Presidenti Bajram Begaj ka reaguar lidhur me atentatin ndaj ish-Presidentit Donald Trump, i cili mbeti i plagosur në veshin e djathtë, pas të shtënave me armë.
Presidenti Begaj dënoi ashpër “këtë sulm dhe çdo formë të dhunës politike që nuk ka vend në demokraci”.
“Mësova me keqardhje lajmin e tentativës për vrasjen e Presidentit Donald Trump. I uroj shërim të shpejtë Presidentit Trump dhe ngushëllime të sinqerta për humbjen e jetës së një personi të pafajshëm. E dënojmë ashpër këtë sulm dhe çdo formë të dhunës politike që nuk ka vend në demokraci”, u shpreh Presidenti i Republikës në llogarinë e tij në rrjetin X.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi si tragjedi për Botën demokratike atentatin ndaj ish-Presidentit, Donald Trump.
“Është shqetësuese të jesh dëshmitar se si një kandidat për President të Shteteve të Bashkuara të qëllohet duke folur në një tubim dhe të dëgjosh se një pjesëmarrës ka vdekur me disa të tjerë të plagosur.
Kjo është një tragjedi për botën demokratike.
Mendimet e mia janë me ish-presidentin Trump dhe familjen e tij. Ne të gjithë shpresojmë se kjo ngjarje e tmerrshme do të bashkojë Amerikën dhe të gjithë njerëzit e botës demokratike kundër të gjitha formave të dhunës”, shprehet Rama në reagimin e tij.
Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka dënuar sulmin me armë ndaj ish-presidentit të SHBA-ve Donald Trump. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Meta thotë se bashkohet lutjeve për familjet që humbën të dashurit dhe për shërimin sa më të shpejtë të Presidentit Trump.
“Dënoj me ashpërsinë më të madhe sulmin me armë ndaj Presidentit Trump, i cili për fat të mirë i shpëtoi atentatit në Pensilvani, që fatkeqësisht shkaktoi dhe viktima të pafajshme.
U bashkohem lutjeve për familjet që humbën të dashurit dhe për shërimin sa më të shpejtë të Presidentit Trump, i cili mori një plumb për shkak të ideve dhe vizionit të tij për të bërë Amerikën sërish të Madhe.
Solidaritetin e plotë me Presidentin Trump, të cilit i uroj sa më parë të rikthehet edhe më i fortë në betejën e tij të pandalshme për mbrojtjen e vlerave të SHBA dhe kombit mik amerikan!