Ballina Kosovë “Populli kosovar meriton lirinë”, çfarë deklaronte Kadare një vit para shpalljes së...

“Populli kosovar meriton lirinë”, çfarë deklaronte Kadare një vit para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Kosova përkujton Ismail Kadarenë

6
0

Kolosi i letrave shqiptare, Ismail Kadare është ndarë sot nga jeta në moshën 88-vjeçare, pasi pësoi arrest kardiak. Kadare 17 vite më parë më 2007 kishte dhënë një intervistë për Radion Evropa e Lirë, pikërisht një vit para shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Në këtë intervistë Kadare kishte trajtuar disa çështje kyçe lidhur me statusin e Kosovës dhe situatën në Ballkan. Ai ishte shprehur kundër ndarjes së Kosovës, duke e konsideruar atë një pazar të pa pastër që do të hapte konflikte të reja dhe të pambarueshme në Ballkan, me pasoja të rënda për popujt e rajonit dhe për Evropën.
“Kjo ndarje është një pazar jo i pastër dhe po them me përgjegjësi të plotë, kjo ndarje do të hapi radhën e një konflikti të ri të pambarueshëm në Ballkan. Do të hapi vatra sherresh, grindjesh të cilat do të kushtojnë jashtëzakonisht shtrenjtë popujve këtu dhe Evropës bashkë. Prandaj kjo nuk e zgjidhë, kjo nuk e mbyll, kjo hap një konflikt të ri të tmerrshëm”, kishte deklaruar Kadare më 2007.

Autori i shumë librave, kishte theksuar se liria e popullit të Kosovës është çështje themelore dhe nuk duhet të jetë objekt negociatash. “Populli i Kosovës ka të drejtë të përgjigjet me të gjitha opsionet. Nuk bëhet lëshim kur është fjala për lirinë e një populli. Nuk ka negocim për këtë gjë. Ky popull ka të drejtë me të gjitha mënyrat të kërkoj lirinë e vet. Ta mbrojë deri në fund lirinë e vet”, ishte shprehur Kadare. Kadare kishte kritikuar Evropën për përkëdheljen e Serbisë, duke theksuar se Serbia duhet të kërkojë falje për krimet e kryera. Ai gjithashtu kishte kritikuar Shqipërinë për qëndrimin e saj ndaj Kosovës duke theksuar se Shqipëria duhet të angazhohet më fuqimisht në mbrojtjen e çështjes së pavarësisë së Kosovës.

“Në historinë njerëzore, shkrimtarët shpesh i kanë dhënë kahun kombeve në çastet më të vështira të historisë, duke artikuluar idenë e lirisë”, shkroi të hënën presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas lajmit se u vdiq shkrimtari I njohur shqiptar, Ismail Kadare.

Ajo shkroi se Ismail Kadare “ishte gjeniu shqiptar, njeriu e shkrimtari i cili tërë jetën dhe veprën e vet ia kushtoi dashurisë ndaj tokës, gjakut e vendit të shqiptarëve, duke krijuar një trashëgimi të pakundshoqe adhurimi e lavdie ndaj vendit e kombit të vet”.

Presidentja Osmani vuri theksin te siç tha, lartësimi që i bëri Ismail Kadare gjuhës, kulturës e letërsisë shqipe.

“Populli i Kosovës, sikur i gjithë populli shqiptar, sot është në zi. Ai humbi kolosin e dijetarin më të njohur shqiptar, humbi mbështetësin e pandalshëm të së drejtës së popullit shqiptar në Kosovë për të jetuar i lirë e i mosvarmë e promovuesin e pandalshëm të kësaj të drejte gjithandej botës. Humbi shkrimtarin e papërsëritshëm, të cilit si Presidente kisha nderin t’ia dorëzoja shtetësinë e Kosovës kohë më parë, sikurse edhe Urdhrin “Hasan Prishtina”, shkroi mes tjerash presidentja Osmani.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti tha se “ne humbëm shkrimtarin më të madh të të gjitha kohërave, bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë”.

Në një postim në rrjetet sociale ai tha se porsa hymë në gjysmën e dytë të vitit 2024, Kadare mbylli sytë përgjithmonë. “Por sytë tanë kanë parë e do të shohin shumë më mirë për shkak të imagjinatës dhe dijes së Ismail Kadaresë. Kur ai mbyllte sytë në të gjallë të tij dhe mendohej për malet e Shqipërisë dhe greminat e historisë, teksa qëndiste mijëra faqe me shqipe të bukur si qiell, ne kolektivisht shikonim më qartë e dukeshim më mirë, mendonim më thellë e mësonim më shumë. Arti dhe kultura jonë i kanë borxh të pamatshëm oqeanit të mendjes së tij. Anija e romaneve të Kadaresë do të lundrojë pafundësisht, për aq sa bota do të ketë lexues dhe shqipja shqiptarë”, shkroi kryeministri Kurti.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, shkroi se “sot bota shqiptare u zgjua në zi. U nda nga jeta Ismail Kadare, shkrimtari i përmasave ndërkombëtare, ai i cili për shumë dekada i dha letërsisë shqipe dhe asaj botërore kryevepra, që do mbesin gjithmonë referenca për kulturën dhe letërsinë, si vlera universale që kapërcejnë kufijtë nacional”.

Kolosi Ismail Kadare, thuhet në një postim në rrjetet sociale, përmes veprave të tij, i ka dhënë nder e dinjitet të përbotshëm artit, kulturës dhe gjuhës shqipe.

“Kadare do të mbetet ikonë e letërsisë, mjeshtër i papërsëritshëm, një intelektual i shquar, një patriot i përkushtuar dhe një zë i fuqishëm që përfaqësonte denjësisht Shqipërinë në botë. Nga sot Shqipëria dhe bota e letërsisë humbën një personalitet të madh, i cili u shua vetëm fizikisht por vepra e tij është e përjetshme; siç dhe emri e kontributi i tij në kulturën dhe letërsinë botërore do të mbetet i përjetshëm”, thuhet mes tjerash në postimin e zotit Abdixhiku.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se “sot nuk ka emër më të madh ndër shqiptarë, se sa emri Ismail Kadare. Jo vetëm se ai mbetet emblema e letërsisë, e krijimtarisë dhe e krenarisë shqiptare, por sepse ishte shqiptari më i famshëm në Glob”.

Duke theksuar se Ismail Kadare e lartësoi Kombin, Shqipërinë dhe që letërsinë e një kombi të vogël e futi në analet e letërsisë së përbotshme. Zoti Haradinaj shkroi se “ne sot e kemi humbur gjeneralin e letrave shqipe, e kemi humbur ambasadorin e krijimtarisë shqiptare në Botë, e kemi humbur Ismail Kadarenë, emri i të cilit i ngërthen në vete krejt vlerat më të larta që mund t’i ketë njeriu”!