Viti kalon shpejt në ritmin e njerëzve të gjallë që vazhdojnë të aplikojnë postulatin e egzistencës së njerzimit se jeta vazhdon. Dhe si për koicidencë ajo kishte marrë emrin e ciklit të kësaj bote, po kishte marrë edhe profesionin për ti shërbyer njerëzve. Ashtu thjeshtë me katër shkronja të fjalës që e duam të gjithë që i përulemi të gjithë me dobësitë dhe forcën tonë, ndërsa ajo edhe me profesionin: Jeta!
Në mesin e muajit prill, vetëm një vit më parë, atëherë kur stina po vinte me ngjyrat dhe aromën e saj, kish vendosur ta mbyllte ciklin e saj mjekja që i kishte dhuruar aq shumë pranvera dhe aromë jete njerëzve. Ajo nuk njohu vite, as stina, as muaj as javë dhe ditë. Madje ajo nuk njohu kurrë as grafik dhe orar. Që prej vitit 1970, pasi kreu studimet studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë në Univeristetin e Tiranës në vitin 1970, me rezultate te shkëlqyera, doktoreshë Jeta do ti jepte kuptim edhe jetës së njerëzve. Ashtu e dashur, e qeshur, e përkushtuar me dashurinë për njerëzit ajo niste të kuronte ende pa vendosur stetoskopin.
14 muaj pa mjeken pediatre, mjeken reanimatore, ajo padyshim ka dhënë jetë nga profesioni saj , përkushtimi dhe më shumë për vlerat aq njerzore që e bënin më shumë se mjeke. Ndërsa jepte kontributin e saj si mjeke, ajo që e dalloi gjithjë ishte ana njerzore e saj. Në shkrimin e fundit kushtuar Jeta Zalla (Deliallisi) dhënë për gazetën Bulevard dhe portalin bulevard news me bisedën e saj me gazetarin Xhevahir Gradica, ajo do të shprehej se: Gjykatësi më i mirë për punën e mjekut është familjari, nëna, babai, të afërmit. Një shkrim i thjeshtë si vetë ajo, një bisedë me fjalë sinqeriteti si vetë ajo. Një komunikim me fjalë zemre si vetë doktoreshë Jeta! Si homazh për një nga emrat më të shquar të mjeksisë durrsake po ribotojmë të plotë shkrimin bazuar në intervistën që ajo dha për Bulevard!
Pediatrja reanimatore Jeta Zalla: Gjykatësi më i mirë për punën e mjekut është familjari, nëna, babai, të afërmit.
Interesante dhe e veçantë jeta e bluzave të bardha. E mbushur plot me të papritura. Në shërbim të pacientëve ditën e natën, me dhe pa orar. Herë të qeshur dhe të shkujdesur në gëzime kolektive dhe herë të ngrysur, të heshtur e të përlotur. Sa në zonat periferike, sa në qytet. Profesion i vështrë, fisnik dhe human. Jeta Zalla, të cilën në jo pak raste e thërrasin edhe me mbiemrin e saj të vajzërisë, Deliallisi, në rrëfimet e saj nxiton t’ia dedikojë prindërve, profesorëve, kolegeve formimin si mjeke, pediatre, reanimatore. Ndodh kështu jo vetëm me dr. Jeta Zallën. Këtë praktikë dhe model të të arsyetuari e ndesh sa herë që takon intelektual të cilëve më shumë se fjala u flet shërbimi, profesioni dhe gjurmët e lëna pas.
