Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat paraprake të regjistrimit të popullsisë dhe sipas këtyre të dhënave, Kosova ka 1.586.659 banorë rezidentë.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të ASK-së, Avni Kastrati, tha se të dhënat përfundimtare të regjistrimit të popullsisë planifikohet të publikohen në fund të vitit.
Regjistrimi i popullsisë u krye në të gjitha komunat e Kosovës nga 5 prilli deri më 24 maj.
Kastrati tha se në këto të dhënat nuk përfshihet numri i pjesëtarëve të diasporës, pasi procesi i regjistrimit të tyre ende po vazhdon. Aktualisht, sipas tij, në diasporë janë regjistruar rreth 600.000.
Sa i përket regjistrimit të komunitetit serb, ASK, tha se procesi u bojkotua në masë të madhe në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Ndërkaq, serbët që jetojnë në jug të Lumit Ibër kanë marrë pjesë në procesin e regjistrimit.
Të dhënat paraprake të regjistrimit tregojnë se mosha mesatare në Kosovë është rritur. Më 2011, mosha mesatare në vend llogaritej të jetë rreth 30 vjeç, ndërkaq tani është 34.32./REL