Ballina Opinion Përse nuk jemi si të tjerët?!

Përse nuk jemi si të tjerët?!

4
0

Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj

 Meditim i fajtorit të pafaj…

Ndërsa ecja ngadalë, në mendje kisha ecejake idesh që t’i imponon mosha, malli, kureshtja për të renë, për ndryshimin kohor që ta kërkon syri pas një periudhe të gjatë larg vendlindjes…Duke përshkuar bulevardin, shikoja me mall qytetin tim dhe më dhimbsej, sepse kërkoja me sy dhe nuk gjeja asnjë gjurmë të kohës së shkuar. Atëherë nisa të meditoj:“Historia e një vendi ruhet përmes artefakteve të çdo kohe, duke nisur që nga neoliti e deri në ditët tona, ku përballë të rejave të kohës qëndron  e vjetra si dëshmi identiteti… Po ne pse nuk jemi si të tjerët?”- pyeta veten sepse mohimi i së shkuarës, më theri në shpirt.

 Krahas ndryshimeve të qytetit, m’u fashit jeta e familjes sime të re që nga fillimi…

Kemi plot një muaj që ndodhemi në shtëpinë tonë, në shtëpinë, ku u rrit, u madhua dhe u forcua dashuria e ne të dyve. Brenda atyre mureve, në një mjedis jo luksoz, por modest, joshës dhe tejet praktik që na krijoi mundësinë e një harmonie familjare të dëshiruar nga cilido individ apo çift. Në atë hapësirë të thjeshtë, po të këndshme që e ndërtuam me mund e djersë, aty lidhëm besën dhe fatin tonë. Matanë asaj porte, u dëgjuan të qarat e para foshnjarake të atyre dy engjëjve që na dhanë emrin e nderuar“prindër”. Në atë hapësirë ne dëgjuam tingujt, rrokjet dhe fjalët e para të belbëzuara nga pasardhësit tanë që trashëgojnë gjenet tona. Aty, në atë shtëpi të vogël, por bujare dhe të ngrohtë, hodhi hapat e parë vazhdimësia e jetës. Natyrisht çdo njeri e ëndërron atë strehën e dashurisë, folenë e ëndrrave apo strofkën e tij, ta ketë të ngrohtë, të qetë dhe të lumtur. Pa dyshim që atë strehë e kërkon sa më të rehatshëm.Veçse në atë mjedis të vogël,  modest por tejet të dashur, u vulos e ardhmja e familje sonë. Ndërkohë dëshiron që të mos e vrasësh mendjen dhe të mos pyesësh se ç’ndodh rreth teje, vetëm duke qenë moskokëçarës.

      Por jeta s’është vetmitare, është e lidhur dhe në vartësi me gjithçka që na rrethon, me natyrën, me sendet, me ekonominë si dhe me rrethanat humane.

       Dikur mendonim se nuk do të bënim dot pa fëmijët as një minutë. Por ja që kohët ndryshojnë…Fëmijët rriten, arsimohen, madhohen, formohen si individualitete dhe vetëzgjedhin ecurinë e jetës së tyre. Kur ata kanë arritur moshën e pjekurisë dhe dinë të ecin në rrugën e zgjedhur prej kushteve jetësore, gjë që shërben si tregues, i cili kërkon të na bindë ne, si prindër, se ata kanë hyrë me vullnet dhe dëshira, pra janë futur seriozisht në jetë. Në këtë rast jeta ka kuptimin e dhënies së vlerave individuale dhe profesionale. Vetëm kur nis e vë në zbatim ëndrrat apo planet e thurura, atëherë nis jeta e vërtetë për cilindo. Deri në atë çast, i riu apo e reja kanë jetuar në parazitizëm. Me këtë unë nënkuptoj se për derisa fëmija im arrin të marrë vendime dhe pasi shoh se ç’rrugë ka nisur e do të ndjekë për t’i zgjidhur të papriturat e jetës, ende pres prej tij…Veçse dua të di sesi e në ç’mënyrë apo formë do ta përshkojë im bir apo ime bijë këtë rrugë të gjatë, të panjohur e të vështirë, me emrin “jetë”, e cila kërkon mund për të arritur synimin. Ajo që më mundon është zgjidhja, se si do t’i zbatojë kërkesat që janë përherë e në rritje dhe në përputhje me normat apo zhvillimet e kohës, sidomos të vendit ku aplikon idetë apo njohuritë e tij shkencore, kulturore apo sociale. E vetmja gjë që më shqetëson, është se deri në çfarë mase ata do të përshtaten me bashkëkohoren. Porse të qenit të pavarur nga tutela jonë prindërore, më bind se jeta e tyre ka nisur me mbrothësi.

