Ballina Dossier Shkrimi i “The New York Times”, i 28 janarit 1934 për revolucionin...

Shkrimi i “The New York Times”, i 28 janarit 1934 për revolucionin e Fan Nolit

9
0

Nga Nga Herman Bernstein

Shqipëria konsiderohet si një nga zonat më të rrezikshme në Europë. Një luftë e re mund të fillojë në këtë vend, nëse interesat politike dhe ushtarake të vendeve të tjera në Shqipëri, vazhdojnë të konfliktuojnë me njëra-tjetrën. Për shkak të pozitës së tij gjeografike, ky vend i vogël, ka një rol kryesor në Adriatik dhe është konsideruar si objekt i zënkave të kombeve të ndryshme, përgjatë shekujve. Nga pikëpamja strategjike, linja e saj bregdetare do të kishte një vlerë të pallogaritshme për Italinë në kohën e luftërave.

Për vite me radhë, Italia ka derdhur shuma të mëdha parash në Shqipëri, për të organizuar ushtrinë, për ndërtimin e rrugëve, urave dhe fortifikimeve. Madje, në Ballkan besohet se përpjekjet e Italisë për të militarizuar Shqipërinë, janë pjesë e programit të ambicieve imperialiste, të akredituar nga Musolini, për të depërtuar në Ballkan në mënyrë që të ripushtojë rrugën e famshme të Romës, Egnatia, e cila të drejton përmes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, në Selanik dhe Stamboll.

Çdo lëvizje e Italisë në Shqipëri, vëzhgohet me dyshim dhe frikë nga Franca, nga Antantët e Vegjël dhe veçanërisht nga Jugosllavia. Gjatë viteve të fundit, ndihma financiare dhe udhëzimet ushtarake për Shqipërinë nga Italia, kanë shërbyer për të rritur ndjenjën e nervozizmit në Ballkan dhe e kanë detyruar Jugosllavinë, të ndërmarrë përgatitje të ethshme ushtarake për të luftuar depërtimin e frikshëm italian, në Ballkan.

Një “gur shahu” në duart e fuqive!

Shqipëria e vogël është kthyer në këtë mënyrë në një “gur shahu” (garanci) në lojën e dy blloqeve konfliktuale të diplomacisë europiane, njëra e drejtuar nga Italia dhe tjetra nga Franca. Ajo ka përfituar deri në një farë mase nga ky konflikt interesash dhe ka patur sukses në forcimin e unitetit të saj kombëtar, fillimisht me ndihmën e Jugosllavisë dhe më pas me ndihmën e Italisë.

Cilat do të kenë qenë arsyet e fshehura të këtyre vendeve, Shqipëria ka mbrojtur me zgjuarsi dhe kurajo pavarësinë e saj, edhe pse shpesh ishte e detyruar të bënte sakrifica, lëshime dhe kompromise të panumërta në këmbim të ndihmave materiale që ajo i siguroi që nga fundi i luftës.

Nëse rrugët dhe urat e ndërtuara me ndihmën e financimeve italiane ishin apo jo pjesë e skemave ushtarake të Italisë nuk dihet, ato tashmë luajnë një rol të rëndësishëm ekonomik për Shqipërinë, duke qenë se është arritur komunikimi normal midis pjesëve të ndryshme të këtij vendi të vogël malor.

Gjatë luftës, Shqipëria ka qenë skena e shumë pushtimeve. Ushtritë greke, serbe, franceze, austriake dhe italiane luftuan me njëra-tjetrën në Shqipëri, duke e ndarë këtë vend të vogël në zona të ndryshme nën ndikimin e huaj, ndërsa njerëzit iu nënshtruan privimeve dhe mjerimit të pashprehur. Ahmet Zogu, Mbreti aktual, u internua në Vienë gjatë periudhës së luftës. Pavarësia e Shqipërisë, e shpallur në vitin 1912, u ndërpre.

Në Konferencën e Paqes në Paris, të gjitha kërkesat e saj nuk u morën fare parasysh. Delegatët e paqes të Shqipërisë, të drejtuar nga Mehmet Bej Konica, vëllai i ministrit aktual shqiptar në Shtetet e Bashkuara, i varën shpresat e tyre në duart e presidentit Uillson dhe i bënë thirrje delegacionit amerikan të Paqes, si një fuqi e ndershme, të merrte në dorë mandatin për Shqipërinë.

Jugosllavia, Greqia dhe Italia ishin të etura të siguronin “sferat e tyre të influencës”. Në vitin 1919, u arrit një marrëveshje nga Klemeko, Lloid Xhorxh dhe Niti, në mungesë të përfaqësuesve amerikanë dhe mandati i Shqipërisë, kaloi në duart e Italisë, nën Lidhjen e Kombeve, dhe duke i lënë Jugosllavisë disa krahina të Shqipërisë së Veriut. Shqiptarët protestuan kundër kësaj zgjidhjeje të imponuar, e cila i privonte ata nga pavarësia dhe i copëtonte vendin.

Presidenti Uillson e kundërshtoi fuqishëm marrëveshjen e arritur, duke qenë se ajo ishte kryer në mungesë të përfaqësuesve amerikanë dhe synonte “copëzimin e Shqipërisë, kundër protestave të tyre të vrullshme, midis tri fuqive të ndryshme”.