Rinia
Jeta (Deliallisi) Zalla arsimin e mesëm e kreu në vendlindje, në Shijak, tek shkolla “16 shtatori”. Duke qenë vajzë e shkathtë prindërit e futën në shkollë në moshën 6 vjeçe, ndërsa studimet e larta do i nisë në moshën 17-vjeçare në Fakultetin e Mjekësisë pranë Universitetit të Tiranës. Brenda klasës kishte shumë konkurencë. Shkolla kishte marrë emër shumë të mirë. Kërkesa e llogarisë dhe garat mes nxënësve për të kapur kreun e tabelës së nderit ishin sfiduese. Jetës i duhej të maste zotësinë me bashkëmoshatarët e saj Petrit Berhami që pas universitetit u bë fizikant, Fatmir Doçin i diplomuar në inxhinieri apo Rusdhi Dollakun, mësues shumë pasionant. Jeta ka treguar se përcaktues në zgjedhjen e fushës së mjekësisë ka qenë xhaxhai i saj, Bedri Deliallisi. Ai qe burrë autoritar, shumë i kulturuar dhe i ngritur. Bedri Deliallisi kishte përfunduar studimet në shkollën e “Harry Fultz” në Tiranë dhe në gjimnazin e Shijakut jepte mësim lëndën e gjuhës së huaj angleze. Duke ndenjur pranë xhaxhait prej të cilit mori shumë parime dhe njohuri u ndikua shumë dhe mjekësia iu bë pasioni i saj i pazëvendësueshëm. Shumë djem e vajza nga Durrësi i kanë kryer studimet e larta vajtje-ardhje, duke shfrytëzuar trenin e linjës Durrës-Tiranë-Durrës. Por kjo qe e pamundur për studenten Jeta Deliallisi. Prindërit, Shefki e Makbule Deliallisi, mësues me zë në gjithë Durrësin, i kishin vënë “detyrim” së bijës që të dilte me rezultate të larta. Kështu që studentes i duhej ta shfrytëzonte në maksimum kohën ndaj u sistemua në konvikt. Një arsye më shumë për të qëndruar në Tiranë ishte edhe fakti se vajza banonte në Shijak dhe kjo e vështirësonte më shumë vijimin e shkollës ditë për ditë nga shtëpia. Megjithatë javë për javë kthehej në Shijak. Të shtunën, me të përfunduar leksionet, kapte trenin e linjës, ndërsa të hënën zgjohej herët dhe pasi merrte autobusin Shijak-Sukth, zinte trenin e parë Durrës-Tiranë. Vajza e familjes Delallisi do të kishte edhe një fat në mesin e këtyre vështirësive. Durrësi pati filluar në vitet 65-66 të shtonte numrin e studentëve të cilët arsimoheshin në mjekësi. Kështu bashkëstudente me vajzën nga Shijaku qenë Emijet Veizi, Mira Kauri, Liri Dhima, Liri Domi, Liri Dibra, Bukurushe Hoxha me të cilat Jeta ndante të gjitha bisedat dhe preokupacionet si studente. I vetmi merak i vajzave ishte dëshira për rezultate të larta dhe dalja sa më parë në jetë për të veshur bluzën e bardhë të mjekes, një ëndërr e kahershme e tyre. Prindërit e Jetës ishin të dy të punësuar në arsim, megjithatë të ardhurat nuk mjaftonin për të bërë jetë pa preokupacione. Thuajse paralelisht me Jetën vazdhuan studimet në arsimin e lartë edhe vëllai e motra e saj kështu që për familjen vështirësitë ishin jo të pakta. Studentja e Mjekësisë ishte me pagesë, po ashtu edhe vëllai me të motrën ndaj gjithçka llogaritej deri në qindarkën e fundit. Përballë kësaj sakrifice të prindërve Jeta, motra e saj Razie dhe vëllai Fatmiri nuk kishin as më të voglën kërkesë për veshje, argëtime, dhurata. Sapo u binte në dorë një lekë secili rendte të blinte një libër që i duhej në specialitetin e vet. Fare pak kohë, por edhe fare pak mundësi financiare pati Jeta për të shëtitur me shoqërinë në kryeqytet, për të ndjekur filma në kinematë e Tiranës apo edhe teatër. Jeta (Deliallisi) Zalla ka thënë se vajzat durrsake ishin të thjeshta dhe se asnjëra nuk kishte pretendime jashtë fushës