Ballina Politika PD do futet në “listën e zezë” të amerikanëve, Ngjela zbulon informacionet...

PD do futet në “listën e zezë” të amerikanëve, Ngjela zbulon informacionet nga ndërkombëtarët

21
0

Avokati i njohur, Spartak Ngjela ka komentuar zhvillimet e fundit politike. Në një reagim për gazetën “SOT”, avokati tha se protesta e opozitës para Kryeministrisë dështoi pasi udhëhiqej nga një “non grata” dhe nga një personazh që është kundër Shqipërisë. “Çfarë force do të marrë Berisha, ato nuk kane vota e jo më fuqi. E çfarë se mori vulën. Partinë Demokratike e ka shkatërruar vetë Sali Berisha se është ‘non-grata’ në Amerikë. Berisha është kundër Shqipërisë, ku, si çfarë, do ta shikojmë e do kohë e mos u mërzisni”, u shpreh Ngjela.

Nga ana tjetër, ai tha se ish-kryeministri demokrat nuk ka vota pasi ky fakt është evidentuar edhe nga sondazhet e ndërkombëtarëve dhe në këtë mënyrë nuk mund ta marrë pushtetin. Gjithashtu avokati ka treguar edhe manovrën e Sali Berishës për të shpëtuar nga zbardhja e të gjitha aferave në dosjen “non-grata” të SHBA. Ngjela tha se nëse Berisha hapte gjyq me amerikanët, ata do t’i hapnin dosjen.

“Sali Berisha nuk ka vota. Ai është ‘non grata’ në SHBA, pse nuk bëri gjyq? Nuk bëri sepse i hapnin dosjet. Pushteti nuk merret me protesta, merret me votë. Partia Demokratike sipas sondazheve që kanë bërë ndërkombëtarët del 16%-17%. Çfarë do të fitojë me 17%, ai e shkatërroi PD-në”, u shpreh Ngjela. Po ashtu nga ana tjetër, Ngjela paralajmëroi dhe shpalljen e PD “non grata”. Ai përmend paralajmërimin e Blinken, i cili ka thënë se nëse Sali Berisha vendoset në krye të Partisë Demokratike, do të shpallet “non grata”. “Nuk mund të kesh parti opozitare e të drejtosh një parti në Shqipëri kur ndërkohë je ‘non-grata’ në Amerikë. Blinken ka thënë po mori PD, partia do të dalë ‘non-grata’”, shprehet Ngjela.

Mesazhi amerikan

Kujtojmë se pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila i dha vulën e Partisë Demokratike të Sali Berishës, amerikanët i dhanë një “shuplakë” të fortë ish-kryeministrit dhe gjithë atyre që i shkojnë pas “non-gratës” se duhet ta mendojnë edhe një herë hapin që po hedhin dhe të kenë kujdes marrëdhëniet me të sanksionuarit nga SHBA, ku në këtë rast përfshihet edhe Argita Malltezi. “Pozicioni ynë në lidhje me individët e shpallur non-grata mbetet i pandryshuar: ne nuk angazhohemi me persona të shpallur sipas autoritetit të sanksioneve të SHBA dhe të gjithë duhet të shqyrtojnë me kujdes se si punojnë me individë të shpallur nga SHBA”, deklaron Ambasada.

Ky reagim “bombastik” paralajmëron PD se nëse mbështesin Sali Berishën dhe Argita Malltezin do të përballen me sanksione. PD e gjitha “non-grata” Por nënteksti i reagimi të ambasadës amerikane ishte i qartë si për Sali Berishën edhe për grupimin e tij: Mjaft luajtët me dy porta, ose me ne ose me atë që ne e kemi shpallur simbol të korrupsionit dhe minimit të demokracisë shqiptare! Qëndrimi për Berishën u përforcua, pasi fati i tij i zi është vulosur me kohë në SHBA.

Ky nuk është i vetmi paralajmërim për PD që tashmë përfundoi sërish në duart e Berishës pas vendimit të Apelit. Më 20 maj të 2024, zëvendës ndihmës sekretarit amerikan Gabriel Eskobar, tha se shpreson që në krye të PD-së mos vihet dikush që u kujton kohët e këqija. Gjithashtu, në 10 nëntor 2021, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, paralajmëroi ndërprerjen e raporteve të SHBA-ve me PD nëse Sali Berisha rikthehet në krye të partisë. Mesazhi i Kim nënkupton se rikthimi i Berishës do ta bënte të gjithë PD-në “non-grata” për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ambasadorja theksoi se kjo ishte një politikë që ndjek SHBA në mbarë botën.

“Nuk ka për të ndodhur. Nuk do të angazhohemi me askënd që është shpallur nga Sekretari i Shtetit. Kjo është një politikë për mbarë botën dhe nuk ka fare të bëjë me individët, por politika e përgjithshme është që nuk mund të imagjinojmë një skenar ku unë apo ndonjë nga pasardhësit e mi të pretendojmë se çdo gjë shkon mirë dhe të shkojmë për kafe me dikë që është shpallur nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor. Nuk ka për të ndodhur”, deklaroi asokohe Kim.

“Izolimi” i Berishës

Gjithashtu dhe i dërguari special i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, ishte mjaft i prerë dhe i qartë në 10 janar 2021, kur theksoi se PD-ja do të ketë pasoja nëse zgjedh në krye të saj një perona të shpallur “non-grata”.

“Ku janë prokurorët, hetuesit dhe autoritetet në vendin tuaj? Ne e bëjmë sipas ligjeve tona, por dhe ju keni disa në vendin tuaj. Nëse doni ta dini, hetoni. Nuk takohemi me të, do të ketë pasojë nëse PD zgjedh dikë të shpallur ‘non grata”, tha Escobar. Qëndrimi konfirmon se paralajmërimet për pasojat që do të ketë PD nëse Berisha rikthehet në krye të saj, janë qëndrime të qeverisë amerikane dhe jo një pozicion personal i Yuri Kim, siç pretendon Berisha.

Mesazhi i Escobar u përforcua 5 ditë më pas nga ambasadorja Yuri Kim. “Nëse do të ndodhte kjo, do të kishte pasoja. Pra, nuk ju themi për kë të votoni, por mendojmë se duhet të merrni vendime të informuara. Në këtë kuptim, kemi bërë shumë të qartë që nëse Partia Demokratike apo cilado parti drejtohet nga dikush, përfaqësohet nga dikush që është përcaktuar nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor, atëherë nuk mund të presësh një marrëdhënie normale. Kaq bëmë, ofruam informacion”, tha Kim.