Ballina Ekonomia Gjykata Kushtetuese rrëzon ligjin për tatimin për profesionet e lira: Norma 15%...

Gjykata Kushtetuese rrëzon ligjin për tatimin për profesionet e lira: Norma 15% nuk është e përshtatshme

5
0

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të rrëzojë ligjin për tatimet për profesionet e lira. Vendimi u mor sot (27 qershor) me votën e shumicës së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe u bë publike nga kryetarja Holta Zaçaj.

Në një komunikim për mediat, Zaçaj u shpreh se Gjykata Kushtetuese pranoi pjesërisht kërkesën dhe rrëzoi tatimin me 15% për profesionet e lira.

“Është rrëzuar, pranimi i pjesshëm i kërkesës do të thotë që është pranuar kërkimi dhe është shfuqizuar neni që e bënte të aplikueshëm normën e tatueshme prej 15% për profesionet e lira”, tha Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese kur u pyet nga gazetaret.

Sipas kryetares së GJK, tatimi 15% për profesionet e lira filloi të zbatohej pa i dhënë kohë të mjaftueshme të përshtateshin me skemën e re tatimore.

“Ndonëse ligji ka hyrë në fuqi më 18 maj 2023 dhe i shtrinte efektet nga data 1 janar 2024, lista analitike hyri në fuqi më 23 dhjetor 2023, pra vetëm disa ditë para fillimit të efektit të ligjit. Gjithashtu Gjykata vlerëson se norma e fitimit prej 15 % së bashku me kohën e zbatimit të saj nuk e kalon testin e proporcionalitetit, pasi nuk rezulton të jetë masa më e përshtatshme në kushtet kur ka masa të tjera alternative, të cilat vetë ligjvënësi i ka evidentuar të zbatohen për kategoritë e tjera të tatim paguesve”, tha kryetarja e GJK.

“Gjykata vendosi me shumicë votash pranimin e pjesshëm të kërkesës  dhe shfuqizimin e nenit 69 pika dh, fjalia e dytë dhe e tretë e ligjit nr 29/2023 dhe të nenit 4 të VKM 753/ 2023. Rrëzimin e kërkimeve për shfuqizimin e dispozitave të tjera të ligjit. Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore”, lexoi vendimin Zaçaj.

Gjykata Kushtetuese argumenton se kjo ishte një masë joproporcionale dhe se këto kategori do duhet të taksohen në 2029 si të gjithë bizneset e tjera të vogla.

Vendimi nga Gjykata Kushtetuese u dha pas 2 ditësh të përfundimit të shqyrtimit të çështjes.