Ballina Dossier Shkrimtari i njohur: Beqir Ballukut, i pëlqenin këngët popullore. Im atë e...

Shkrimtari i njohur: Beqir Ballukut, i pëlqenin këngët popullore. Im atë e shoqëronte me violinë

21
0

Nga Fatos Kongoli

Kanë kaluar gati pesëdhjetë vjet. Ende pa u shuar tërbimi në letërsi dhe arte, në skenë zuri të luhej një “dramë” tjetër. Autor dhe regjisor, ishte i njëjti person, Enver Hoxha. Thuhet shpesh se ai ka qenë paranojak, për këtë arsye, gjatë jetës së tij, nga fillimi deri në fund, përveç “armiqve të klasës”, vrau e preu njëri pas tjetrit, të gjithë miqtë dhe bashkëpunëtorët e vet më të ngushtë. Ndoshta mund të ketë qenë paranojak, por kjo do të ishte rrethanë lehtësuese. Ai ka qenë thjesht një kriminel, gjakftohtë e metodik, nga më mizorët. Nuk e mbaj mend nga kush e kam dëgjuar së pari theqafjen e Beqir Ballukut, në formën e një thashethemi nën zë.

Ndodhesha në Elbasan dhe, natën vonë, me shpresë që ta gjeja tim atë në shtëpi, kam vajtur e jam lidhur në telefon me shtëpinë, nga posta e qytetit. Pyetjen time; “Si jeni”? ai e zbërtheu drejt; “Mos u bëj merak, – më tha, – ne jemi mirë, bisedojmë kur të vish”. Kjo më dha të kuptoja, se diçka kishte ndodhur. Deri të shtunën e radhës, kur zakonisht kthehesha në shtëpi, mësova një të vërtetë të përafërt: prej disa ditësh, ministri i Mbrojtjes nuk dilte në zyrë, rrinte i mbyllur, e kjo nuk ishte gjë tjetër, veçse një arrest shtëpie.

Këtë ma konfirmoi edhe im atë, me t`u kthyer në Tiranë. Ai nuk dinte hollësira. Për të më treguar se ndihej i qetë, më ftoi të shkonim të pinim birrë, në lulishten e Shtëpisë së Oficerëve, që edhe atëherë ndodhej aty ku ndodhet sot. Nuk e kuptova, përse më ftoi të shkonim pikërisht atje. Ishte faza kur flitej ende nën zë, derisa qarkulloi një ngjarje, disi surrealiste. Në një nga netët e arrestit shtëpiak, Balluku qenkej ndier keq, paskej kërkuar ndihmë në klinikën e “udhëheqjes” dhe këta, në dijeni të punëve, nuk i ishin përgjigjur.

I sëmuri qenkej detyruar të telefononte në urgjencën e qytetit e këta, nga ana e tyre, të habitur, në mosdijeni të punëve, i paskëshin dërguar menjëherë katër mjekë. Qarkulloi edhe një variant sikur, pas refuzimit të klinikës së udhëheqjes, Balluku i qenkej drejtuar Enver Hodhës dhe ndihma qe bërë e mundur, me ndërhyrjen e këtij të fundit, çka mund edhe të besohet, xhelati nuk kishte mbaruar punë me viktimën, i duhej gjallë, derisa të mbërrinte çasti për t`i prerë kokën.

Tragjedia e tim eti, u “konsumua” në këtë dekor. Me fjalën “tragjedi”, nuk kam parasysh përjashtimin nga partia. Tragjedia e tij e vërtetë, ka qenë zhgënjimi. Një zhgënjim i hidhur, i pangushëllueshëm. Në ditët e braktisjes nga të gjithë, i vetmi njeri me të cilin bisedonte ndonjëherë, kam qenë unë. Në një nga ato biseda, të rralla ç`është e vërteta, ai nuk donte ta jepte veten para meje, i rrëzuar përfundimisht, m`u ankua. Dhe u orvat të bënte një apologji të vetes.

Thelbi i kësaj apologjie, ka qenë ky: ai ishte ndier kurdoherë i ndryshëm nga pjesa dërrmuese e komunistëve shqiptarë, veçanërisht nga ata që ndodheshin në krye. Ndryshonte nga pjesa dërrmuese sepse, duke mos qenë proletar, as fshatar i varfër, ai kishte marrë anën e revolucionit, – kështu u shpreh, – jo i nisur nga motivi marksist, “proletari s`ka ç`humbet, veç prangave”. “Unë, – më shpjegoi, – nuk kam pasur kurrë pranga, nuk kam vuajtur për bukën e gojës”.