Pavarësia e Shqipërisë ishte e mbrojtur në momentin kur qeveria amerikane deklaroi se; “çështja e Shqipërisë nuk duhej të përfshihej në diskutimet e përbashkëta të propozuara nga Italia dhe Jugosllavia dhe Presidenti duhet të riafirmojë se ai nuk mund të aprovojë asnjë plan, i cili i cakton Jugosllavisë në rajonet veriore të Shqipërisë kompensimin territorial që asaj mund t’i jetë marrë me forcë në ndonjë vend tjetër”.

Dhe nga ana tjetër, kur u deklarua se “Italia dhe Jugosllavia ishin lejuar të vendosnin ndryshimet e tyre, nëse mundnin, nëpërmjet negociatave të veçanta, atëhere u vendos që ato nuk do të arrinin marrëveshje në kurriz të Shqipërisë”. Shqipëria u pranua si anëtare me pozita të plota në Lidhjen e Kombeve në dhjetor të vitit 1920, pas një kërkese dramatike në emër të pavarësisë së Shqipërisë, nga Robert Cecil, pa marrë parasysh protestat e bëra nga disa shtete ballkanike.

Një vit më vonë, ambasadorët e Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Japonisë, “duke ditur që dhunimi i këtyre kufijve ose i pavarësisë së Shqipërisë mund të përbënte një rrezik për sigurinë strategjike të Italisë”, arritën një marrëveshje sipas së cilës “nëse Shqipëria në ndonjë moment nuk do të arrinte të mbante integritetin e saj territorial, ajo do të ishte e lirë t’i drejtonte një kërkesë Këshillit të Lidhjes së Kombeve për të siguruar asistencë nga jashtë”, sipas së cilës “qeveritë e Mbretërisë Britanike, Francës, Italisë dhe Japonisë, mund të vendosin që, në rastin e përmendur më sipër, ato do të udhëzonin përfaqësuesit e tyre në Këshillin e Lidhjes së Kombeve, të rekomandonin që rivendosja e kufijve territorialë të Shqipërisë, duhet t’i lihej në dorëzim Italisë”.

Dhe pse tashmë Shqipëria ishte anëtare e Lidhjes së Kombeve, këto vende nuk u këshilluan me të lidhur me këtë marrëveshje. Ajo protestoi kundër saj, duke deklaruar se nuk do ta njihte vlefshmërinë e saj. Që nga ajo ditë, Italia e konsideron Marrëveshjen e Ambasadorëve, si një instrument detyrues ndërkombëtar, i cili pranon interesin e saj të veçantë në Shqipëri, por pakti shihet me dyshim dhe frikë nga vendet fqinje të Shqipërisë në Ballkan.

Në këtë mënyrë, marrëveshja ka shërbyer si shkak për mosmarrëveshje, duke e kthyer Shqipërinë në zonën e ndjeshme të cilën e shohim dhe sot. Në vitin 1920, italianët ende mbanin të pushtuar Vlorën, në pjesën jugore të Shqipërisë. Udhëheqësit e Shqipërisë, të vendosur për të çliruar vendin e tyre nga pushtimi i huaj, e detyruan ushtrinë italiane, të tërhiqej. Më pas, ata filluan të organizonin shtetin dhe të vendosnin rregullin në vend. Ahmet Zogu, ishte një nga udhëheqësit e rinj më të shquar dhe qeveria në të cilën ai ishte ministër i Brendshëm dhe më pas kryeministër, u identifikua me emrin e tij.

Në vitin 1924, regjimi i Zogut u rrëzua nga një revolucion i udhëhequr prej peshkopit shqiptar Fan Noli. Ahmet Zogu, së bashku me disa kolegë të tij, nxituan për t’u strehuar dhe për të kërkuar ndihmë në Beograd. Qeveria revolucionare e Fan Nolit zgjati nga muaji qershor, deri në dhjetor të vitit 1924, kur Zogu, i cili ishte dënuar me vdekje, u kthye fitimtar në Tiranë në krye të një ushtrie të vogël, të cilën e kishte organizuar në Jugosllavi. Një muaj pas kthimit në Shqipëri, Zogu u zgjodh President i Republikës së Shqipërisë, për disa vjet.

Qeveria e tij filloi të riorganizonte dhe moderonte vendin. Herë pas here filluan të ndodhnin rebelime pakënaqësie. Jugosllavët, të cilët e kishin ndihmuar Ahmet Zogun dhe e kishin mbështetur atë të rifitonte pushtetin, prisnin që ai të kishte një orientim të fuqishëm pro-Jugosllavisë, ose kundër Italisë. Duke kuptuar rrezikun e rëndë që kanoste vendin e tij ndjekja e një politike të tillë, Presidenti Zogu, u përpoq të ndiqte një rrugë të mesme, të ishte pro Shqipërisë. Memorie.al

*Autori i shkrimit është ish-ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri

Shkrimi është publikuar në “The New York Times”. më 28 janar 1934

 Përgatiti për botim, Albert Gjoka