Ballina Kulturë I fituari jetës

I fituari jetës

4
0

Nga Nurie Emrullai

Me fat është ai njeri që gjen qëllimin e kësaj jete dhe si detyrë e merr mbi vete e bart dhe e zvarrit si gur Sizifi gjatë gjithë jetës së tij, pavarësisht ngjitjve të vështira, pengesave e përbaltjeve, ia del pikërisht atëherë kur puna e tij është mbi të madje ia kalon edhe atij vetë.

Kadareja punoi gjithë kohës pa egocentrizëm për çështje të shumë dimensioneve, të shumë shtresave, të historisë sonë e mbi të gjitha i qëndisi qartë dhe me mjeshtërinë e fjalës në letërsinë e tij. Ai letërsinë e ktheu në mision.
Me seriozitet të madh ai lëvroi tema aspak të lehta, delikate për popullin tonë dhe mëtoi që deri në fund të jetë besnik i fjalës së tij.
Kadare i fali letërsisë historinë dhe historinë ia fali popullit të tij, e popullin ia fali gjithë botës, me ato të mirat e të këqijat që mund të na karakterizojnë si individë e si kolektiv.
Kadareja qe lëvruesi i një mendimi të dytë e të tretë, proza e tij (që disa mund të thonë e rëndë), gjithnjë ka një humor të hollë brenda vetes që të lë të lirë të jeshë bashkëvrojtues me autorin, madje dhe të dalësh kundër tij.
Pra, vetëm nxitja të dërgon deri te e vërteta.
Kadareja neve si lexues gjithnjë na shtyn për të njohur, a për të kërkuar të vërtetën, të drejtën dhe arsyen, ai si rrallëkush na bëri botën letrare më të bukur, na dha dimensione të pafundme nga temat më bazike deri te ato më të ndërlikuarat, gjithnjë pa dashur të impenjohet, por duke na nxitur mendimin.
Sa e njohim Kadarenë është ajo se sa e lexojmë ne Kadarenë, tjerat i mbeten kohës.

Unë mendoj se nuk u shua periudha e Kadaresë, përkundrazi ajo do të vazhdojë të jetë e pranishme, e gjallë, e frytshme gjithmonë për ata që duan të njohin letërsinë e mirëfilltë.

Qofsh udhërrëfyes i përjetshëm ndër breza ashtu siç ke qenë gjithmonë!