Dega e Partisë Demokratike në Himarë duket se është injoruar nga vendimmarrja për përzgjedhjen e kandidatit të opozitës për zgjedhjet që do të zhvillohen në këtë bashki më datë 4 gusht 2024.
Afrovita Dhimojani, kryetarja e degës së PD në Himarë, në një reagim në rrjetet sociale, deklaron sesi drejtuese e Partisë Demokratike në Himarë, u informua si të gjithë qytetarët nga mediat për këtë vendimmarrje politike.
Ajo thekson se dega e PD në Himarë as që është informuar dhe as konsultuar sa i përket kandidaturës, por se është vendosur përpara faktit publik. Kështu, sipas saj, nuk është e drejtë që lufta dhe angazhimi i PD Dega Himarë prej më shumë se një viti intensiv, të shpërfillet pa u konsideruar, duke luajtur me Himarën dhe fatin e saj.
“Të dashur Himariot dhe Himariote!
Ditën e sotme u zyrtarizua kandidatura e Koalicionit BF, z.Petro Gjikuria për zgjedhjet e pjesshme të 4 Gushtit.
Si drejtuese e PD Himarë, u informova si te gjithë qytetarët nga mediat për këtë vendimmarrje politike.
Ndjej detyrimin dhe angazhimin për të sjell në vëmendje se ne si degë, nuk jemi informuar e as konsultuar përsa i përket kandidaturës, por jemi vendosur para faktit publik.
Nuk është e drejtë që lufta dhe angazhimi i PD Dega Himarë prej më shumë se nje viti intesiv, të shpërfillet pa u konsideruar, duke luajtur me Himarën dhe fatin e saj.
Konsesusi politik për të diskutuar me bazën kandidaturat potenciale është e vetmja rrugë për të vendosur në vend padrejtësinë e votës Himariote, që u mohua më Datën 14 Maj!
Duke mos e njohur, nuk dua të paragjykoj kandidaturën e zyrtarizuar si një alternativë për më të mirën e Himarës, jemi besimplotë për fitoren e Datës 4 Gusht.
Himara meriton vërtetësi!”, shkruan Afrovita Dhimojani, kryetare e Partisë Demokratike Dega Himarë.