Ballina Bota Presidenti i Kenias tërheq ligjin e rritjes së taksave pas protestave vrasëse

Presidenti i Kenias tërheq ligjin e rritjes së taksave pas protestave vrasëse

23
0

Presidenti i Kenias, William Ruto tha sot se po tërheq ligjin e financës me rritjet e kontestuara të taksave, prej të cili protestuesit dje i vunë zjarrin parlamentit.

Në një fjalim televiziv për kombin ai tha se u bë e qartë se kenianët “nuk duan të kenë të bëjnë” me këtë ligj.

“E pranoj,” tha ai duke shtuar se nuk do të nënshkruajë ligjin për ta sjellë në fuqi.

Të paktën 22 njerëz u vranë nga policia në protestat e të martës, sipas Komisionit të të Drejtave të Njeriut në Kenia.

Ruto tha sot se do të hynte në dialog me të rinjtë, të cilët ishin në krye të protestave më të mëdha në vend që prej zgjedhjes së tij në 2022.

“Do të dëgjoj me kujdes popullin e Kenias, të cilët e thanë më zë të lartë se nuk duan të kenë të bëjnë me këtë ligj financiar, këtë e pranoj. Prandaj nuk do të nënshkruaj Ligjin Financiar 2024 që rrjedhimisht do të tërhiqet. Populli e dha mendimin e tij,” tha ai në fjalimin televiziv.

Por Ruto fillimisht kishte reaguar me neglizhencë ndaj protestave duke urdhëruar ushtrinë të ndërhynte pasi “dhuna e anarkia” nuk do të tolerohet.

Por pas miratimit të ligjit dje në parlament, protestuesit vërshuan brenda dhe vandalizuan ambjentet, duke i vënë zjarrin një sektori të ndërtesës.

Zemërimi i publikut ishte sot edhe më i madh pas vrasjes së më shumë se 20 protestuesve nga policia.

Wanjeri Nderu, i grupit ndërkombëtar të të drejtave tha për rrjetin BBC se policia po përdorte armë zjarri edhe përpara se të vandalizohej parlamenti.

Në pamje shiheshin dje turma të mëdha protestuesish në qendër të kryeqytetit, ndërsa qëndresa e policisë ishte zvogëluar që prej paradites së të martës.

Disa vrasje të protestuesve ndodhën kur ata i vunë zjarrin një pjesë të ndërtesës së parlamentit, ndersa policia tha se ‘hapi zjarr pasi turmat nuk u shpërndanë nga gazi lotsjellës’.