240 mijë euro kushtoi studimi i Akademisë së Shkencave gjatë periudhës së pandemisë Covid-19 për imunizimin e popullatës. Mirëpo më shumë se gjysma e kësaj vlere, rreth 148 mijë euro nuk u justifikuan nga Akademia e Shkencave sipas raportit auditues të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Sipas këtij studimi ASH-ja doli në konkluzionin që ishte imunizuar 6-7% e popullatës, mirëpo sipas KLSH-së ky proces studimor u krye në mungesë të një korrespondence me institucionet përgjegjëse.
“Nga auditimi u konstatua mungesë e gjurmës së mbajtjes së një korrespondence me institucionet përgjegjëse (Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Instituti Shëndetit Publik apo institucione të tjera të cilat u morën me menaxhimin e pandemisë) për të koordinuar punën apo dhënë orientime/sugjerime për vijimësinë mbi bazën e studimit”,-thuhet në raportin e KLSH-së.
Ndër të tjera në raport theksohet se mungojnë të dhënat për përzgjedhjen e personave të kontraktuar me kohë të pjesshme për efekt studimi edhe pse ka një vlerë të posaçme financiare për ta.
“Në kushtet e mungesës së dokumentacionit justifikues bazë dhe të domosdoshëm të kryerjes së pagesës nga Akademia e Shkencave drejt stafit mjekësor të përfshirë në projekt, vlera prej 3,099,760 lekë, përbën dëm ekonomik”-thekson raporti.
Përdorim jo efektiv të fondeve të buxhetit të shtetit janë venë re edhe në projektin “ArkeoBylis”, për gërmime të agorasë së Bylisit, me një kosto prej 28 mijë eurosh.
Sipas KLSh-së nuk ka informacion për personat që ishin pjesë e studimit, qoftë si numër por edhe si individë për të verifikuar kryerjen e pagesës.
Ndërsa, sipas KLSH-së nuk ka asnjë studim të publikuar nga ky projekt.
“Në raportin e dërguar në ASH për veprimtarinë e projektit “Arkeobylis 2023” nuk rezulton që ky raport të përmbajë ekstremitete të regjistrimit (vetëm nënshkrimi i drejtorit ekzekutiv pa numër protokolli, datë). – Nuk ka asnjë rezultat final të dokumentuar nga ky projekt, apo gjurmë e publikimit të rezultateve të studimit”.
Mos kthim parash në arkë dhe bileta avioni për kontribuesit e jashtëm
Sipas KLSH-së, Akademia e Shkencave ka dhënë mijëra euro paradhënie për punonjësit e dërguar me shërbim jashtë vendit pa urdhrin e nëpunësit autorizues.
“Mandat pagesa nr. 17 – 18, datë 10.05.2022 janë dhënë parapagim ndaj E.P dhe Sh.S në vlerat 1697 euro dhe 280 euro, për pjesëmarrje në aktivitete jashtë vendit, për këtë veprim nuk ka autorizim nga nëpunësi autorizues“.
Sipas KLSH-së nuk ka asnjë dokument shoqërues që të shpjegojë aktivitetin që është kryer. Ndërsa, edhe pse vetë Akademia zhvillon procedura prokurimi për blerje biletash avioni, akademikëve të ftuar në aktivitete të saj, ju janë rimbursuar biletat e avionit.
“Janë kryer rimbursime biletash avioni për akademikë të ftuar, kur vetë Akademia zhvillon procedura prokurimi për blerje biletash (1565 euro dhe 525 usd), vlerë e cila përbën shpenzim jo efektiv të buxhetit të shtetit, pasi nuk janë përdorur fondet me ekonomicitet”,-thotë KLSH-ja.
Ndërkohë, parregullsi të tjera janë venë re edhe me mungesën e dokumentacioneve justifikuese për pagesat e kryera.
Pagesa e koordinatorëve të projekteve është kryer pa relacion shoqërues; kryerja e pagesave për akomodim në hotel është bërë pa specifikuar personat e akomoduar, ndaj rezultojnë 22 mijë euro të pajustifikuara.
“Akademia e Shkencave të vlerësojë dhe analizojë vlerën 2,301,892 lekë e cila rezulton e paargumentuar, ku të përcaktohen shkaqet, arsyet, përgjegjësitë ligjore dhe financiare. Të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për arkëtimin e vlerës nga personat përfitues”.
Mungesë dokumentacioni
Kontrolli i Lartë i Shtetit shprehet se gjatë auditimit nuk është vendosur asnjë dokumentacion për përgatitjen e projekt-buxhetit vjetor, detyrë kjo funksionale e Kryesisë.
“Për vitin 2021, nuk rezulton asnjë dokument i mbledhjeve të kryera nga GMS, ku pjesë e saj janë edhe anëtarët e Kryesisë, për përgatitjen e projekt-buxhetit vjetor. Për periudhën 2022-2023, u konstatua se në përfundim të takimeve të kryera nuk janë mbajtur protokollet e mbledhjeve për vendimet respektive të çdo mbledhjeje, të cilat duhet të ishin regjistruar nga sekretari dhe të vendoseshin në dispozicion të drejtimit të njësisë publike”.
Mos mbajtja e procesverbaleve të mbledhjeve është një shqetësim i shpeshtë i KLSh-së për Akademinë.
Situatë kjo e ndodhur edhe gjatë mbledhjes për ndryshimet në Statutin e këtij institucioni.
“Gjatë auditimit është konstatuar se për mbledhjen e kryer në 09.07.2021 nuk ka një procesverbal të mbledhjes, kjo në kundërshtim me nenin 16 të Ligjit nr. 8480, datë 27.05.1999, duke pasur në vëmendje rëndësinë e mbledhjes për ndryshimet e ardhura të Statutit të institucionit”.
Mungesa e relacionit arsyetues vihet re edhe në kalimin pranë Akademisë së Shkencave të Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA).
“Gjatë auditimit është konstatuar se nuk ka një relacion arsyetues nga Kryesia, mbi riorganizimin e këtyre instituteve, duke pasur në vëmendje se marrja e një vendimi qarkullues, formulohet dhe propozohet nga kryesia dhe më pas u përcillet anëtarëve për konfirmim. Po ashtu nuk ka dokumentacion shoqërues që konfirmon shprehjen e dakordësisë së anëtarëve në rrugë elektronike në kundërshtim me nenin 27, pika 2 e Statutit”./Citizens