Ballina Rajoni Retorikë e ashpër mes Shkupit dhe Athinës – Mickoski i përgjigjet Mitsotakisit:...

Retorikë e ashpër mes Shkupit dhe Athinës – Mickoski i përgjigjet Mitsotakisit: Vendin tim e thërras si të dua

23
0

Lideri i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministri i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut, Christian Mickoski reagoi edhe njëherë për çështjen e emrit të vendit, pas kritikave nga fqinjët, por edhe partnerët ndërkombëtar.

Mickoski shprehu angazhimin e tij se emri kushtetues, Maqedonia e Veriut do të përdoret në komunikimin zyrtar dhe se do të zbatojë Marrëveshjen e Prespës, teksa shtoi se ai vetë do ta quajë vendin “Maqedoni”.

“Gjithçka e përfshirë në marrëveshjen e Prespës, përfshirë edhe pjesën e emrit, qeveria e ardhshme e VMRO-DPMNE-së do ta respektojë. Në fakt, në certifikata ku vërtetohet mandati i deputetëve tanë, përdoret identifikimi i emrit. Edhe projektligji që hodhëm sot u shtrua me atë emërtim.

Por e drejta ime njerëzore, e garantuar me shumë konventa, është e drejta e lirisë së fjalës dhe shprehjes. Nuk inatosem me politikanët kur nuk thonë emrin e plotë të vendit të tyre. Për mua atdheu im në çdo deklaratë që bëj është Maqedonia dhe do të mbetet Maqedoni”, tha Mickoski.

Reagimi vjen pas njoftimit të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, se do ta ngrejë çështjen e Marrëveshjes së Prespës mes dy vendeve gjatë një samiti të ardhshëm të NATO-s.

Retorika mes Shkupit dhe Athinës është ashpërsuar së fundmi për Marrëveshjen e Prespës, në lidhje me përdorimin e emrit kushtetues të Maqedonisë së Veriut.