Tri parcela me kanabis ku ishin mbjellë rreth 1050 bimë kanabisi janë zbuluar në fshatin Klos.
Raportohet se parcelat me kanabis ishin kultivuar nga 28 vjeçari me iniciale A. F., në hapësirën e pyllit mbi banesën e tij.
Gjatë operacionit policor, i riu u arestua në njërën nga parcelat duke u kujdesur për bimët narkotike.
Në vijim të operacionit, u proceduan penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” shtetasit:
Sh. M., me detyrë specialist pyjesh në zonën Fan dhe K. M., me detyrë kryeplak i fshatit Klos. Këta shtetas dyshohen se nuk kanë kryer detyrat e tyre funksionale, në zonën që mbulonin.
Njoftimi i policisë:
Mirditë/Kontrolle intensive të territorit dhe hetime proaktive, në kuadër të planit operacional kombëtar të koduar “Territor i Pastër”.
Pas një muaji hetimi proaktiv, finalizohet operacioni policor i koduar “Klosi”.
Asgjësohen 1050 bimë dhe fidanë kanabis sativa.
Vihet në pranga autori i dyshuar, i cili u kap në flagrancë duke u kujdesur për bimët narkotike.
Procedohen penalisht kryeplaku i fshatit Klos dhe specialisti i pyjeve për zonën Fan, për shpërdorim detyre.
Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Territor i Pastër”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivimin e bimëve narkotike, Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirdita kanë intensifikuar kontrollet në terren, të bazuar edhe në inteligjencën policore, dhe kanë vijuar me hetimet proaktive.
Në këtë kuadër, si rezultat i një hetimi proaktiv në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirdita në bashkëpunim me Seksionin Operacional në DVP Lezhë finalizuan me sukses operacionin e koduar “Klosi”. Si rezultat i këtij operacioni u godit një rast i kultivimit të bimëve narkotike dhe u arrestua në flagrancë shtetasi:
A. F., 28 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Klos, Njësia Administrative Fan, Bashkia Mirdita, i dyshuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Ky shtetas dyshohet se në hapësirën e pyllit mbi banesën e tij, kishte kultivuar në 3 parcela të ndryshme, 1050 bimë dhe fidanë kanabis. Gjatë operacionit, ky shtetas u kap në njërën nga parcelat duke u kujdesur për bimët narkotike.
Në vijim të operacionit, u proceduan penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” shtetasit:
Sh. M., me detyrë specialist pyjesh në zonën Fan dhe K. M., me detyrë kryeplak i fshatit Klos. Këta shtetas dyshohen se nuk kanë kryer detyrat e tyre funksionale, në zonën që mbulonin.
Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.