Ballina Aktualitet Autori i vrasjes së Mariglen Gjonajt u dënua me burgim të përjetshëm,...

Autori i vrasjes së Mariglen Gjonajt u dënua me burgim të përjetshëm, avokati i familjes së viktimës: Të zgjerohen hetimet, janë të përfshirë…

17
0

Gjykata e Lezhës ka dënuar me burgim të përjetshëm 32-vjeçarin Kristjan Cenaj.

I riu u gjet fajtor për vrasjen dhe groposjen e 16-vjeçarit Mariglen Gjonaj në Mamurras. Vendimi u dha sot nga trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtar Aldi Kareco, e ndërsa kjo masë  dënim ishte kërkuar nga prokurori i çështjes Françesk Ganaj.

Avokati i familjarëve të viktimës Eduart Mullaraj u shpreh i kënaqur me vendimin, po kërkon zgjerim të hetimeve, pasi në këtë krim janë të përfshirë dhe persona të tjerë.

“Jemi të kënaqur me vendimin e marrë nga trupi gjykues. Do vazhdoj të këmbëngul për zbardhjen e kësaj të vërtete duke dalë dhe të tjerë që kanë qenë pjesë e këtij grupi për ekzekutimin e Mariglen Gjonajt. Ne po vazhdojmë edhe me hetime të tjera për të zbardhur të gjithë të vërtetën e këtij krimi”, tha avokati.

Eshtrat e Mariglen Gjonajt u gjetën rreth dy vite më parë të groposura në Mamurras e disa kohë më vonë u bë i mundur dhe arrestimi i Kristjan Cenjat.

Më 18 maj të vitit 2015, dyshohet se Cenaj ka vrarë të miturin 16-vjeçar Mariglen Gjonaj, për përfitim pasuror, konkretisht vjedhjen e disa sendeve me vlerë, si orë dore e markës ‘Rolex’ dhe varëse prej floriri, që i mituri i ka patur me vete ditën e ngjarjes kur është zhdukur.