Ballina Ekonomia Rritja e rrogave nga 1 korriku, ja sa rriten për secilën nga...

Rritja e rrogave nga 1 korriku, ja sa rriten për secilën nga kategoritë e administratës me 135 mijë punonjës

55
0

Punonjësit e sektorit publik përftojnë një tjetër rritje page. Vendimi u miratua sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

Rritja e pagës, që hyn në fuqi nga 1 korriku, do të jetë për 135 mijë punonjës të administratës shtetërore, konkretisht punonjësit e sistemit arsimor parauniversitar, punonjësit e sistemit shëndetësor, punonjësit e sistemit të sigurisë së vendit (Policia e Shtetit, Policia e Burgjeve, Garda e Republikës, Forcat e Armatosura, Mbrojtja nga zjarri dhe shpëtimi) si edhe punonjësit e nivelit zbatues dhe mbështetës të administratës shtetërore.

Ministri i Financave, Ervin Mete, në komunikimin me mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave tha se me zbatimin e kësaj politike paga mesatare në sektorin publik synohet të arrijë në 105 mijë Lekë.

“Pagat e rritura fillojnë të aplikohen në 6 mujorin e dytë të vitit, pra duke filluar nga 1 korriku, me një kosto të përllogaritur prej afro 11 miliardë lekësh për këtë 6 mujor të dytë të vitit dhe me një kosto totale buxhetore prej afro 40 miliardë lekësh”, tha Mete.

Mete informoi se, me ndryshimet ligjore të miratuara, parashikohet të realizohet indeksimi i të gjitha pagave në administratën publike me normën e inflacionit në fuqi, indeksim që do të realizohet në vazhdimësi çdo dy vjet, duke filluar nga viti 2026.

Më poshtë është lista e sektorëve që përfitojnë nga rritja e pagave dhe sa shkon ajo:

-Për ushtarin bazë, me rritjen e sotme paga e tij shkon në 71 mijë Lekë

-Koloneli, 158 mijë e 500 Lekë

-Të gjitha këtyre pagave u shtohet një trajtim ushqimor, prej 16 mijë Lekësh

-Asistent Zjarri (grada më e ulët) 60 mijë Lekë

-Kryezjarrfikës 70 mijë Lekë

-Kryeinspektor zjarrfikës 85 mijë Lekë

-Inspektor zjarrfikës 75 mijë Lekë

-Komisar zjarrfikës 105 mijë Lekë

-Drejtues zjarrfikës 155 mijë Lekë

-Drejtues i parë zjarrfikës 140 mijë Lekë

-Drejtues i lartë zjarrfikës 160 mijë Lekë

-Paga e mësuesit në arsimin e mesëm të lartë që ka kualifikimin dhe që ka vjetërsi mbi 15 vite pune eksperiencë do shkojë 98 500 Lekë.

-Paga mesatare e mësuesit në arsimin e mesëm të ulët me mbi 15 vite vjetërsi shkon nga 75 800 në 96 000 Lekë.

-Mësuesit e ciklit fillor me mbi 15 vite eksperiencë nga 72 mijë Lekë paga shkon në 95 200 Lekë.

-Punonjësit e shërbimit psiko-social, paga mesatare shkon 910 Euro.

-Për oficerët e sigurisë 800 Euro në muaj si pagë mesatare.

-Të gjithë mjekëve të përgjithshëm u rritet paga me 20 mijë Lekë mbi pagën ekzistuese.

-Të gjithë infermierëve u rritet paga me 15 mijë Lekë mbi pagën ekzistuese.

-Përfitojnë edhe punonjësit e administratës së sistemit shëndetësor, 15 deri në 20 përqind të pagës së tyre aktuale.

-Rritja e pagave varion nga 13 deri në 27 përqind.

-Rritja shkon nga 6 mijë Lekë, deri në 33 mijë e 600 Lekë e përshkallëzuar sipas gradave.

-Aspirantët, pjesë e strukturës së Policisë së Burgjeve dhe do paguhen me 80 për qind të pagave të inspektorit./Top Channel