Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Enkeljt Alibeaj, gjatë fjalës së tij në Kuvendin Programor ka deklaruar se kjo parti edhe pas ardhjes në pushtet do të mbështesë fuqimisht SPAK-un. Ai shtoi se PD planifikon heqjen e imunitetit të deputetit në rast përballje me SPAK-un.
“Ne do bëjmë një luftë horizontale të korrupsionit dhe të korruptuarve në çdo degë të pushtetit publik, duke vendosur burime njerëzore dhe mjetet e duhura në dispozicion. SPAK nuk do të lihet vetëm dhe as do të jetë i vetmi. Gjyqtarët dhe gjyqësori do të mbrohen me çdo kusht nga sulmet.
Nëpërmjet ligjit penal dhe anti mafia do të pastrojmë sektorin publik, do të çojë përpara përgjegjësisë çdo zyrtar dhe ish-zyrtar të korruptuar dhe do të kërkojë konfiskimin e aseteve të tyre.
PD ofron mbështetje ndaj SPAK me burime financiare dhe njerëzore, heqje totale e imunitetit të deputetëve për t’i hapur rrugë hetimit të plotë nga SPAK”,-tha ai.
Alibeaj u zotua se me ardhjen në pushtet, PD do të nisë verifikim e ligjshmërisë për çdo prokurim publik, PPP apo koncesion. Ai shtoi se kompania që kapet në shkelje, do të përjashtohet 20 vite nga shërbimi publik.
:”Verifikimi i ligjit anti mafia për kontratat e koncensioneve, PPP-ve, partneriteteve strategjike. Synojmë çlirimin e ekonomisë, rikuperimin e parasë publike dhe rikthimin e besimit publik. Për të arritur këtë qellim do të angazhohemi për verifikim e kontratave koncesionare, PPP-vë, prokurimeve publike, Çdo kontratë korruptive do të anulohet. Kompania që gjendet në shlelje do të përjashtohet nga shërbimi publik për 20 vite”,-shtoi Alibeaj.