Ballina Aktualitet Ngriti skemë mashtruese me TVSH/ Ja sa vite burg do të vuajë...

Ngriti skemë mashtruese me TVSH/ Ja sa vite burg do të vuajë 46-vjeçari Erion Berberi

6
0

Gjykata e Sarandës ka dënuar me 6 vjet heqje lirie 46-vjeçarin nga Tirana, Erion Berberi.

Vendimi është dhënë 4 ditë më parë nga Gjyqtari Mikel Hysometaj pas një procesi të nisur në 20 nëntor të një viti më parë. Berberi akuzohet nga Prokuroria e Sarandës për veprën penale “krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” kryer në bashkëpunim sipas neneve 144/a e 25 të Kodit Penal.

46-vjeçari rezulton person me precedentë penalë, pasi ka qenë i arrestuar edhe në 2015 në Korçë bashkë me disa persona të tjerë, të akuzuar po për mashtrim me TVSH. Pavarësisht dënimit me 6 vjet heqje lirie, do të pritet vendimi i Apelit që do të vendosë nëse Berberi do të shkojë në qeli.

Gjyqtari Hysometaj ka kërkuar që dënimin 46-vjeçari ta kryejë në një burg të sigurisë së zakonshme. Çështja e gjykuar në Sarandë i përket procedimit penal nr.39 të vitit 2018 ndaj shtetasve Enis Xhaferi, Vjollca Ymeraj, Kreshnik Ymeraj, Fatmir Murati, Dashamir Ymeraj e Erion Berberi. Çështja ndaj këtij të fundit u gjykua e ndarë, ndërkohë që procesi vazhdon për të tjerët.