Ndërsa ndihej i ndryshëm nga ata që drejtonin, sepse në zgjedhjen e tij, nuk ishte nisur nga synime karrieriste, për pushtet. Ai kishte qenë idealist, i prirur ndaj ideve revolucionare, që në kohën kur studionte në Itali, midis dy rrymave të fuqishme të epokës, komunizmit të Antonio Gramshit dhe fashizmit të Duçes, me një përbuzje alergjike, ndaj këtij të fundit. Ai nuk ishte bërë komunist nga X-i ose Y-ni, që ndodheshin në krye, aq më pak kishte rrokur armët, për X-in ose Y- in, këto “merita”, nuk ia njihte askujt.

Argumenti përmbyllës: ai kishte rrezikuar shumë, pa fituar asgjë. Në fund, duke humbur gjithçka. “Isha pedagog në ‘Normalen’ e Elbasanit, – shpjegoi, – me rrogë të lartë, dhe kurrë nuk e pata më. Sapo isha martuar me nënën tënde, nga një familje, në mos më e pasura, ndër më të pasurat e qytetit, pasuri që shkoi për dreq. Dola në mal, bashkë me njëqind ‘normalistë’, kur nëna jote ishte shtatzënë, dhe kur dola, nuk e dija se do të kthehesha, dhe fati deshi që të kthehesha, jo shëndoshë e mirë, siç thuhet, por i sëmurë, tuberkuloz, pas një takimi me vdekjen, që s`deshi të më merrte atëherë”.

Zhgënjimi i tim eti, nisi nga lehtësia dhe cinizmi me të cilin ia punuan dhe e flakën si limon i shtrydhur. U vulos, dora-dorës, kur më në fund iu hapën sytë dhe kuptoi të vërtetën shpartalluese: gjithë jetën kishte rendur pas një ideali të gënjeshtërt. Ndërtesa e tij iluzive “revolucionare”, qe shembur. Iu desh një farë kohe, që të vinte me këmbë në tokë, nuk i shkonte as nëpër mend, se mund ta flaknin. Këtë vetëbesim e shfaqi, madje me një lloj arrogance, që në mbledhjen e parë të celulës së “sektit”, – më neveritin në këtë çast fjalët në mbledhjen e organizatës bazë, – ku një koleg në Institutin e Folklorit, apo një i deleguar nga “lart”, i paskej kërkuar shpjegime rreth miqësisë së tij, me Beqir Ballukun.

Im atë, siç më tregoi, kishte reaguar me fjalët: “Po e prisja këtë pyetje, siç pret gjahtari daljen e lepurit në shteg. Ka qenë një miqësi imja, me një mik të vjetër, me një anëtar të Byrosë Politike, dhe le të dalë këtu ndonjëri të më thotë, se nuk do ta dëshironte një miqësi të tillë, e unë do t`i hidhja një pështymë në surrat”! I ndjeri baba, ka qenë njeri kurajoz, nuk e njihte frikën, njëherazi dhe shumë naiv. Kur unë, pa e fshehur shqetësimin, – tashmë bëja pjesë në të njëjtin “sekt”, – i thashë se një përgjigje e tillë, nuk kishte qenë as e nevojshme, as e përshtatshme, ai më kundërshtoi, më quajti frikacak.

Ndoshta, por në rrethanën e dhënë, fjala “guxim”, tingëllonte absurde. Menjëherë pas atij reagimi, situata qe ndezur dhe i qe dashur të përballej me një pyetje më të drejtpërdrejtë: a kishte pasur midis tyre biseda politike dhe cilat kishin qenë? Kjo pyetje e ndoqi dhe e torturoi tim atë, deri në fund. Vuajti shumë, sidomos kur u bind se punët nuk paraqiteshin aq të thjeshta, sa i kujtonte. Dhe bëri çmos të shmangte përjashtimin. Në këtë kuadër, hyn edhe një letër në formë autokritike, që i drejtoi Enver Hoxhës, kundër dëshirës së tij, me këmbënguljen e të tjerëve, ndër ta edhe unë.

Ai nuk donte t’i drejtohej. “Më njeh, – thoshte, – s’kam ç’t’i shkruaj”! Por, më në fund, u dorëzua. Tani më vjen keq. Ajo letër, në vend që ta ndihmonte, e dëmtoi, veçanërisht në dinjitetin e tij. Me të gjithë ata që dënonte, ose u priste kokat, diktatori luante një lojë të poshtër. I detyronte në mënyra të ndryshme, të “zbërtheheshin”, t`i “hapeshin” partisë dhe mjeranët, siç del nga “materiale” të ndryshme të kohës, që janë bërë publike, binin lehtësisht në grackë.

