Ballina Sport Më të mirët e Anglisë, Kejn e Foden: Na pret një ndeshje...

Më të mirët e Anglisë, Kejn e Foden: Na pret një ndeshje historike me Spanjën

84
0

Anglia ka besim se mund ta mundë Spanjën. Fil Foden foli për ndeshjen e fituar me Holandën në gjysmëfinale e padyshim edhe për takimin e madh të së dielës me Spanjën duke u shprehur;

“Në ndeshjen me Holandën i ngjaja më shumë lojtarit që shohim te Siti. E rëndësishme ishte fitorja e skuadrës por e ndjen se ajo kundër Holandës ishte fitorja ime më e mirë me fanellën e Anglisë. Jam i lumtur. Finalja me Spanjën do të thotë gjithçka, do të jetë ndeshja më e rëndësishme e karrierës për mua.

Me zor pres ta luaj. Besojmë te aftësitë tona, e dimë që Spanja është një skuadër fantastike për mënyrën se si e zotëron topin, por ne i dimë pikat tona të forta. Kjo ndeshje mund të na ndryshojë jetën”, nënvizoi ai.

Në të njëjtën linjë është dhe Herri Kejn, kapiteni i Anglisë që shënoi nga pika e bardhë në gjysmëfinalen me Holandën, e cila u vendos në fund nga goli i Uatkins.

“Ishte një ndeshje me një fund të jashtëzakonshëm. Kishte disa lojtarë të lodhur por e meritonim ta fitonim ndeshjen me një fund të tillë. Finalja me Spanjën? Do të jetë jashtëzakonisht e vështirë, një ndeshje me të vërtetë shumë e forta, por në të njëjtën kohë do të jetë një tjetër ndeshje për të bërë historinë”, deklaroi Kejn.

Nuk është çudi që momentet më dinamike të Anglisë në Euro 2024 kanë ardhur pas ndryshimeve sulmuese nga stoli.

Cilësitë e pabesueshme të pankinës janë një favor i madh për Southgate, që, nëse i përdor sërish siç duhet, mund të hyjë në histori ndaj Spanjës. Ivan Toney, Ollie Uatkins, Cole Palmer, Eberechi Eze nuk janë thjesht lojtarë që vijnë nga kampionati anglez pas një kontributi cilësor në vitin e shkuar, më së shumti janë lojtarë që i japin zgjedhje të ndryshme taktike gjatë ndeshjes trajnerit Southgate.

Si Ivan Toney që është një aset në lojën me shpinë nga mbrojtje dhe goditjet gjakftohta të penalltive, Uatkins me shpejtësinë dhe penetrimin pas shpinës së mbrojtësve kundërshtar, Palmer për vertikalitetin e tij dhe dinamikën e shpejtë që i jep sulmit, Eze për progresin e topit në metrat e fundit të fushës dhe fitimin e dueleve një për një me mbrojtësit kundërshtarë.

Karakteri dhe mentaliteti anglez ka treguar edhe një fytyrë tjetër të kësaj kombëtareje, ndryshe nga vitet e tjera kur gjërat nuk shkonin në favorin e tyre dhe nuk ekzistonte një Plan B. Aftësia për të reaguar nga situatat më të komplikuara është një cilësi e skuadrave fituese, por përballë Spanjës të dielën, anglezët do të synojnë vërtet që ta kalojnë me sukses pengesën e fundit dhe të thyejnë mallkimin e trofeve që nga viti i largët 1966.