së studimeve ndaj shoqëria e tyre erdhi e u forcua. Edhe sot, 45 vite larg nga rinia e tyre, admirimi dhe respekti për njëra-tjetrën vijon t’i ushqejë si atëherë. Një tjetër sukses për to që fakti se pedagogët e Mjekësisë ishin shumë kërkues. Shumë prej tyre kishin kryer studimet jashtë shteti dhe ishin lektorë shumë të zotë. Në formimin profesional të mjekes së mëvonshme korrektesa e pedagogëve la gjurmë të forta. Madje aq sa vet dr. Jeta Zalla do të pranojë se parimet që mësoi nga profesorët e saj i ka pasur principe të punës gjatë gjithë jetës si mjeke. Studentët e asaj kohe morën leksione nga prof. Luigj Benusi(themelues i mikrobiologjisë), Fejzi Hoxha (pionier i diabetologjisë e endokrinologjisë), Bajram Preza (gurëvënës i neurologjisë), Nikolla Dushniku (shef katedre), Petro Cani (babai kirurgjisë), Llambi Ziçishti (Dekan i Fakultetit të Mjekësisë), Mënyer Karagjozi (themelues i hematologjisë pediatrike) , Ferdinand Paparisto (themelues i katedrave të kirurgjisë speciale dhe të urologjisë), Kadri Kërçiku (mjeku dhe pedagogu që i shpalli luftë leprozës dhe sifilizit në Shqipëri), Selaudin Bekteshi (pedagog shumë i pasionuar)… Këta janë jo vetëm themelues të fakultetit, por edhe pedagogët më të zotë, kirurgët e akademikët që e vendosën mjekësinë shqiptare në rrugën shkencore. Jeta lexonte gjatë në sallën e studimit e cila kishte një sobë druri të madhe në mes, rreth së cilës vendosnin stola dhe ashtu të kredhura edhe nën batanie lexonin deri në ora 2 pas mesnate. Në vitin 1973, pasi kishte shërbyr si mjeke për dy vite, specializohet në Tiranë për pediatre. Nuk e pati të vështirë të fitonte këtë të drejtë pasi nota e saj mesatare në fakultet ishte mbi nëntë. Dhënia tërësisht pas shërbimit ndaj fëmijëve, e nxit të kërkojë e të fitojë një specializim të dytë, këtë herë për reanimacion në pediatri, studime që i kryen në vitin 1984.
Deliallisët atdhetar e arsimdashës
Të gjithë ata që kanë miqësi, krushqi e shoqëri me Deliallisët e dinë fare mirë kushtin e Deliallisëve për të futur nuse në shtëpinë e tyre, apo edhe për të dërguar në derë tjetër vajzën. Edhe sot nuk kanë hequr dorë nga pyetja “Çfarë notë mesatare ka djali që kërkon gocën tonë?”, “Çfarë mesatare ka vajza që kërkon dorën e djalit tonë?”. Sa më në thellësi të kohrave shkohet, aq më shumë dalin në dritë të dhëna, fakte, detaje, episode e ndodhi të fisit Deliallisi. Nuk kanë të mbaruar historitë për jetën dhe aktivitetin e nacionalistëve Deliallisi, shumë prej të cilëve u arsimuan në Perëndim. Çdokush ndihet mirë për të shkuarën dhe të sotmen, por pinjollë të Deliallisëve janë edhe më me fat. Ata shquhen për patriotizëm, atdhetari dhe arsimim në breza. Janë të shpërndarë gjithandej në Shqipëri dhe në Botë si mjek, juristë, kirurgë, mësues, ekonomist, urbanist, historianë, arkitekt, inxhinierë, artistë, poetë, sportistë, zanatlinj … Pjesmarrës në kryengritje dhe revolta të fuqishme me karaket rë thekur politik e atdhetar në shekullin 19, 20. Ymer e Xhemal Deliallisi janë firmëtar të shpalljes së Pavarësisë, ndërsa të rreshtuar në rezistencën kundër pushtuesve janë një listë e pambarim, ashtu si dhe të arsimuarit. Jeta është vajzë e prindërve Shefik Deliallisi dhe Makbule (Kariqi) Deliallisi. Gjyshi saj, Ramazani ka kryer studimet në Stamboll, kurse i ati, Shefkiu ka studiuar në liceun italian në Tiranë. Pasi fitoi bursë për jashtë shteti në kohën e qeverisë së Zogut, shkollohet