnike, ashtu siç dinë të jenë motrat kosovare.

Vjehrra ishte nga familja Qafëzezi e Kolonjës dhe si burrëreshë, e kishte ndihmuar shumë Safon, të më priste e të punonte, për të më mbajtur mua dhe familjen. Ajo ishte një grua e rrallë, me edukatën e familjeve të mëdha, me parimet e një morali të shëndoshë shqiptar dhe me një objektivitet të pabesueshëm për një grua, me qëndrimin që mbante ndaj ngjarjeve të hidhura në Luftën e Parë Botërore, për të cilat fliste dhe gjykonte, siç gjykonim Skënder Luarasi dhe unë.

Skënderi u çudit kur e dëgjoi të fliste, duke goditur kastën e saj, për qëndrime të gabuara dhe duke dhënë hollësi për vdekjen e Petro Nini Luarasit: si e kishte shpëtuar nga djegia kufomën e tij Dajlan beu, xhaxhai i saj, duke dërguar të armatosur trimin e tij, Dake Luarasin, si ndërhyri për t’i bërë një varrim normal. Pas një bisede për rreth dy orë me vjehrrën time, Skënderi, doli bashkë me mua i mahnitur se si ajo fliste për të vërtetën objektive, pa iu trembur syri dhe tha: “Është fat i madh për mua, që njoha një grua të tillë nga fisi i bejlerëve të Qafëzezit”.

Gjatë gjithë jetës, me gjithë problemet e rënda që kaloi familja ime, ajo mbeti një grua që, me logjikën e saj, ndihmoi që jeta te ne të ecte normalisht. Pranoi burgun tim, pa u trembur. Punoi për mua dhe Safos, që ishte aq e re, i thoshte: “Të mos të shkojë mendja se mund të të lejoj, ta ndash e të dyshosh për të se është spiun! Ai, është poet, është i ndershëm, i pashëm, për mua është si një shebender (që do të thotë ambasador). Do ta presim dhe do fati del i gjallë, se është rritur jetim rrugëve të luftës”!

Isha si në hava. Ç’të bëja? Njeri nuk më afrohej. Ishte koha kur buka jepej me triska dhe triskë kishin vetëm ata që ishin në punë. Unë nuk isha në punë, gruaja nuk ishte në punë, ishim pa triskën e bukës. Shkova në Ministrinë e Arsimit dhe mezi arrita të flisja me një shok që punonte atje, me Sterjo Spassen, si dhe me Spiro Xhain, që ishte dhe sekretari i partisë. Ata pas shumë muajsh, mezi më gjetën një punë më 1952: korrektor letrar në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, që i kishte zyrat në bulevardin e madh dhe ku punonin shumë përkthyes, pa marrë parasysh se në cilën parti kishin bërë pjesë.

Drejtor ishte një Miço, i çalë; sekretare partie një grua: A.S. Punoja në një zyrë me mikun tim “X”, i cili përkthente. Këtë “X”, unë e tërhoqa nga qyteti, ku kishte qenë mësues dhe e mora kur isha në gazetën “Bashkimi”, se e njihja si poet dhe desha që në gazetë të kisha njerëz me talent e të kulturuar. Tani ai përkthente dhe përkthente shumë mirë nga frëngjishtja. Bisedonim hera-herës dhe ai çuditej pse më kishin burgosur…!

Një ditë më thirri në zyrë A.S., atje ishin edhe dy shokë të tjerë të Sigurimit të Shtetit. Më thanë të ulesha. Pastaj A.S., më pyeti se çfarë kisha folur me “X”-in. Unë i thashë se me atë flasim për çdo gjë, pasi jemi në një zyrë dhe shkëmbejmë ndonjë fjalë.

– Fol! – tha ai i Sigurimit. – Çfarë i ke thënë shokut “X”?

Mblodha veten dhe thashë:

– Unë nuk mbaj mend se çfarë i kam thënë sot gruas sime dhe jo të mbaj mend se ç’muhabete bëj me “X”-in.

– I ke folur kundër pushtetit! – përsëriti ai i Sigurimit.

U habita shumë. Mendova shumë. Thashë ta përmbaja veten, se kujtova gruan time të gjorë…!

– Unë nuk flas me asnjeri kundër pushtetit, se për këtë pushtet kam dhënë edhe unë rininë time…! Prandaj, thirreni këtu shokun “X” dhe le të thotë para meje, se çfarë i kam thënë unë kundër pushtetit.

E thirrën. Ai erdhi dyllë i verdhë, se ishte shumë frikacak.

E pyetën:

– Fol! Çfarë të ka thënë ky armik i pushtetit?

Ai nuk i kthente sytë nga unë:

– Po të jetë burrë, siç thotë se është burrë, le ta thotë vetë ai… – tha dhe shikonte nga dritarja.

