Reperi i njohur suedez C.Gambino është qëlluar për vdekje në një pritë që iu ngrit teksa po parkonte makinën e tij në një garazh në qytetin e Goteborgut, mbrëmjen e kaluar.
Mbi artistin 26-vjeçar, i cili këndonte përherë duke mbajtur veshur një maskë të zezë, persona të armatosur lëshuan një breshëri plumbash duke e plagosur për vdekje.
“Reperi jetonte këtu në zonë dhe kur erdhi për të parkuar makinën e tij, atentatorët që e prisnin qëlluan mbi të”, tha oficeri i policisë Thomas Fuxborg.
Reperi u dërgua me urgjencë në spital, ku vdiq më pas edhe pse mjekët ndërhynë për ta mbajtur në jetë.
Sipas mediave lokale, policët morën një telefonatë për sulm me armë pranë sheshit Selma Lagerlöf në zonën Hisingen të qytetit. Më pas ata gjetën shtatë gëzhoja plumbash në një derë xhami të garazhit.
Mësohet se pas të shtënave, policët bastisën një banesë në Goteborg dhe shoqëruan disa persona.
C.Gambino ishte një nga artistët më të mëdhenj dhe më të suksesshëm të Suedisë. Albumet e tij hit, përfshirë Sin City dhe In Memory of Some Stand Up Guys, kryesuan listat e muzikës suedeze.