Ballina Aktualitet Sulmet kibernetike mbi institucionet shqiptare, KLGJ shpenzon 49 milionë lekë për sigurinë

Sulmet kibernetike mbi institucionet shqiptare, KLGJ shpenzon 49 milionë lekë për sigurinë

26
0

Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi të mërkurën, 29 maj, transferimi e 49 milionë lekëve të planifikuara për të testuar “penetrimin për përforcimin e sigurisë kibernetike në rrjetin dhe infrastrukturat IT të Gjykatave të Republikës së Shqipërisë” dhe të vetë KLGJ-së, në një zë të ri për shërbime në fushën e sigurisë kibernetike.

Në relacionin përkatës KLGJ bënë me dije se kërkesa u bë nga Departamenti i IT, pasi Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike, AKCESK, u ofrua për të kryer testet dhe skanimet e  dobësive të sigurisë kibernetike pa kosto.

Në relacion thuhet se paratë e destinuara për skanim dhe testim, 47.6 milion për testimin e sistemit të sigurisë kibernetike të gjykatave dhe 1.4 milion për sistemin e sigurisë kibernetike të vetë KLGJ-së do të transferoheshin në blerje shërbimesh po për sigurinë kibernetike.

Në raport thuhet se për “minimizimin e riskut të sigurisë së informacionit dhe afektimin nga incidentet e mundshme kibernetike rekomandojmë të implementohen disa shërbime të tjera që lidhen me fushën e sigurisë kibernetike për një periudhë një vjeçare”.

Institucionet publike në Shqipëri shtuan shpenzimet për mbrojtjen nga sulmet kibernetike, pas një sulmi kibernetik 15 korrik 2022, i cili rrëzoi një sërë shërbimesh online dhe u pasua me publikimin e mijëra të dhënave zyrtare, përfshi edhe e-mailet e zyrtarëve të lartë dhe të dhëna të ngjashme.

Gati dy muaj pas sulmit kibernetik, qeveria vendosi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike dhe dëboi përfaqësuesit e ambasadës iraniane./BIRN/