Ballina Ekonomia Udhëtim në kohë: kosto e tuneleve në Kroaci dhe Llogara

Udhëtim në kohë: kosto e tuneleve në Kroaci dhe Llogara

0
18

Nga Fatos Çoçoli

Tuneli Sveti Rok në Kroaci, si në foton sipër, është një tunel shumë i ngjashëm me tunelin tonë të Llogarasë. Ai është i gjatë 5.7 km, ndërkohë që Tuneli i Llogarasë është 5.9 km i gjatë. Që të dy tunelet kanë nga dy tuba, pra dy kalime.

Pavarësisht se tubi i dytë në tunelin kroat është dukshëm më i vogël, tunelet janë shumë të ngjashëm. Ndërkohë, një vit më vonë, në Kroaci u ndërtua edhe një tunel tjetër i gjatë, gati binjak për nga të dhënat, me Sveti Rok. Quhet tuneli “Mala Kapela” (Kapelja e Vogël). Ky tunel është 5.8 km i gjatë.

Të dyja tunelet, sipas burimeve qeveritare kroate i kanë kushtuar buxhetit të Shtetit të Kroacisë 2.3 miliardë kuna kroate ose 137 milionë euro.

Pse tunelet kroate dhe Tuneli i Llogarasë janë të ngjashëm:
–  Mala Kapela (2002-2004)              5.8 km
–  Cveti Rok (2001-2003)                     5.7 km
–  Tuneli i Llogarasë (2021-2024)     5.9 km
·   Të tre tunelet kanë nga dy tuba, pra dy kalime
NDRYSHIMI: LLOGARA ËSHTË NDËRTUAR DY DEKADA MË VONË!!!

Në pamje të parë, kemi dy tunele kroate, shumë të ngjashme me tonin, me Tunelin e Llogarasë, që i kanë kushtuar qeverisë kroate shumë më pak se vetë Tuneli i Llogarasë! Në dukje, shqetësimi i opozitës sonë i ngjan një shqetësimi të drejtë. Por e vërteta qëndron krejt ndryshe.

Sa shumë ndryshojnë Sveti Rok dhe Mala Kapela me Llogaranë!

Tuneli i Llogarasë na ka kushtuar deri tani 185 mln euro dhe ndërtimi i tij i plotë, me tubin ndihmës që do të ketë të gjitha funksionet dhe karakteristikat e tubit parësor, mund të na shkojë edhe 207 milionë euro.

Edhe pse, për nga rëndësia dhe përfitimet, ky tunel justifikon çdo euro të shpenzuar për të, le të përqëndrohemi në krahasimin e kostove me dy tunelet shumë të ngjashëm, gati binjakë me të, në Kroaci.

Sikur të dyja tunelet kroate të ndërtoheshin në periudhën 2021-2024 kur u ndërtua tuneli ynë, ata do të kushtonin seicili edhe më shumë se sa Tuneli i Llogarasë! Po pse? Për një fakt kokëfortë dhe shumë të thjeshtë.

Kosto mesatare e ndërtimit të rrugëve dhe tuneleve në Evropë dhe kudo në botë, në dy dekadat e fundit, është rritur me 2.4 herë. Janë rritur shumë kosto e betonit, e hekurit, e gërmimit, e transportit dhe kështu me rradhë. Pra, kostot kryesore të punimeve nëpër rrugë dhe tunele. Pa folur për një nga kostot e tjera kryesore, që është kosto e fuqisë punëtore, rrogat.

Pse kosto e ndërtimit është rritur me 2.4 herë në 20 vitet e fundit në botë?
·         Çimento                               + 174%
·         Hekur                                    + 310%
·         Pagat                                    + 284%
·         Transporti                           + 187%
·         Punime gërmimi               + 190%

Nëse Tuneli i Llogarasë do të ishte ndërtuar në vitin 2004, në kohën kur u ndërtuan dy binjakët e tij kroatë, nëse e sjellim me nivelin e kostove të vitit 2004, ai do të kishte kushtuar vetëm 86 milionë euro! Pra, nëse ndërmarrim një udhëtim në kohë. Po ashtu, nëse ndërmarrim udhëtimin e kundërt po në kohë, i sjellim dy tunelet kroate dhe me kostot e tanishme i ndërtojmë ata sot, atëhere ata që të dy do t’i kishin kushtuar Buxhetit të shtetit kroat 422 milionë euro!

Kosto e tuneleve të ngjashëm
                                                            Vitet 2002-2004                                               Vitet 2022-2024
–  Mala Kapela(Kroaci)                        89.3 mln euro                                                    214.3 mln euro
–  Cveti Rok (Kroaci)                           86.7 mln euro                                                  208.0 mln euro
–  Tuneli i Llogarasë                            86.2 mln euro                                                   207.0 mln euro
– Në qershor 2024, Tuneli i Llogarasë i kushtoi buxhetit tonë të Shtetit 185 mln euro dhe në plotësim të tij në 2025, mund të shkojë 207 mln euro

Rëndësia e tunelit tonë më të gjatë

Prandaj, edhe nëse SPAK do të shikojë me kujdes librat e shpenzimeve të Tunelit të Llogarasë(dhe shumë mirë do të bëjë po t’i shikojë, sipas denoncimeve të opozitës), bazuar në kostot e manualeve ndërkombëtare dhe vendase të Ndërtimit të viteve të fundit, nuk do të gjejë shumë ngjashmëri me kostot e njëzet viteve më parë në Kroaci.

Kësisoj, ia vlen të shikojmë me këndvështrimin e duhur një nga veprat infrastrukturore më të rëndësishme tonat. Tuneli i Llogarasë lidh Vlorën, kryeqendrën e Jugut të Shqipërisë, me Rivierën Shqiptare, e cila përfaqëson një perlë të natyrës, me bukuri të pashoqe dhe plazhe të shumtë e të virgjër përgjatë bregdetit.

Tuneli shmang kalimin në Qafën e Llogarasë, 1027 metra mbi nivelin e detit, duke eliminuar kështu rreth 600 metra lartësi, si dhe kalimet e ngushta, me shumë kthesa dhe tejet të pjerrëta të rrugës së Qafës së Llogarasë.

Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë na ndihmon jo vetëm ta shijojmë më mirë dhe plotë Rivierën tonë, por na jep miliona euro kursim çdo vit në mos harxhim karburanti dhe në mos amortizim makine, si dhe në kohë të fituar.