Instituti i Mjekësisë Ligjore bëri të ditur se në orët e hershme të 30 qershorit, një nga korridoret e daljes emergjente të tij është përfshirë nga zjarri.
Në njoftimin e IML-së u tha se zjarri u lokalizua nga stafi dhe më pas u shua nga zjarrfikësit.
“Sipas vlerësimeve preliminare, shkaku i zjarrit ka qenë defekti elektrik në njërën nga pajisjet elektrike në korridor, mirëpo mendimi përfundimtar do të jepet pas ekspertizës finale e cila do t’i dorëzohet Prokurorisë. Dëmi material është i vogël”, u tha në njoftim.
Vitin e kaluar, në IML kishin shpërthyer dy zjarre, në mars dhe në nëntor.
Në njoftimin e 30 qershorit, IML-ja tha se ndërtesa e institutit do t’i nënshtrohet rinovimit, sapo të përfundojnë procedurat e prokurimit, në fillim të muajit korrik.
Projekti për renovim, në vlerë prej 900.000 eurosh, sipas IML-së, do të përfshijë “instalimin e sistemit kundër zjarrit, zëvendësimin dhe riparimin e instalimit elektrik, ventilimin dhe klimatizimin e ri, si dhe ridizajnimin e hapësirave të punës”.
Instituti i Mjekësisë Ligjore është përgjegjës për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e sistemit mjekoligjor në vend, për të siguruar shërbime mjekoligjore, mësimdhënie dhe shërbime përkrahëse për familjet e personave të zhdukur.
Po ashtu, IML-ja ka për detyrë sigurimin e ekspertizës mjekoligjore për organet publike, udhëheqjen e hetimeve mjekësore për vdekjen në vendin e ngjarjes, kryerjen e zhvarrosjeve, kryerjen e inspektimeve pas vdekjes dhe kryerjen e autopsive./REL