në Napoli dhe shërben si mësues Matematike pas çlirimit të vendit. Shefkiu pati miqësi me aktorin e madh shqiptar Sandër Prosin, ndërsa ka studiuar në të njëjtën klasë me ish kryeministrin shqiptar të regjimit komunist Adil Çarçani. Edhe e ëma mjekes, Makbule Deliallisi, vajzë nga Kavaja, ka qenë e arsimuar. Ajo përfundoi Institutin Femëror italian në Shkodër. Gjatë bombardimeve nga forcat ushtarake të huaja në vitet e Luftës së Dytë Botërore, strehohet në familjen e Rikard Ljarjës. Me ardhjen e çlirimit shërben si mësuese. Edhe xhaxhallarët: Bedri e Fiqiri Deliallisi janë shumë të njohur, i pari si mësues dhe tjetri në mjekësi. Jeta është vajza e madhe e familjes. Razia, vajza e dytë e familjes, është diplomuar në Fizikë, ndërsa i vëllai, Fatmiri në Inxhinieri ndërtimi. Në familjen e tyre gjithëherë është diskutuar për shkollën, universitetin, profesionet, librat e rinj, artin, sportin… Dhurata më e papritur, por edhe shumë e kushtueshme që prindërit i bënë Jetës, ishin 35 volumet enciklopedi mjekësore të shoqëruar me pllaka gramafoni për ilustrime. Këtë pasuri të cilën dr. Jeta Zalla e ka ruajtur me shumë fanatizëm i ati e ka blerë tek një mjek që pati studiuar jashtë shteti, por që kishte dalë në pension.Vitet kanë ecur dhe tani vet Jeta është një mjeke në pension, ndërkohë që i duket sikur tani po dëgjon të ëmën që i thotë “ Shkolla bëhet një herë dhe vlen gjithë jetën”, shprehje e cila e ka motivuar asokohe studenten Deliallisi t’i përkushtohej me të gjitha forcat studimeve universitare të cilat i kryen në vitin 1970. Jeta Deliallisi lidhi kurorë me djalin nga Durrësi Hysen Zalla një tjetër pinjoll i një fisi të madh dhe të dëgjuar. Çifti ka dy vajza. Ema ka studiuar për gjuhën frenge në Tiranë. Në vitin 1997 fiton bursë në Universitetin e Lozanës dhe për 6 vite do t’i përkushtohet Linguistikës. Njohuritë e saj nuk ndalen me kaq pasi thellohet në fushën e Sociolinguistikës për 4 vite të tjera, ndërsa ka nisur jetën familjare në Gjenevë. Edhe vajza tjetër, Tiku ka kryer studimet e larta fillimisht në Shqipëri. Ajo ka ndjekur rrugëtimin e së ëmës, Jetës, duke u diplomuar në Mjekësi. Rezultatet e rendisin studenten e dytë në nivel kombëtar, ndërkohë që aktualisht kryen specializimin 6-vjeçar për kirurgji në Firence.
Karriera
Jeta Deliallisi përfundon studimet e larta në vitin 1970. Ishte koha kur mjekësia përballej me vdekshmërinë e lartë foshnjore, ndaj mjekët më të zotë u dërguan në zonat më problematike. Si me të qeshur një pedagog, i cili e admironte Jetën për vullnetin dhe seriozitetin që kishte, i pati thënë gjysmë me shaka dhe gjysmë me të vëretë “Mos këmbëngul për të dalë me rezultate të larta se do të përfundosh ose në Veri, ose në zona të thella, ndërsa studentët që nuk kanë rezultate të larta emërohen në qytet”. Realiteti ishte i tillë dhe lektori ndiqte me jo pak shqetësim politikën e emërimit dhe specializimit të studentëve të shkëlqyeshëm. Vajza nga Shijaku nuk do e dëgjonte porosinë e pedagogut, ndërkohë që edhe vet profesori e inkurajonte atë për të dalë me rezultate sa më të larta. Durrësi atë vit ishte bërë me spital të ri dhe shefe e shërbimit të pediatrisë qe dr. Hëna Këlliçi e cila vendosi në kritere bashkëkohore shërbimin e pediatrisë. Jeta (Deliallisi) Zalla do të përfitojë njohuri të reja dhe qëndrimin pranë Këlliçit do e vlerësojë si laborator universiteti. Në janarin 1971 vesh uniformën e mjekes dhe