Ballina Ekonomia Sa kontrata koncesionare janë aktive në Shqipëri, ja sektorët që zënë peshën...

Sa kontrata koncesionare janë aktive në Shqipëri, ja sektorët që zënë peshën më të madhe

24
0

Numri i kontratave të koncesioneve/PPP të miratuara në Shqipëri deri në vitin 2023 regjistrohet në 230 të tilla, ku 6 prej tyre janë zgjidhur,  dhe si rezultat numri aktual i kontratave aktive të koncesionit/PPP është 224. Referuar raportit vjetor të Ministrisë së Financave, për periudhën 2004-2013 janë lidhur 176 kontrata në total, ndërsa gjatë periudhës 2014-2023 janë miratuar 54 kontrata koncesionare/PPP.

Pjesa më e madhe e kontratave ka si Autoritet Kontraktues Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, me 208 kontrata koncesionare/PPP , ndërkohë, Ministria e Turzimit dhe Ministria e Financave kanë secila nga 6 kontrata, ndërsa Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është Autoritet Kontraktues në 4 kontrata koncesionare në fushën e shëndetësisë. Sektori që ka peshën më të madhe të kontratave në numër dhe në vlerë është sektori i energjisë me 183 kontrata, me një vlerë totale prej 415.2 miliardë Lekësh.

Sektori i dytë me peshë më të madhe përsa i përket vlerës së kontratave është sektori i transportit, me 21 kontrata, me vlerë totale 123.8 miliardë Lekë. Ndërkohë sektori i mjedisit ka në total 6 kontrata me vlerë 25.8 miliardë Lekësh të cilat konsistojnë në ngritjen e sistemit të përpunimit të mbetjeve, menaxhimin e pyjeve, si dhe shfrytëzimin e burimeve ujore. Përsa i përket sektorit të shëndetësisë, në total janë miratuar 4 kontrata koncesionare/PPP me vlerë prej 4.2 miliardë Lekësh.

Ndërsa, në kategorinë ‘Të tjera’, janë përfshirë në total 10 kontrata koncesionare me vlerë 11.3 miliardë Lekë të shpërndara në sektorin e bujqësisë, sektorin e kontrollit fiskal, sektorin e zhvillimit ekonomik dhe urban. Përsa i përket formës së mbështetjes financiare nga sektori publik, në total janë lidhur 15 kontrata koncesionare/PPP me mbështetje buxhetore, nga të cilat, për vitin 2023, 11 kontrata janë aktive, apo rreth 6% e totalit të kontratave, ndërsa kontratat pa mbështetje buxhetore në total janë 209.

Përqindja e pagesave buxhetore ndaj totalit të të ardhurave tatimore të vitit paraardhës buxhetor, ka rezultuar rreth 2.3% për vitin 2023 nën kufirin maksimal të rregullit fiskal prej 5% dhe në rënie krahasuar me 2022. Gjithashtu në bazë të pagesave buxhetore të planifikuara ky tregues parashikohet të jetë ne renie edhe për vitet në vijim nën kufirin maksimal të rregullit fiskal.