Kur ai tha kështu, me të vërtetë u nxeha shumë, se në jetën time rrallëherë jam nxehur:

– Shoku “X”! Ka dy lloj burrërie: një si imja dhe një si jotja. Ti, me burrërinë tënde, që e kam dhjerë, jetoje i lumtur në kohë të Zogut, kurse unë vuaja internimeve dhe burgjeve. Burrërinë tënde e kam dhjerë, se ka dy lloj burrërie: një si jotja dhe një si imja. Me burrërinë tënde, jetoje bukur si pasha në kohën e Duçes. Atë burrërinë tënde, e kam dhjerë. Kurse unë në atë kohë, me burrërinë time, torturohesha, burgosesha dhe internohesha. Edhe sot me atë burrërinë tënde, që përsëri e dhjes, ti jeton si pasha, në këtë pushtet që ti e urren…!

– Mjaft! – thirri njeriu i Sigurimit. – Ti, shoku “X”, shko!

Prisja të më hidhnin hekurat. Po ngjau kjo:

– Tani që do të bëhen shkurtime në zyra, këtë pushojeni…!

Ata ikën dhe unë shko va në zyrën time, ku “X”, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, vazhdonte të përkthente. S’ia hodha sytë. Më dukej si një hiç, një kërmë, një imoral.

U ktheva në shtëpi pa shfaqur asnjë shenjë shqetësimi. Gruaja punonte në oborr, për një pllakat të madh, nga ata që i vendosnin në sheshin “Skënderbej”. Mendoja shumë dhe parashikoja furtunë…! Dhe furtuna erdhi. Pas disa ditësh, më thirri shoqja e kuadrit, A.S., dhe më komunikoi pushimin tim, për shkurtim kuadri.

Mendohesha ditë e natë se ç’duhej të bëja. Mbeta pa bukë. Më këshilloi shoku im, Mane Nishova, që më tha t’i bëja një letër Mehmet Shehut, që ishte ministër i Punëve të Brendshme. E gjeta me vend mendimin e Mânes, të cilit i vinte keq për mua, por që ai vetë, nuk kishte asgjë në dorë që të më ndihmonte. Vendosa dhe i shkrova këtë letër Mehmet Shehut:

“Shkëlqesisë së tij Mehmet Shehu, ministër i Punëve të Brendshme.

Unë që po ju shkruaj këtë letër, quhem Petro Marko dhe të paktën veten time, e quaj patriot të ndershëm. Nëse nuk është kështu, se ju i njihni ata që janë armiq, mos m’u përgjigjni…! Kam qenë korrektor letrar në “Naim Frashëri”, ku punojnë njerëz të të gjitha ngjyrave, madje dhe nga ata që bashkëpunuan me gjermanët dhe u pasuruan kur ne luftonim dhe vuanim. Erdhi një urdhër për shkurtim personeli dhe më gjetën mua të më shkurtonin…! Tani dua t’ju pyes: Kush e ka fuqinë në dorë, ata armiq që bashkëpunuan me okupatorët apo ne?! Nëse e kanë fuqinë në dorë ata, na thoni të dalim përsëri në mal, për të çliruar popullin nga këto shushunja…”!

Letrën e bëra pa e pyetur gruan, se ajo nuk do të më lejonte kurrë. E shkrova dhe vajta në ndërtesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Nuk e dija që nuk hyhej nga dera e madhe, karshi ministrisë tjetër, por hyhej nga një derë prapa ndërtesës. Ndenja ca duke pritur, kur për fat, po hynte andej zëvendësministri i Mehmetit, Mihallaq Ziçishti, i cili më buzëqeshi me mirësi dhe më pyeti se ç’kërkoja.

– Kam një letër për ekselencën e tij Mehmet Shehu dhe nuk e di se si mund t’ia dorëzoj…?!

Ai më buzëqeshi:

– Pse i thua ekselencë?! Ti e ke shok! – tha duke më rënë në sup. – Ma jep mua letrën dhe do t’ia jap që tani.

Mos u bëj merak. – E mori letrën dhe u fut brenda.

Ishte ditë e premte, kur ia dhashë letrën. Të shtunën në drekë, erdhi një civil në shtëpi, ose më mirë në konakun tim të mjerë, dhe pyeti:

– Këtu banon Petro Marko?

Edhe vjehrra, edhe gruaja u trembën. I thanë se aty banoja. Unë dëgjoja dialogun:

– Ku është tani?

– Këtu! – iu përgjigj vjehrra ime, se e pa që nuk kishte ndonjë fytyrë të zymtë.

Dola në oborr, ai më dha dorën dhe më tha se më kërkonte shoku Mehmet Shehu, në zyrën e tij.

Gruaja u tremb pa masë dhe m’u drejtua me lot në sy:

– Ç’ke bërë?

– Mos u mërzit, – i tha ai dhe u nisa bashkë me të për te Mehmet Shehu.

