Ballina Europë Orban vizitë të papritur në Kiev, e para që nga fillimi i...

Orban vizitë të papritur në Kiev, e para që nga fillimi i luftës

37
0

Kryeministri hungarez Viktor Orban mbërriti në Kiev të martën për bisedime me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskiy për të diskutuar çështjet aktuale të marrëdhënieve hungarezo-ukrainaze. Kjo u bë e ditur nga shefi i shtypit i Orban.

Vizita e Orban, një kritik i hapur i ndihmës ushtarake perëndimore për Ukrainën, vjen një ditë pasi Hungaria mori presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian.

“Tema më e rëndësishme e bisedimeve është shansi për të krijuar paqe,” tha shefi i shtypit i Orban, Bertalan Havasi për Reuters, duke shtuar se të dy liderët do të diskutojnë gjithashtu marrëdhëniet dypalëshe hungarezo-ukrainase.

Orban, aleati më i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin në mesin e liderëve të BE-së, ka kundërshtuar shpesh iniciativat e BE-së për të mbështetur Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër agresionit të Moskës që nga pushtimi i shkurtit 2022.

Vitin e kaluar, Orban i tha Putinit se Hungaria nuk kishte dashur kurrë të kundërshtonte Rusinë. Në fillim të vitit 2024, liderëve të BE-së iu deshën javë të tëra për të thyer veton e kryeministrit hungarez për të dhënë 50 miliardë euro ndihmë të re për Ukrainën.

Një nga burimet e gazetës britanike “Guardian” nga Budapesti tha se planet e udhëtimit të Orbanit u finalizuan pas negociatave të gjata mbi çështjen e të drejtave për pakicën ukrainase hungareze-folëse, e cila jeton në perëndim të largët, afër kufirit midis dy vendeve.

“Parakushti për takimin ishte që çështja e të drejtave të kombësisë të zgjidhej. Një marrëveshje u arrit në javët e fundit. Ata do të mund ta shpallin atë si një sukses” shpjegoi burimi hungarez për Guardian.