prej 40 e ca vitesh nuk e ka hequr kurrë stetoskopin nga qafa. Dy vite pasi mori emërimin e parë, rikthehet në auditoret e fakultetit për t’u specializuar në pediatri. Edhe studionte, edhe shërbente si mjeke. Me t’i dhënë fund specializimit për një vit do të gjendet mes banorëve të kooperativës së bashkuar të fshatrave të Shijakut duke mundur të arrinte rezultate të dukshme në zbritjen e vdekshmërisë foshnjore të cilën e zbriti nën mesataren e Republikës. Për Dr. Jeta Deliallisin fshati qe një tjetër përvojë që do i shërbejë fort në vitet e ardshhme si pediatre. Për shkak të rezultateve në studime dhe specializim si dhe përkushtimit të plotë pas shërbimit në fshatra, seksioni i shëndetësisë në ekzekutivin e Durrësit e tërheq për ta emëruar në spitalin e pediatrisë, në qytet. Profesionin e mori me shumë zell dhe tërësisht iu përvesh misionit human. Për Jetën jo vetëm në vitet e para të punës, por gjithnjë e kurdoherë, nuk do të kishte më orar, nuk do të kishte më grafik. Vajza e çiltër, e sinqertë dhe e paisur me dije të thella është ndjerë e sigurtë sa herë që është ulur për të plotësuar recetën, për të mbushur kartelën apo për të lëshuar rekomandime. Specializimi i dytë për reanimatore e bën edhe më të ngarkuar kohën për pediatren. Aq sa nuk do të ketë kohë të kujdeset për vajzat e saj. Motrat Ema e Tiku më shumë janë rritur në krahët dhe përkujdesjen e të atit, mësuesit dhe studiuesit të gjuhëve të huaja Hysen Zalla se të mamasë Jeta Deliallisi. Megjithatë pediatrja nuk është penduar kurrë për rrugën e zgjedhur dhe as për sakrificat e saj e të bashkëshortit. Për periudhën 1985-1991 vështirësitë e reanimacionit në pediatri do i ndajë me kolegen e saj Mira Kauri, ndërsa më pas gjithçka do e përballojë vetë deri ditën që do të dorëzojë bluzën e bardhë për të dalë në pension.
Intervista
Një jetë e tërë në shërbim të fëmijëve si mjeke pediatre dhe pediatre reanimatore…
Vizitën e parë si mjeke e kam kryer në moshën 22-vjeçare. Ditën e parë të punës më solli babai. Nuk e dija ku ishte spitali. Rruga m’u duk e gjatë dhe qyteti i Durrësit shumë i madh. Mbaj mend që i kisha kapur babait dorën e nuk ia lëshoja. Im atë kishte me vete diplomën dhe notat e fakultetit. I njihte të gjithë. Saktësisht e njihnin të gjithë. Kur i panë notat mjekët i thanë “Paska rezultate të shkëlqyera”, ndërsa unë vetëm ndiqja bisedat. Fati e deshi që të kisha shefe të shërbimit të pediatrisë dr. Hëna Këlliçi, një grua shumë e zonja dhe mjeke autoritare. Mësova shumë, shumë pranë saj. Atë vit që dola mjeke përfunduam studimet e larta 6 vajza nga Durrësi. Secila prej nesh iu përkushtua seriozisht studimeve të larta dhe i përfunduam me rezultate mjaft të mira. Kjo na dha mundësi të përfitonim specializime pasuniversitare. Unë fillimisht dy vite u specializova për pediatre dhe më pas në një specializim të dytë për reanimacion në pediatri. Gjithë jetën në pediatri, deri në vitin 2011, pra 40 vite. Edhe sot më vinë pacientë për vizitë dhe e kam të pamundur t’i kthej pasi më njohin jo vetëm ata, por edhe prindërit e tyre. Është e vështirë pediatria. Janë të vegjël, vetëm rënkojnë. Ka raste të pafund të vështirësisë në përcaktimin e diagnozës. Sidomos në atë periudhë kur nuk kishte aparatura si sot. Vizito dhe konsultohu me dispensat e fakultetit, me kolege, me mjek të cilët kishin përvojë, me infermiere.
Ku mendoni se qëndron suksesi i rezultateve të profesionit të mjekut?