Kur hyra në zyrën e Mehmetit, ai u ngrit më këmbë, më përqafoi me sy të njomur.

– Ku je, more i uruar! – Më pa që nga koka e gjer te këmbët, me ato këpucë të vjetra, me këmishë të vjetër…dhe më tha:

– Besomë: unë kam një djalë që quhet Vladimir! U bë gati tetëmuajsh dhe unë nuk e kam parë…! Po ti, me të dalë nga burgu, duhej të vije tek unë…! Nga bridhje? U ula dhe ai më pyeste për shumë gjëra. E pashë që ishte shumë nervoz, nuk e zinte vendi.

– Eh, ta dish… – i shpëtoi kjo frazë, pastaj ndërroi bisedë. Dhe, që të më qetësonte, nisi të më tregonte episode të paharruara nga Spanja. Ndenja aty gati një orë. Pastaj më tha: – Do ta shtroj lart çështjen tënde dhe do të ngarkojmë shokun Bedri Spahiu, të merret me punën tënde. (Bedriu ishte në atë kohë ministër i Arsimit.) U përqafuam gati me lot në sy dhe u ndamë, sikur ta dinim se ç’po gatuhej në krye të Partisë…!

Nuk ishte më ai Mehmet, që njihja unë dhe shokët e tij, por një Mehmet tjetër. Ai, armikun deshi ta kishte përballë dhe jo si tani, që e kishin ngarkuar me atë detyrë delikate, të zbulonte ata të “Kolonës së Pestë”. Më pare, ishin jugosllavët ata që zbulonin dhe zhduknin mijëra e mijëra të “Kolonës së Pestë”, me urdhër nga lart. Koçi, zbatonte urdhrat. Mehmeti, me të cilin ndenja afro një orë, e dinte që biseda jonë regjistrohej, prandaj pati guximin dhe tha: “Unë jam nga ata që armikun e kam luftuar ballë për ballë…! Kjo punë nuk më përshtatet, e kam të vështirë”.

Kur u ndamë, përsëri u përqafuam dhe aty më pyeti për shokët e tjerë të Spanjës, sidomos për Skënder Luarasin, të cilin e nderonte shumë.

– Të gjithëve jepu të fala nga unë!

Dhe u ndamë, pasi më përcolli deri te dera e zyrës së tij.

Ne në burg, me Koço Boshnjakun, me Demir Godellin e, disa të tjerë, kishim folur dhe për Mehmetin e çuditeshim se si i duronte dhe i pranonte ky këto persekutime dhe ekzekutime që s’kishin të sosur! Kishte këtë karakter: i bindej verbërisht superiorit të tij, por edhe kërkonte t’i bindeshin verbërisht vartësit e tij.

Pas disa ditësh, më thirri Bedri Spahiu, ministër i Arsimit. Më priti krahëhapur dhe më tha:

– Bëre mirë që u drejtove më lart se ata… vendosin. (Bënte aluzion për të madhin fare.) U mblodhëm dje në Byro dhe u shtrua çështja jote. Të gjithë kishin mendim unanim, që ti të sistemoheshe, por tani për tani, jo si gazetar. Folën të gjithë mirë për ty, duke të cilësuar si një nga revolucionarët më të devotshëm e të ndershëm dhe më porositën, të të sistemoja. Meqë ti tani për tani nuk mund të ushtrosh profesionin tënd në gazetari, unë mendova të bëhesh profesor…! U vendos që; burgu i vuajtur nga ’47-’50, të mos të përmendet më.

Që atë ditë, unë u emërova profesor në Shkollën Pedagogjike, me bazë fillore. Fillova nga puna dhe nisa të shkruaja në atë kasolle ku banoja. Nisa “Hasta la vistën”. Shkruaja natën, me një llambë vajguri, në një si kotec…!

ROMANI I PARË: “HASTA LA VISTA”

Pyetje: – “Hasta la vista”, qe romani yt i parë pas burgut?

Përgjigje: – Po. Ishte vepër e vëllimshme. Pasi e mbarova, ua dhashë ta lexonin, tre shokëve nga të Spanjës, për të më bërë ndonjë vërejtje: e lexuan Skënder Luarasi, Mehmet Shehu dhe Zef Prela, që të tre nga shokët më të mirë të Spanjës, që do të më ndihmonin me vërejtjet e tyre. E lexuan dhe cilido më bëri dhe ndonjë vërejtje, por që të tre, e kishin pëlqyer shumë.

