Ballina Editorial Për ata që thonë se Berisha është viktimë e Edi Ramës!

Për ata që thonë se Berisha është viktimë e Edi Ramës!

53
0

Nga Namir Lapardhaja

Shihni televizionet kombëtare për të kuptuar se kë “opozitë” do përballë Edi Rama!

Për ata që mendojnë se Edi Rama ka frikë Berishën dhe i tutet revolucionit, mjaftojnë të kqyrin me kujdes dhe me mendje të ftohtë kohën për partitë politike në televizionet kombëtare në muajin prill.

Autoriteti i Mediave Audiovizive paraqet në mënyrë strikte prezencën mediatike që zënë të gjithë grupimet politike, ku ajo që vihet re është hapësira e madhe që zë Rithemelimi i Berishës (42.9%), çka është më shumë se sa së bashku prezenca e pushtetit (PS, 18.41%) dhe PD zyrtare (17.51%). Kjo gjë nuk është vetëm për muajin prill, por për çdo muaj të vitit.

Ky është realiteti i qartë se kë do Edi Rama të ketë mëngjes dhe mbrëmje t’i bëjë “opozitën” dhe ta shajë me rrënjë e dhëmballë, me premtimin se “radhës tjetër do ta hedhim qelbësirën”.

Nuk e di për ju, por unë nuk kam parë ndonjë regjim të ngjashëm në botë, i cili, në vend që ta shtypë “opozitën”, i jep kaq hapësirë mediatike, pikërisht në televizionet kombëtare, të cilat jo vetëm që e kanë detyrim ligjor për të mbajtur një kohë të barabartë për partitë politike, por që dihet se pronarët e tyre, në përgjithësi, janë klientë të rregullt të qeverisë dhe ndër përfituesit më të mëdhenj të tenderave dhe koncensioneve publike.

Ashtu sikurse nuk kam dëgjuar për ndonjë regjim, i cili ditën shahet nëpër ekrane dhe televizione, ndërsa natën i shpërblen me leje për kulla ata që e shajnë dhe ata që e financojnë këtë sharje!

Arsyeja e këtij realiteti është shumë e thjeshtë: Edi Rama investohet me gjithçka për t’u lënë përballë shqiptarëve një “alternativë” anakronike që duket sikur ka dalë nga çmendina, krijon realitete paralele, nuk flet për shqetësimet e njerëzve, por për hallet e saj dhe betejën nuk e ka me qeverinë dhe Edi Ramën për t’i marrë pushtetin, por me drejtësinë dhe Altin Dumanin për t’i shpëtuar burgut.

Është e natyrshme që Ramës dhe kujtdo pushteti në kushte të tilla nuk i intereson një opozitë e arsyeshme, me figura të pastërta dhe me një ligjërim që orientohet te alternativa, programi dhe njerëzit, sepse kështu do ishin të rrezikuar, për shkak të pasqyrës përballë që do t’i nxirrte shumë keq në sytë e opinionit publik.

Si për të mos mjaftuar e gjithë kjo, kështjella iluzive prej rëre që ndërton Berisha nga kati i 8-të dhe njerëzit e tij të Rithemelimit që flasin mëngjes e mbrëmje përçart nëpër ekranet televizive të oligarkëve të pushtetit, del dhe e pshur Spiropali të enjten e javës që vjen me një fjalim në Kuvend, duke iu dhënë leksione “ndershmërie”, antikorrupsioni dhe respektimi të institucioneve të drejtësisë pikërisht atyre që venë pas një të dizenjuari “Non grata” pikërisht për korrupsion madhor, minim demokracie dhe shantazh drejtësie.