Policia e Kosovës gjatë të premtes pasdite ka përfunduar aksionin policor në Leposaviq.
Gjatë operacionit, njësitë policore në një shtëpi kanë gjetur uniforma të ndryshme, përfshirë ato të policisë serbe dhe ushtarake.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani ka thënë se janë gjetur rreth 20 uniforma të policisë së Serbisë dhe dy këmisha të Policisë së Kosovës.
Ai ka thënë se gjatë këtij aksioni nuk ka pasur të arrestuar.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pasi policia dje në Leposaviq gjeti dhjetëra uniforma të policisë serbe e asaj të Kosovës.
Sveçla tha se mekanizimi terrorist i Serbisë në veri të Kosovës po çmontohet çdo ditë e më shumë, teksa shtoi se aksioni në fshatin Isev i Poshtëm u krye pas marrjes së informatave inteligjente.
“Pas informatave inteligjente, në një shtëpi në fshatin Isev i Poshtëm në Komunën e Leposaviqit u gjetën dhjetëra uniforma të policisë se rregullt dhe asaj speciale serbe si dhe pjesë të uniformave të Policisë së Kosovës. Kjo është edhe një dëshmi e radhës se mekanizmat e sigurisë së Serbisë ishin dhe mbeten përgjegjësi i tentativës për destabilizim dhe aneksim të veriut të vendit tonë”.
“Falë vigjilencës dhe punës së pakursyer të të gjitha institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës kjo tentativë e Serbisë për destabilizim të vendit suksesshëm po parandalohet dhe luftohet”, tha Sveçla.
Më tej, Sveçla tha se është detyrë dhe obligim i qeverisë shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim.