Ballina Ekonomia Eliminohen një sërë tarifash për bizneset, ndryshojnë rregullat për shërbimet në QKB

Eliminohen një sërë tarifash për bizneset, ndryshojnë rregullat për shërbimet në QKB

0
4

Bizneset do të kryejnë të gjitha shërbimet e nevojshme që marrin nga Qendrën Kombëtare të Biznesit, online Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në “Për regjistrimin e biznesit” i hedhur për konsultim publik synon të mundësojë shërbime vetëm online nëpërmjet portalit e-albania, duke shkurtuar kohë, procedura si dhe radhët e pritjes për qytetarët.

Gjithashtu, me anë të këtij projektligji bëhen edhe disa ndryshime të tjera për sa i përket personave që lejohen të bëjnë aplikimin për regjistrimin fillestar të personave juridikë, formën e paraqitjes së dokumentave në aplikim, emërtimin e shoqërive tregtare, mënyrën e njoftimit të subjekteve për miratimin, pezullimin dhe refuzimin e aplikimeve. Referuar dokumentit, konkretisht parashikohet që mënyra e ofrimit të shërbimeve për regjistrimin e biznesit dhe çdo ndryshimi tjetër, do të ushtrohet si funksion kryesor nga QKB nëpërmjet sportelit elektronik në platformën e-albania.

Ndryshimet sjellin edhe eliminimin e një sërë tarifash për aplikim që paguheshin deri më tani nga biznesi, siç është tarifa për kryerjen e aplikimit për rezervimin e emrit si dhe është rregulluar mënyra e lëshimit të certifikatës për këtë qëllim. Po ashtu është hequr edhe tarifa për transferimin e emrit tek palët e treta, si dhe hiqet pagesa për kryerjen e aplikimit për korrigjimin e gabimeve.

Po ashtu, projektligji rregullon mënyrën e lëshimit të certifikatës së regjistrimit, e cila i shkon subjektit elektronikisht, njëkohësisht njoftimi i arsyes së refuzimit të aplikimit, i shkon subjektit në rrugë elektronike. Është sanksionuar fakti se certifikata e regjistrimit fillestar lëshohet vetëm një herë ne momentin e miratimit te aplikimit, dhe i shkon subjektit në rrugë elektronike. Është rregulluar fakti se ekstraktet lëshohen vetëm në format elektronik dhe pa pagesë nëpërmjet sportelit elektronik si dhe ka ndryshuar emërtimi i shoqërive të bashkimit reciprok në përputhje me ligjin për shoqëritë e bashkëpunimit reciprok.