Ballina Politika Berisha: Në Shqipëri ka më pak banorë se në Kosovë, vdekshmëria më...

Berisha: Në Shqipëri ka më pak banorë se në Kosovë, vdekshmëria më e lartë se lindshmëria

24
0

Ish-Kryeministri Sali Berisha, në fjalimin e pasdites që i drejton mbështetësve të tij nga ballkoni i banesës ku ndodhet prej më shumë se 5 muajsh në “arrest shtëpie” tha se nga viti 2014 deri në vitin 2022 kanë ikur nga Shqipëria më shumë se 1 mln shqiptarë.

Berisha tha se po i referohej shifrave nga Eurostati dhe statistikave nga Britanisë së Madhe për emigrantët shqiptarë, shtetasit shqiptarë të larguar nga viti 2014-2022.

“Këto të dhëna tregojnë se, kanë kërkuar azil politik në BE, 191.670 qytetarë shqiptarë. Se gjenden në ilegalitet të paregjistruar në hapësirën e Shengenit, 311.650 shqiptarë. Se janë sistemuar gjatë këtyre viteve në punëra dhe regjistruar, përveç këtyre 487.225 shqiptarë. Dhe se, në Mbretërinë e Bashkuar vetëm gjatë vitit 2022 emigruan nga Shqipëria, 40 mijë shqiptarë. Të gjithë këta tejkalojnë mbi 1 milionë shqiptarë. Tejkalojnë rreth 35% e shqiptarëve kanë emigruar nga 2014 në 2022. Nuk janë këtu të regjistruar shqiptarët e larguar për në Kanada, SHBA, Norvegji, Lindje e Mesme dhe vende të tjera. Ky është apokalipsi shqiptar siç do ta quante një mik anglez këtë situatë të Shqipërisë”, tha Berisha.

Në vijim ai u ndal në problemin e uljes së lindshmërisë në vend, ndërsa theksoi se vetëm 3 mujorin e parë të vitit 2024, Shqipëria pati 5056 lindje, kundrejt 5537 vdekje.

“Pati 481 vdekje më shumë se të lindur. Në këtë shok demografik, në këtë goditje demografike, kryesojnë qytetet e Vlorës, me 21 % më pak lindje se tremujorin e parë 2023. Pas Vlorës, vjen Berati me 19 % më pak se tremujorin e parë 2023”, tha Berisha.

Referuar censusit të fundit, Berisha u shpreh se në këtë regjistrim shqiptarët kanë dalë më pak se në Kosovë.

“Në këtë regjistrim shqiptarët kanë dalë jo më shumë se 1 milion e 420 mijë. Sepse popullata jo vetëm në periferi, por as një Tiranë dhe Durrës nuk është kurrë ajo që pretendohet. Numri është mashtrim, mashtrim dhe vetëm mashtrim”, tha ai.

Në vijim, Berisha u shpreh se përveç subvencioneve dhe mbështetjes për çiftet e reja për strehim dhe punësim, qeveria e PD-së do të marrë përsipër fëmijën e tretë gjerë në moshën 22-vjeçare, me çdo shpenzim, shkollim, punësim dhe gjithçka tjetër.

“Asgjë nuk duhet të na mposhtë ne. Asnjë agresion i mafias shqiptaro-ndërkombëtare ndaj nesh nuk duhet të na mposhtë. Duhet ti dalim zot vetes dhe vendit. Duhet të shkërmoqim shtetin e mafias, të ndërtojmë shtetin ligjor, shtetin e vullnetit të shqiptarëve”, tha ai.