Ballina Kronika Nga kokaina te LSD, shisnin lëndë narkotike në lokalet e natës, bien...

Nga kokaina te LSD, shisnin lëndë narkotike në lokalet e natës, bien në pranga 2 persona në Dhërmi

84
0

Dy persona janë arrestuar nga Policia Himarës, pasi shisnin drogë në lokalet e natës.

Blutë njoftojnë se dy të arrestuarit, njëri banues në Gjermani dhe tjetri në Angli, shisnin drogëra të ndryshme, që nga kokaina e deri te LSD dhe ekstazia.

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi: 

Himarë/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli 3”, goditet një rast i shitjes së drogave të forta.

Vihen në pranga 2 shtetas të huaj, të cilët posedonin me qëllim shitjen, sasi të drogave të forta kokainë, ketaminë, ekstazi dhe LSD.

Sekuestrohen sasitë e lëndëve narkotike, një peshore elektronike, një shumë parash dhe 2 celularë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë, në vijim të veprimeve intensive operacionale të kryera në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar, antidrogë, të koduar “Tempulli 3”, pasi kanë siguruar informacion se në Dhërmi, dy shtetas të huaj posedonin droga të forta me qëllim shitjen, kanë organizuar punën dhe si rezultat kanë kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasit: J. C., 32 vjeç, banues në Angli dhe L. J., 35 vjeç, banues në Gjermani.

Gjatë kontrollit në dhomat ku qëndronin këta shtetas, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura sasi të drogave të forta kokainë, ketaminë, ekstazi dhe LSD, të cilat dyshohen se ata i posedonin me qëllim shitjen, kryesisht në lokalet e natës në Dhërmi. Sasitë e drogave u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me një peshore elektronike, një shumë parash të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale dhe 2 celularë.

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.