Vendgrumbullimi i mbetjeve mes Pjezës dhe Romanantit, në Shijak është përfshirë sot nga zjarri.
Sipas banorëve, mbetjet vijnë nga Durrësi dhe Sukthi dhe djegia e mbetjeve ka nisur prej orës 8 të mëngjesit.
Aroma e keqe dhe tymi ka përfshirë gjithë zonat si Hardhishte, Gjepalaj, Pjezë, Shetel dhe Eminas i Vogël.
Ky vendgrumbullim i mbeturinave është i përkohshëm dhe shërben për të menaxhuar situatën e mbetjeve urbane përkohësisht deri në vendosjen e një marrëveshje tjetër për eleminimin e tyre, ndërsa është i miratuar dhe me dokumentacionet përkatëse.
Djegia nuk bëhet nga institucionet sipas Bashkisë së Shijakut, por nga vetë qytetarët.
Vetë kryebashkiaku Arbana shprehet se:
“Zjarret e qëllimshme janë një akt i papërgjegjshëm dhe i rrezikshëm dhe ata që fshihen pas këtyre veprimeve do të përballen me forcën e ligjit. Persona të papërgjegjshëm, i vënë flakën kazanëve duke dëmtuar mjedisin tonë të përbashkët me dëme materiale dhe rrezik për shëndetin e komunitetit ku ka ndodhur ngjarja. Grupet e zjarrfikëses janë në gatishmëri, gjithashtu dhe sektori i shërbimeve. Për momentin situata është normalizuar. I bëj thirrje atyre që fshihen pas këtyre gjesteve, që duan të prodhojnë lajme negative për të prishur imazhin shumë të mirë që kemi ndërtuar për Shijakun me punë dhe përkushtimin tonë të përditshëm: Nëse keni moral, mos punoni për intriga të tilla, sepse qytetarët e Shijakut duan progresin, zhvillimin, sigurinë dhe qëndrueshmërinë. Është detyra jonë e përbashkët të mbrojmë njëri-tjetrin dhe të ruajmë komunitetin tonë. Kështu kemi ecur përpara dhe do vazhdojmë, sepse besimin që na kanë dhënë shijakasit e kemi fituar jo me fjalë dhe intriga, por vetëm me punë.”