Brezi im mori kulturën profesionale nga pedagogë që kanë studiuar jashtë shteti dhe u bënë themelues të shërbimeve mjeksore në Shqipëri. Prej tyre u edukuam si mjeke, por edhe mësuam se puna në grup është çelësi i sukseseve. Dua të them se sado i zoti të jetë një mjek, në rastin tim një pediatre, nëse nuk do të funksionojë si duhet grupi i punës gjërat mbesin pa zgjidhje. Mjeku ka nevojë për analiza dhe laborantja e rregullt dhe e zonja e mirorienton mjeken. Edhe infermierja po ashtu. Ne leshojmë recetën, plotësojmë kartelën. Pacienti është pacient. Janë fare pak nëna që lexojnë kartelën dhe ndjekin me kujdes se sa me korrektesë i zbatojnë rekomandimet infermieret. Kështu që jo pak ndikim në këtë drejtim kanë edhe infermieret. Ato japin ilaçet, ndjekin orarin e bërjes së serumit, fusin në serum ilaçet, masin temperaturën e pacientit, bëjnë qetësues, njoftojnë mjekun e rojes e shumë të tjera pa kaluar në ndikimin që kanë infermieret në sallën e reanimacionit. Meqë jemi në këtë pikë më duhet të them se gjatë gjitha viteve kam punuar me infermiere shumë serioze dhe të pasionuara. Mukadesi, Xhemile Keçi që sot është kryeinfermiere, Sofie Arapi dhe të tjera janë aq të zonjat saqë pa merakun më të vogël zëvendësojnë mjeken. Kanë qenë shumë korrekte, të sakta, të gatshme dhe me etikë komunikimi. Të palodhura dhe gjithnjë të qeshura. Më kanë lehtësuar ngarkesën dhe vështirësitë. I kam ndarë me to gëzimet dhe hidhërimet.
Duke qenë pediatre reanimatore jeni ndeshur edhe me raste të humbjes së jetës së fëmijëve?
Për shumë vite vdekshmërisë foshnjore iu vu kujdes i veçantë. Për të qenë të sinqertë, edhe pse kishte shumë burokracira dhe një pjesë e kërkesave ishin absurde, duhet thënë se masat shtërnguese dhanë efekte shumë të mirë. Gjithandej u ulën rastet e vdekjeve të fëmijëve 0-1 vjeç. Kjo moshë rriskohet nga një sërë të papriturash ndaj pediatri lypset të jetë gjithnjë i kujdesshëm dhe i saktë. Çdo vdekje në atë periudhë, para viteve 1990, shoqërohej me oponencë të fortë dhe me autopsi. Mjekësia është profesion shumë i vështirë, ndërsa peridatria edhe më shumë se aq. Vet e zgjodha pediatrinë për specializim dhe po vet vendosa të vijojë specializimin tjetër për pediatre reanimatore. Këtë e bëra ngase ndieja një kënaqësi të jashtëzakonshme kur arrinim të mbanim në jetë fëmijë që kishin bërë më shumë se gjysmën e rrugës drejt vdekjes. Nuk jemi dorëzuar kurrë dhe kemi luftuar deri në pikën e fundit. Edhe atëherë kur kemi qenë të pafuqishëm për ta mbajtur gjallë. Sa herë që kapërcenim situata të tilla, përqafoheshim mes bluzave të bardha, nxirrnim lotë gëzimi, kërcenim pa kontroll fare, lëshonim tinguj të fortë që shprehnin kënaqësi të madhe. Herë vetëm mes nesh, mjeke e infermiere; herë edhe në prani të prindërve. Ka ndodhur që kemi luftuar fyt për fyt me vdekjen dhe nënat, baballarët na kanë parë. Kanë qëndruar aty pranë nesh. Kanë qarë ata, kemi qarë edhe ne. Edhe pse fatkeq kanë gjetur kurajon dhe janë rikthyer tek ne duke na shtërnguar duart dhe duke na falenderuar për gjithçka kemi bërë, edhe pse fëmija nuk ka mundur të jetojë. I kemi përcjellë deri jashtë spitali dhe jemi kthyer të përlotur. Gjykatësi më i mirë për punën e mjekut është familjari, nëna, babai, të afërmit. Asnjëherë, kurrë, nuk ka ndodhur që fëmija i sëmurë të shikohej si burim fitimi për ne mjekët. Asokohe kjo frymë ekzistonte. Dhe jo nga frika. Ishte pjesë e formimit. Pedagogët tanë ishin të rreptë. Ishin maja e majës së mjekësisë shqiptare. Ata nuk bliheshin dhe as nuk shiteshin. Pra nota tyre ishte e padiskutueshme. Me këtë formim u edukuam të gjithë ne mjekët dhe infermierët e brezit tim.