Ballina Ekonomia Frenohet rritja e çmimeve në Shqipëri, inflacioni zbret në 2.1% në qershor

Frenohet rritja e çmimeve në Shqipëri, inflacioni zbret në 2.1% në qershor

47
0

Në qershor, çmimet ishin rreth 2% më të shtrenjta në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë.

INSTAT, beri të ditur se ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Qershor 2024 është 2,1 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 4,5%.

Që prej shkurtit të këtij viti, inflacioni ka rënë poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3% dhe shumë larg nivelit prej 8.3% që arriti në tetor 2022. Banka e Shqipërisë, në mbledhjen e një jave më parë vendosi të zbusë politikën monetare për herë të parë që nga fillimi i vitit 2022.

Banka e Shqipërisë ka si objektiv ruajtjen e inflacionin dhe këtë e realizon përmes normës bazë. Kur inflacioni është në tendencë për lart banka rrit normën e interesit dhe anasjelltas. Në mbledhjen e fundit BSH uli normën bazë me 0.25 pikë përqindje për herë të parë që nga marsi 2022.

Banka tha se rënia e inflacionit në tremujorin e dytë ishte relativisht e shpejtë, e diktuar nga rritja e ofertës së artikujve ushqimorë në tregjet rajonale dhe në tregun vendas. Efektet e kësaj goditjeje në inflacion priten të jenë të pranishme edhe gjatë pjesës së mbetur të vitit.

Tendenca e çmimeve diktohet nga ushqimet

Sipas INSTAT, Rritja vjetore e çmimeve në muajin Qershor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +0,72 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,42 pikë përqindje.

Gjithashtu, çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” ndikuan me +0,27 pikë përqindje, çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,16 pikë përqindje, çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,12 pikë përqindje, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me +0,11 pikë përqindje, çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” me +0,10 pikë përqindje, çmimet e grupit “Shëndeti” me +0,07 pikë përqindje, çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” me +0,06 pikë përqindje, çmimet e grupit “Transporti” me 0,05 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me +0,04 pikë përqindje.

Krahasuar me muajin Qershor 2023, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 3,7%, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,3%, “Veshje dhe këpucë” me 3,2%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, “Hotele, kafene dhe restorante” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 2,2% secili, “Shërbimi arsimor” me 2,1%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,0%, “Argëtim dhe kulturë” me 1,9%, “Shëndeti” me 1,7%, “Transporti” me 0,9% dhe “Komunikimi” me 0,1%.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “qumësht, djathë dhe vezë” patën një rritje me 3,4%, pasuar nga nëngrupet “peshk” me 3,3%, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 2,9%, “zarzavate përfshirë patatet” me 2,6%, “mish” me 2,5%, etj.