    Pikërisht këtu, qysh te familja, fillon ndryshimi mes të resë dhe të vjetrës së pakthyeshme jo vetëm për individin, apo familjen, por edhe për vendlindjen.

         Eh, sa larg fëmijëve tanë jemi në kohë, në hapësirë, në ndërgjegje, në botëkuptim dhe në realitet! Megjithatë së bashku me fëmijët dhe me kohën madhohemi edhe ne. Të shpërgjumur nga letargjia e detyruar me injeksione stimuluese të një sistemi politiko-shoqëror tejet absurd, ndjekim rrjedhat e kohës. Ndryshe nga koha e rinisë, edhe pse me hap të ngadaltë si vet mosha, përsëri ecim hap pas hapi duke ndjekur rrugët e nisura nga fëmijët tanë. Mallkuar qoftë koha me sistemin që na detyroi verbërinë në ditën plot me diell dhe si një absurditet na injektoi varfërinë përballë kamjes, pasurive mbi e nëntoksore!”

    Me të drejtë pyes:

      -Pse dhe ne nuk jemi si të tjerët?

      Përse ka kaq shumë anarshi në vendin tim? Përse nuk gjej në qytetin tim atë lulëzim që ma do shpirti? Ç’kanë vendet e tjera më shumë nga ne që vrapojnë me galop për të arritur majat? Vendi im i ka të gjitha kriteret dhe mundësitë që të eci në rrugën e zhvillimit si shtetet e tjerë. Është vend i bukur si në ëndërr, ka klimë të butë dhe si askund tjetër ka gjelbërim të përhershëm. Te ne në një kilometër katror gjen klimë e bimësi mesdhetare, por edhe të tipit kontinental, detar apo oqeanik. Me një klimë të tillë tejet të favorshme, vendi im i ka të gjitha mundësitë e zhvillimit ekonomik në çdo stinë. Ka pasuri përrallore nëntokësore e mbitokësore, po përse është kaq i varfër? Gjatë gjithë vitit mund të shfrytëzohet çdo pëllëmbë toke për turizëm të tipeve të ndryshme, por tek ne mjerisht ky afarizëm fitimprurës ende është një ekonomi e shvlerësuar dhe e pashfrytëzuar. Ose më saktë e keqmenaxhuar. Ka pasuri të shumta hidroenergjie, por për fat të keq, ot në shekullin XXI, ne shpesh ngelemi pa ujë dhe pa energji elektrike. Çdo pëllëmb toke është një thesar kulturor e historik. Shqipëria është tejet e pasur me kështjella dhe qytete antikë me vlera të rralla arkeologjike, po është për të ardhur keq dhe për të vënë duart në kokë, kur sheh se nga ato nxirren pak, shumë pak, vetëm disa qindarka për lëmoshë. Ka një terren të alternuar, ku nga fusha ngjitesh në kodrinë. Sapo kapërcen një qafë, para syve lartësohen male të thepisura, të mbuluar nga mjegulla dhe në majat e tyre gjen borë të përjetshme. Ku gjen tjetër një vend tek i cili kokën e ke mes bardhësisë së dëborës, trupin në freskinë e hijes së pishës së zezë dhe këmbët të zhytura në kaltërsinë ujërave detare, si në vendin tim? Atëherë kur do të themi se, edhe ne jemi si të tjerët ?”
Ndërtimi i By-pass-it, në Vlorë është një mrekulli, që të ofron një pamje mahnitëse, por duke kaluar nëpërmjet tij dhe në tunelin e hapur që lidh këtë zonë me Palasën, janë lënë në mëshirën e fatit qyteti i Vlorës, Radhima, Tragjasi, Dukati,Oriku dhe Llogara. Kur flitet se ka bum të turistëve në vend, në këto qendra me bukuri mahnitëse që u bëjnë karshillëk dy deteve, gadishullit Karaburun dhe ishullit Sazan, tek- tuk mund të vijë ndonjë turist i nisur enkas për në këto qendra turistike që ofrojnë disa resurse për vizitorët. Kjo ndodh se të gjithë turistët, vendas apo të huaj kalojnë përmes By-pass-it dhe tunelit, në krahinën e Himarës, Sarandës dhe Gjirokastrës. Madje kjo rrugë i shërben edhe turizmit në Greqi, pasi Korfuzi është shumë afër Sarandës.Madje do ta quaja aneks të Sarandës apo Konispolit, sepse Korkyra, si dhe Çamëria janë tokat e gjenezës së anitkitet pellazgo-ilir. Në këtë mënyrë anashkalohet dhe përjashtohet gjithë bregdeti i Vlorës me anekset e saj si një zonë e persekutuar.

