Gianni De Biasi, ish-trajneri i Shqipërisë foli për ‘La Gazzetta dello Sport’ në lidhje me ndeshjen Itali – Shqipëri që do luhet më 15 qershor në ndeshjen debutuese për dy ekipet në Euro 2024.
De Biasi që e njeh mirë Shqipërinë pasi i kualifikoi në “Euro 2016”, iu ka bërë me dije italianëve se kundërshtari nuk duhet nënvlerësuar.
“Shqipëria fitoi me rezultat 3-1 ndaj Azerbajxhanit, por ishte ndeshje miqësore. Më pëlqeu si Shqipëria vinte në sulm nga pas.
Pse duhet të frikësohet Italia? Në mesfushë Asllani dhe Ramadani e dinë mënyrën si ta rinisin aksionin. Qendërsulmuesi Broja është fizik dhe mund të shpërthejë në çdo mundësi të vogël. Asani dhe Seferi garantojnë imagjinatë nga jashtë.
Pastaj jepni vëmendje tifozëve, të shtunën në Dortmund do të jenë mijëra shqiptarë të entuziazmuar.
Dobësitë? Nuk e di se çfarë taktika do të përdorë Sylvinho, nëse do të vendos të sulmojë ose të pres. Në përgjithësi, Shqipëria e tij luan në mënyrë proaktive. Sylvinho ka pasur trajner të mirë, për shembull ka punuar me Roberto Mancinin”, deklaroi ai për “Gazzetta dello Sport”.
“Nuk e shoh se kjo mund të jetë avantazh për ne. Shqipëria është kundërshtar që nuk duhet nënvlerësuar, por Spalletti e di më mirë. Jemi favorit me të drejtë”, tha italiani De Biasi.