Ballina Kulturë “Preokupimi i tij nuk mund të jetë e reja dhe e pabotuara,...

“Preokupimi i tij nuk mund të jetë e reja dhe e pabotuara, por e botuara dhe e palexuara”

156
0

Nga Ardian Vehbiu

Pashë diku një preokupim, me gjasë të sinqertë, për ndonjë dorëshkrim që mund të ketë mbetur nga i ndjeri Kadare; dhe që tani u dashka vendosur si të trajtohet. Trashëgimi të tilla u vlejnë fort filologëve, biografëve dhe aq më shumë botuesve, që veç përfitojnë ekonomikisht duke u shitur naivëve dhe koleksionistëve materiale “të reja” shkrimtarësh përndryshe të suksesshëm. Sa për lexuesin, duke pasur parasysh raftin me dhjetëra e dhjetëra vepra të Kadaresë në librari, preokupimi i tij nuk mund të jetë e reja dhe e pabotuara, por e botuara dhe E PALEXUARA; ndonjëherë edhe e lexuara dhe e harruara. Institucioneve kulturore dhe letrare në Shqipëri u bie barra që ta mirëmbajnë këtë trashëgimi aktuale dhe të gjejnë mënyra që të joshin atje lexuesin e ri; gjithë pa jetërsuar lexuesin ekzistues: vallë a do të dështojnë edhe këtë herë, siç e kanë zakon? Për shkrimtarë që kanë pasur kohën e duhur dhe fatin e mirë që të kujdesen për veprën e tyre në rrjedhë të viteve, përvoja tregon se dorëshkrimet e pabotuara nuk janë zakonisht në nivelin e veprës së botuar – tek e fundit, prandaj edhe kanë mbetur të pabotuara. Kadareja dhe lexuesi i tij nuk kanë nevojë për “vepra të reja”, por – në rastin më të skajshëm – për lexime të reja të teksteve klasike ekzistuese. Nëse kultura i shërben mirë kësaj trashëgimie dhe nuk harxhon kohë dhe fonde me gjepura dhe çikërrima, edhe institucionet botuese nuk do kenë arsye të obsesionohen me “zbulime” letrare.