Ballina Rajoni Gjuriq edhe në Departamentin e Shtetit me fraza të njëjta: Kosova po...

Gjuriq edhe në Departamentin e Shtetit me fraza të njëjta: Kosova po e minon dialogun

22
0

Ministri i jashtëm serb, Marko Gjuriq, është pritur nga nënsekretarin për çështje politike në Departamentin e Shtetit, John Bass, të cilit i ka theksuar “rëndësinë” e dinamikës së mirë të takimeve ndërmjet zyrtarëve serbë dhe amerikanë dhe dialogut të hapur të nivelit të lartë.

Siç pretendohet në kumtesën e MPJ serbe, Gjuriq gjatë takimit me Bass është ankuar se “Kosova po e minon dialogun”.

“Kur bëhet fjalë për Kosovën si një çështje me rëndësi më të madhe kombëtare, ministri Gjuriq shprehu keqardhjen e tij që pala prishtinase vazhdon të minojë dialogun dhe çdo përpjekje të Beogradit për të gjetur një zgjidhje kompromisi”, ka kumtuar kjo ministri.

Lidhur me këtë, shefi i diplomacisë serbe ka pretenduar se Beogradi “do të mbetet partner konstruktiv në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, por edhe se nga ana tjetër nevojitet një prani më aktive e bashkësisë ndërkombëtare, në mënyrë që institucionet e Prishtinës më në fund të përmbushin zotimet e marra më shumë se një dekadë më parë”.

Mirëpo, si zakonisht, kjo ministri nuk tregon se çfarë ka thënë zoti Bass në lidhje me këtë propagandë të Gjuriqit.