Ballina Sport ​Kane: Anglia ka përvojën e duhur për të pasur sukses në Euro...

​Kane: Anglia ka përvojën e duhur për të pasur sukses në Euro 2024

26
0

Gjysma e skuadrës së Anglisë së drejtuar nga trajneri Gareth Southgate për Euro 2024 nuk ka luajtur kurrë në një turne të madh, por kapiteni Harry Kane thotë se grupi ka mjaft përvojë në radhët e tyre për të qenë të suksesshëm në Gjermani.

Harry Maguire, i cili ka 63 ndeshje, dhe Jack Grealish 36 ndeshje ishin ndër ata që u hoqën nga lista pasi Southgate e zvogëloi skuadrën e tij në 26 lojtarë për Kampionatin Evropian 14 qershor-14 korrik.

“Mendoj se kemi më shumë se mjaftueshëm përvojë”, tha Kane për mediat britanike. “Sidomos shumë lojtarë që kanë luajtur në dy ose tre turne. Gjithmonë do të ketë lojtarë të rinj, lojtarë që meritojnë të jenë këtu”, theksoi Kane.

Ai më pas foli edhe për lojtarët e larguar nga lista: “Është e trishtueshme t’i shohësh të largohen, por në fund të fundit kjo është ajo që mund të kesh duke luajtur për Anglinë. Trajneri duhet të marrë vendime të vështira. Të gjithë kanë fituar të drejtën për të qenë këtu. Kjo është ajo që kemi thënë. Të gjithë sjellin diçka të ndryshme në ekip dhe ne do të kemi nevojë për të gjithë 26 lojtarët nëse do të jemi të suksesshëm”

Anglezi më tutje tha se është në gjendje të mirë fizike para këtij kampionati.

“Unë jam i gjithi mirë. Plani ishte që unë të luaja 60 minuta kundër Islandës. Ka qenë një kamp shumë i mirë për mua personalisht në këtë kuptim. Të bëj një javë të mirë stërvitje, 30 minuta (kundër Bosnjë dhe Hercegovinës), disa ditë të tjera stërvitje, pastaj 60 minuta. Ndihem vërtet i përgatitur dhe në një vend të mirë.”

Anglia e nis fushatën e saj në Euro 2024 më 16 qershor kundër Serbisë në Grupin C.