Ballina Aktualitet Skandal pas skandali: KLSH gjeti shkeljet te Onkologjiku, por nuk i kallëzoi...

Skandal pas skandali: KLSH gjeti shkeljet te Onkologjiku, por nuk i kallëzoi kurrë në Prokurori

0
10

Detaje të reja janë zbardhur sa i përket skandalit të pak ditëve më parë në Onkologjik, ku 8 persona janë duke u hetuar nga prokuroria e Tiranës.

Në vitin 2022, KLSH kishte bërë një audit rreth situatës në Onkologjik, aty ku zbuloi një numër të madh shkeljesh, ku një prej tyre ishte edhe aparati i kobaltit, i cili që prej vitit 2021 ishte lënë jashtë çdo standardi në ambiente që rrezikonin seriozisht jetën e mjekëve dhe pacientëve.

Ndonëse auditi u bë në vitin 2022, Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk e kallëzoi këtë çështje në prokurorinë e Tiranës, për këtë arsye organi i akuzës do të marrë në pyetje inspektorët që kanë kryer auditin, për të kuptuar arsyen pse ata nuk e kallëzuan këtë rast të rëndë.

Lidhur me këtë rast skandaloz, Prokuroria u vu në dijeni përmes një emisioni investigativ, i cili e trajtoi këtë rast në fund të vitit 2023 dhe prej asaj kohe i kishte kërkuar raportin KLSH- së, raport i cili nuk u adresua kurrë në dyert e drejtësisë.

Prokuroria e Tiranës do të sekuestrojë raportin, që do shërbejë si provë materiale për hetimin, çka më vonë mund të çojë në zbardhjen e detajeve të tjera si dhe në zgjerimin e personave të implikuar në këtë skandal.

7 persona, në mesin e tyre edhe mjekë, do të dalin këtë të enjte në orën 10.00 përpara Gjykatës së Tiranës për tu njohur me masën e sigurisë. Ndërkohë, Drilona Kishta ish specialiste pranë QSUNT ndodhet jashtë territorit të Shqipërisë. (Voxnews.al)