Mehmeti më tha se me këtë vepër, do të bëja armiq shumë shkrimtarë dhe se, duke kaluar koha, ajo do të çmohej më shumë, se ishte monumenti i shqiptarëve në Spanjë. Më bëri këtë propozim: “Shto pak më shumë, për Pasionaren…” – dhe unë i tregova këtë: “Nazim Hikmetit, kur ishte në burg, i thanë të bënte një poezi për Mustafa Qemalin, që ta lironin…! Ai u përgjigj: “Kur të vdesë Mustafai, atëherë po… se nuk e dimë ç’fund do të ketë”. I thashë se, nuk bën që shkrimtari të ketë personazhe personalitete të gjalla. Më tha: “Ti e di vetë punën tënde. Po romanin e ke qarë…”!

E çova në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve. Ma mbajtën ca kohë dhe më lajmëruan ta tërhiqja, se nuk do të botohej. Ishte një goditje. I telefonova Mehmetit (ishte kryeministër në atë kohë) se romanin, nuk ma botonin. Atëherë ai i telefonoi kryetarit të Lidhjes, mikut tim të vjetër Dhimitër Shuteriqit, dhe i tha: “Të më bëni një relacion me shkrim, pse nuk botohet romani “Hasta la Vista”?!

Dhimitri më thirri të pinim një kafe, në Kafe “Tirana”, dhe më lexoi relacionin që i bënte Mehmetit. Por më tha me zë të ulët: “T a dije ti, se kush e ndalon botimin e romanit”!? E pata të qartë se për kë e kishte fjalën, se ai ngriti dorën lart dhe zëri i dridhej.

Mjerisht, ata të revistës “Nëntori”, ca njerëz skematikë, nga frika për emrin tim, hoqën pjesë shumë të mira nga romani, sidomos pjesët luftarake, duke i quajtur natyraliste…! Megjithatë, romani u botua, veçse i cunguar. (Dorëshkrimin e plotë e kam në shtëpi.

Shyqyr që s’ma morën gjatë persekutimit që më bëri Sigurimi i Shtetit: kur arrestuan djalin më 1975, shumë dorëshkrime, fotografi e të tjera, m’i morën). Romani u botua dhe u nderua me Çmimin e Republikës. Ia di për nder Mehmet Shehut, që më hapi rrugën e shkrimit, se do të kisha mbaruar keq.

Pyetje: – Po romani “Qyteti i fundit”?

Përgjigje: – Edhe romani i dytë “Qyteti i fundit”, pati peripecitë e veta. E mbarova së shkruari dhe ia dhashë ta lexonin përsëri: Mehmetit, Skënder Luarasit dhe Zef Prelës. Mehmeti më tha:

– Hiqi ato fjalë e fjali banale dhe pornografike, se, po i le, djemtë e mi, nuk do t’i lë që ta lexojnë.

– Po atë gjuhë, kanë prostitutat, kontrabandistët, gjithë ata italianë matrapazë dhe feministë… nuk e kanë gjuhën të zgjedhur si këtu në kryeministri…!

Mehmeti qeshi dhe më tha:

– E di vetë ti. Po romani, ka një kuptim të thellë universal: ai që kërkon t’i zërë derën tjetrit, ikën pa brekë…si italianët që erdhën të bëheshin zot të këtij vendi, dhe u katandisën të iknin pa brekë.

E shpura në Ndërmarrjen e Botimit. U bënë recensât dhe më thirri drejtori, miku im, Spiro Xhai. Më tha:

– Duhet të heqësh faqet me fjalë banale dhe me natyralizëm të theksuar. Ne jemi të realizmit socialist.

E tërhoqa romanin duke i thënë:

– Unë kështu shkruaj dhe nuk shkruaj gjëra donkishoteske!

Pas ca kohësh, kryeministri Mehmet Shehu, siç e kishte zakon ai, që u bënte nga një vizitë ndërmarrjeve, i bëri një vizitë dhe Ndërmarrjes së Botimeve. E priti drejtori Spiro Xhai dhe u përgjigjej pyetjeve, që i bënte Mehmeti. Pastaj Mehmeti e pyeti, nëse kishin ndonjë kërkesë. Spiroja, pasi foli për punët e ndërmarrjes, i tha:

– Petro Marko, na ka dërguar këtu një roman me një natyralizëm që nuk i shkon realizmit socialist. Erdhi dhe e tërhoqi romanin, se nuk i pranoi vërejtjet, që i bëmë për të mirën e tij!

Mehmeti, pasi e dëgjoi, qeshi dhe i tha:

– Ai nuk më dëgjoi mua dhe jo të të dëgjojë ty…! Merrja romanin dhe botoja ashtu siç e ka shkruar ai vetë.

Kështu që romani “Qyteti i fundit”, u botua pa hequr asnjë presje, prandaj dhe është romani më i arritur, ndër romanet e mia. Për këtë roman, kritiku dhe miku im Dalan Shapllo, me guxim, mbrojti mendimin se; ky ishte romani i parë modern shqiptar. Romani pati sukses, më përgëzuan njerëzit e kulturës, po jehona e tij në shtyp vdiq. Ai nuk u ribotua më. /Memorie.al