Gjermania është skuadra e dytë që ka siguruar një biletë për në fazën çerekfinale të Euro 2024. Organizatorët fituan 2-0 kundër Danimarkës në “Iduna Park” të Dortmundit, me rebeshin dhe rrufetë që ishin ndihmë për “Panzerat”.
Në minutën e 36 ndeshja u ndërpre për 24 minuta, kjo pasi shiu i rrëmbyer i shoqëruar me shkarkesa elektrike mbi stadium bëri që arbitri anglez Michael Oliver t’i dërgonte skuadrat në dhomat e zhveshjes, për të rinisur gjithçka pas qetësimit të situatës.
Ndeshja/ Gjithçka nisi mirë për gjermanët që pas vetëm katër minutash shënuan me Schlotterbeck, por gjithçka u anulua për pozicion jashtë loje nga VAR. Pjesa e parë do mbyllej me këto shifra, ndërsa pak sekonda nga fraksioni i dytë ishte Andersen që shënoi për danezët, por VAR e anuloi golin për pozitë jashtë loje.
Duhej një prekje me dorë në zonë dhe ndërhyrja e VAR që Gjermania të merrte epërsinë në minutën e 53 me penalltinë e kthyer në gol nga Havertz. Më pas Musiala në të 68′ shënoi edhe golin e qetësisë për të besuarit e Julian Nagelsmann. Në fund iu anulua një gol edhe Wirtz te Gjermania për pozicion jashtë loje.