Ballina Europë Plaçkitja e vilës së Roberto Baggio, ja pse grabitësit nuk e vodhën...

Plaçkitja e vilës së Roberto Baggio, ja pse grabitësit nuk e vodhën Topin e Artë, fanellat dhe trofetë sportive të futbollistit

9
0

Shtëpia e futbollistit italian Roberto Baggio u grabit nga persona të armatosur gjatë kohës që po luhej ndeshja Itali-Spanjë (20 qershor). Vetë futbollisti u përlesh me njërin prej grabitësve ndërsa arritën të marrin para, bizhuteri dhe sende me vlerë.

Mediat italiane kanë evidentuar një detaj jo pak me rëndësi në grabitjen e shtëpisë së futbollistit në Altavilla Vicentina, dhe që nuk u ka shpëtuar fansave të shumtë të ish-fituesit të Topit të Artë.

Pse grabitësit nuk morën Topin e Artë?!

Në fakt, trofeu i Topit të Artë, simboli i sezonit më të mirë të Baggio-s, ai 1993, nuk ndodhej në vilë. Me sa duket, sipas burimeve hetimore, Topi i Artë ruhet në kasafortën e një banke të besuar dhe pikërisht për këtë, banditët nuk kanë mundur ta marrin atë, ndërsa kanë shkatërruar shtëpinë e kampionit nga Caldogno.

Më pas janë kujtimet, trofetë e një karriere vezulluese, më të çmuarit, ato me vlerën më të lartë sentimentale duke përfshirë bluzat e veshura, fanellat e kampionëve të tjerë dhe medaljet. Ka dy hipoteza për bastisjen e dështuar nga kriminelët: e para është se autorët e grabitjes nuk e dinin që shtëpia e synuar ishte e Baggio-s, e dyta është se nuk i gjetën ose nuk kishin kohë t’i identifikonin gjatë atyre 40 minuta terrori, të cilat ish-futbollisti i kombëtares dhe familja e tij ishin në mëshirën e sulmuesve.

Kriminelët plaçkitën shtëpinë, por nuk prekën dhomën me trofetë. Me pak fjalë, grabitësit ishin përgatitur, por me siguri nuk e njihnin vilën në detaje.

40 minuta terror

Sipas rikonstruksionit të policisë, banda është paraqitur në një nga dhomat e fjetjes, ku familja po ndiqte ndeshjen. Baggio iu afrua njërit prej grabitësve dhe e goditi me grusht në fytyrë dhe si kundërpërgjigje grabitësi e goditi në ballë me qytën e armës, duke e plagosur. Më pas kriminelët e kthyen shtëpinë përmbys, duke vjedhur ora, bizhuteri dhe para. Kur futbollisti kuptoi se grabitësit ishin larguar, ka thyer derën e dhomës ku ata ishin mbyllur dhe ka lajmëruar policinë. Kampioni u dërgua në urgjencën në Arzignano , ku u trajtua me disa qepje në ballë.