Ballina Europë Bristol: U gjetën eshtra të njeriut në dy valixhe, policia arreston një...

Bristol: U gjetën eshtra të njeriut në dy valixhe, policia arreston një të dyshuar

22
0

Një 24-vjeçar është arrestuar pasi eshtra të njeriut u gjetën në dy valixhe në Bristol dhe një banesë në Londrën perëndimore.

Pas zbulimit të pjesëve të trupit, policia tani nuk po kërkon askënd tjetër në lidhje me incidentin.

Burri u ndalua nga policia e armatosur në stacionin Temple Meads të Bristol në orët e para të së shtunës dhe u mor në paraburgim.

Ai do të dërgohet në Londër për t’u marrë në pyetje më vonë të shtunën, raporton Sky News.

Hetuesit besojnë se mbetjet e gjetura në një adresë në Shepherd’s Bush janë të lidhura me ato të gjetura në dy valixhe të hedhura pranë urës së varur Clifton të mërkurën.

Zëvendës Ndihmës Komisioneri Andy Valentine tha: “Ky është një zhvillim i rëndësishëm në hetimin tonë dhe unë do të doja të falënderoja publikun për mbështetjen e tyre”.

“Ne i kuptojmë shqetësimet e komuniteteve lokale si në Bristol ashtu edhe në Londër dhe oficerët do të qëndrojnë në zonat Clifton dhe Shepherd’s Bush gjatë ditëve në vijim për të siguruar të prekurit nga ky incident tragjik”.

“Kushdo që ka ndonjë shqetësim inkurajohet të flasë me ta”.

Mendohet se ka dy viktima meshkuj, megjithëse identifikimi zyrtar ende nuk është bërë, sipas Scotland Yard.

Një 36-vjeçar i arrestuar në lidhje me hetimin në Greenwich të premten u lirua pa asnjë akuzë.