       “Eh, kjo është fatkeqësi,sepse  në botë, tok me të arsyeshmit, bashkëjetojnë edhe ata që duken sikur vijnë nga një botë imagjinare. Ndoshta u mungojnë ndjesitë për ta prekur natyrshëm realitetin. O Zot, përse u dhe shqisat këtyre të shushaturve a humbamenëve që nuk janë në gjendje të përceptojnë botën që i rrethon dhe të mësojnë se ç’ndodh në të. Të mos njohësh dhe analizosh realitetin e kohës, është mëkat, madje mediokritet. ” nëpërmenda nxitimthi, por pas në bisede me dikë, iu përgjigja ndëgjegjes sime:

Është e pabesueshme që të ketë arritur në këto kufij idiotësie dhe injorimi të vetevetes“mjerimi intelektual!” Por ja që ky fakt është një tregues që vlen si përgjigje e pyetjeve të mia. E si mund të bëhet vendi im si bota, kur sundon mediokriteti i lëbyrtë që mbjell varfëri mendore, intelektuale dhe sjellë verbëri ndaj realitetit të pamohueshëm?! 

      Dihet që korrupsioni lindi bashkë me diferencimin klasor qysh kur njerëzit dolën nga shpellat. Gjithashtu shohim se politikanët e gjithë rruzullit tokësor janë të korruptuar, por ama kanë sjellë ndryshime saijore dhe cilësore në çdo fushë të jetës, duke i transformuar e shndërruar vendet e tyre në shtete të zhvilluara. Po ne çfarë kërkojmë, kur vetëm ajrin kemi si pronën tonë, se gjithçka tjetër mbi sipërfaqe të tokës është shpërbërë dhe po shkon drejt shkombëtarizimit.Mjerë ne që mburremi për së thati me autoktoninë, me gjuhën e lashtë dhe me folklorin e pasur si asnjë komb tjetër, por edhe ato na i kanë vjedhur ardhacakët në Gadishullin Ilirik duke i regjistruar në UNESKO si pronë të lashtësisë së tyre autoktone, një lashtësi farse e vjedhur, apo e sajuar. Për fat të keq, koha do të gërthasë e do të ulërijë me të madhe:

“Ku jeni o shqiptarë,

Pse nuk jemi si të tjerët vallë?

Pse humbët genet me fis e me farë?

Kur t’u ketë ikur harresëçmenduria,

të kthjellët, me dhembje do thoni:

Na ishte njëherë Shqipëria! Vivra