Ballina Politika Një intervistë e llogaritur, Arben Ahmetaj inskenoi kamera të fshehtë me gazetarët...

Një intervistë e llogaritur, Arben Ahmetaj inskenoi kamera të fshehtë me gazetarët italianë!

26
0

Duke ngrënë makarona, me një gotë verë të bardhë mbi tavolinë dhe shishe vere të vendosura në raftet pas shpinës së tij, Arben Ahmetaj shfaqet i çliruar në drekën me gazetarët italianë.

Këta të fundit e filmonin me kamera të fshehtë, ku ish-numri dy i Qeverisë hodhi akuza të forta me pretendime për përfshirjen e grupeve kriminale në qeverisjen e vendit.

Deklaratave u shtoi edhe emra konkretë dhe përsëriti akuzat se si pastroheshin paratë e krimit të organizuar në ndërtim në Shqipëri, apo se si ka ngritur në Qeveri problemin e kanabizimit të vendit.

Por, a ka rënë vërtet Arben Ahmetaj në kurthin e kamerës së fshehtë të italianëve, apo ka qenë vetë ideatori, skenaristi dhe aktori protagonist i kësaj kamere?

A është rastësi që ish-zyrtari më i kërkuar nga drejtësia shqiptare jo vetëm që tregohet i pakujdesshëm duke mos kontrolluar gazetarët nëse po e filmonin apo jo gjatë një dreke informale, por në të njëjtën drekë flet me emra personash, që sipas tij janë të lidhur me krimin e organizuar dhe kanë takuar edhe Edi Ramën?

A është rastësi që në orët para se të transmetohej emisioni në televizionin shtetëror italian, në mediat italiane dhe në ato shqiptare dolën detaje nga deklaratat e Arben Ahmetajt?

Pse ish-zv.kryeministri shfaqet në këtë investigim vetëm pak minuta, nga një drekë që mund të ketë zgjatur për orë me radhë?

A e kanë gazetarët italianë të regjistruar të plotë të gjithë bisedën me pjata makaronash dhe verë përpara me Arben Ahmetajn, apo kanë vetëm pjesën që transmetuan?

Pyetjet ngrihen nën dyshimet se kamera në dukje e fshehtë nuk ka qenë aq e fshehtë dhe Arben Ahmetaj me gjasë ka qenë në dijeni se po filmohej, madje ka qenë ai që u ka kërkuar gazetarëve që deklaratat që do të jepte të merreshin gjoja me kamer të fshehtë, ndërsa vetë më pas hapi fjalë në Tiranë sikur ishte viktimë e një kurthi gazetaresk.

Arsyeja ka qenë shmangia e konflikteve me emrat që përmend në video-regjistrim, duke e viktimizuar veten përballë tyre edhe pse ka qenë furnizuesi kryesor i gazetarëve italianë me materialet e paraqitur në investigimin e transmetuar të dielën./Voxnews.al