Ballina Aktualitet U desh “ndërhyrja” e helikopterit Cougar/ U rrezikuan 30 banesa, shuhet zjarri...

U desh “ndërhyrja” e helikopterit Cougar/ U rrezikuan 30 banesa, shuhet zjarri në Dhërmi

6
0

Zjarri i cili nisi rreth orëve të pasdites në zonën e fshatit Dhërmi është vënë nën kontroll nga zjarrfikësit. Kjo edhe falë ndërhyrjes që u bë me helikopter.

Ndërkohë që zonën poshtë Qafës së Llogorasë e në vendin ku hidhen parashutistët vijon të jetë në flakë, ndërsa ndihmohet edhe nga era që fryn nga pjesa jugore.

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi përmes rrjeteve sociale ka ndarë pamjet e mjetit ajror, i cili ka ndërhyrë për shkak të terrenit të vështirë në zonën e prekur.

Situata me flakët sipas ministrit ka qenë disi problematike për ndërhyrjen me mjete, por trupat janë duke punuar për të vënë në kontroll të plotë zjarrin.

“Helikopteri Cougar dhe efektivë të FA kanë shkuar në ndihmë të forcave që po përpiqen të shuajnë zjarrin e rënë këtë pasdite në Dhërmi. Për shkak të terrenit të vështirë, situata ka qenë disi problematike për ndërhyrjen me mjete, por trupat janë duke punuar për të vënë në kontroll të plotë flakët.

U bëjmë thirrje të gjitha strukturave vendore të ndërhyjnë menjëherë kur vënë re vatra zjarri për të mos lejuar që ato të përhapen në terren më të gjerë. FA, Agjencia e Mbrojtjes Civile dhe Ministria e Mbrojtjes janë në gatishmëri të plotë në çdo rast, kur kërkohet ndihma e tyre”, shkroi ai në Facebook.

Vetë policia ka reaguar duke thënë se shkak i zjarrit është bërë një shkëndijë elektrike në një prej shtyllave të tensionit të lartë.

“Sot, në lagjen “Kondraq”, Dhërmi, dyshohet se për shkak të një shkëndije elektrike si pasojë e linjës së tensionit të lartë në këtë lagje, ka rënë zjarr dhe po digjet një sipërfaqe me bimësi të ndryshme dhe shkurre.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë, të cilët kanë vendosur perimetrin e sigurisë për të shmangur çdo rrezik të mundshëm.

Shërbimet zjarrfikëse, me ndihmën e helikopterit të FA, vijojnë punën për shuarjen e zjarrit në bashkëpunim me punonjës të OSHEE-së dhe efektivë të Policisë Himarë.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit”, tha policia.