Gjykata e Tiranës ka vendosur të lirojë nga qelia duke rrëzuar kështu kërkesën e autoriteteve ruse për ekstradimin e Alexandër Bobonvikov, i arrestuar 15 ditë më parë sapo zbriti nga një avion privat me miqtë e tij në Rinas. Ministria e Drejtësisë pas verifikimeve përkatëse, iu përgjigj kërkesës së gjykatës se refuzonte ekstradimin e 56 vjeçarit.
Bobovnikov erdhi nga Gjermania, e ndonëse ishte ndaluar përkohësisht në Itali, vend i cili nuk pranoi kërkesën e Rusisë për ekstradim, lëvizte i lirë në gjithë Europën. Ai deklaroi pas arrestimit në Shqipëri se kishte ardhur për arsye turistike, por gjykata e la në burg me afat 15 ditor.
Bobovnikov ndodhet në kërkim ndërkombëtar nga Rusia për një mashtrim 200 mijë euro të kryer në vendin e tij të lindjes. 56 vjeçari u arrestua më 22 prill të vitit të kaluar në Firenze dhe u lirua nga burgu pas një jave. Italia, në fakt, e ka mohuar ekstradimin duke shënuar edhe rastin e parë që kundërshtohet një kërkesë e tillë e vendit të Vladimir Putinit pas pushtimit rus të Ukrainës. Bobovnikov njihet si një kundërshtar i presidentit Vladimir Putin, i cili ka kundërshtuar vazhdimisht pushtimin e Ukrainës.