Duke shpresuar më kot, se do të shpëtonin ç`mund të shpëtonin, ata i drejtoheshin “Zeusit” të tyre, me letra autokritike ku shfaqnin pendesë, devotshmëri, merrnin përsipër faje imagjinare, vetëm e vetëm, që ta preknin sado pak atë përbindësh. E përbindëshi, nuk prekej, përkundrazi, u sulej edhe më me tërbim, duke shfrytëzuar pikërisht “autokritikat” e fatkeqëve, të hartuara në çaste krizash të rënda shpirtërore. Në një gjendje të tillë krize, e hartoi edhe im atë, letrën e tij të “autokritikës”.

Udhëtova posaçërisht nga Elbasani në Tiranë, jo më pak i pështjelluar, me një ndryshim. Im atë vuante nga zhgënjimi, nga shembja e të gjitha iluzioneve. Pështjellimi im, ishte i thjeshtë, material, buronte nga frika e pasojave. U ul të formulonte “autokritikën”, por e kishte humbur deri në atë pikë, sa nuk po mundej të hidhte, asnjë rresht. Dyllë i verdhë, më tha: “S`jam në gjendje të shkruaj, shkruaje ti, ose e lemë”! Sigurisht, nuk e kuptonte përse duhej ta ulte veten, përse të bënte “autokritikë”, të shfaqte “pendesë”!

Ramë dakord ta ndërtonim letrën, mbi pranimin e tre “gabimeve”. Së pari; “mungesën e vigjilencës revolucionare, ndaj tradhtarit Beqir Balluku”, akuzë të cilën ia kishin përsëritur shpesh, në analizat e bëra. Së dyti; reflektimin disi me vonesë ndaj “veprimtarisë së rrezikshme armiqësore të Beqir Ballukut”, e me këtë, shpjegohej ndonjë reagim i ngutur i tij i fillimit, ndaj pyetjeve të kolegëve, për të dhënë shpjegime rreth miqësisë me tradhtarin. Së treti; ndoshta ishte vënë pa e kuptuar, në rolin e një “gaztori”.

Këtë të fundit, qesharake dhe krejt pa vend, e përfshiu në “autokritikë”, thjesht për të pranuar diçka konkrete, për të treguar se po “reflektonte”, po “thellohej”. Në të vërtetë, ish-ministrit, i pëlqenin këngët popullore të Shqipërisë së Mesme, kam qenë i pranishëm në të gjitha rastet, kur ai ka ardhur te ne, dhe merrte me zë të ulët ndonjë këngë, dhe im atë e shoqëronte me violinë. Ose këndonte vetë, këngë të Isuf Myzyrit. Mbi këto mbrëmje familjare, ku përdorej shumë pak alkool, sepse Balluku nuk pinte, u ngrit e qarkulloi shpifja e ulët, sipas së cilës, im atë organizonte ahengje për Beqir Ballukun.

“Ahengjet” kanë qenë pikërisht këto, dhe ai u detyrua të “thellohej”, të “reflektonte”, të mbërrinte te termi “gaztor”, të cilin më pas ia shfrytëzuan poshtërsisht. Së fundi, vuri në dukje besnikërinë e tij, ndaj vijës së partisë, etj., etj. Por hodhi poshtë, atë që i kërkohej me ngulm: në asnjë rast nuk kishte zhvilluar biseda politike me Beqir Ballukun, çka u quajt mungesë sinqeriteti, dhe e pagoi shtrenjtë, e përjashtuan nga partia. “Historia”, nuk mbaron këtu, u mbyll me një pabesi tjetër të paimagjinueshme. Një mbrëmje, duke biseduar në telefon nga Elbasani, Lili, bashkëshortja ime, më tha se do të më jepte një lajm befasues, për mirë. Kërkesa e tim eti, për rishikimin e masës me përjashtim, qenkej quajtur e drejtë, nga Komisioni i Revizionimit dhe qenkej vendosur zbutja e dënimit, vetëm me një vërejtje në biografi.

Më e forta: sekretari i organizatës së Institutit, e paskej parë vendimin me sytë e tij. Rrallë, mund të jem ndier aq i lumtur. Mbledhja e rikthimit, do të bëhej nga mesi i dhjetorit (1974). Në datën e caktuar, u gjenda në shtëpi dhe atje sundonte euforia, ishin bërë përgatitje për ta festuar, si një ngjarje të madhe: ankthi dhe frikërat tona, do të merrnin fund. Mezi po prisnim kthimin e tim eti, nga Komiteti i Partisë i rrethit, derisa tringëlliu zilja e derës së jashtme. I prishur në fytyrë, ai qëndroi për pak çaste, pa u future brenda, duke më mbërthyer me vështrim, si të donte të më kërkonte të falur.

Ishte veshur me rrobat më të mira: kostum ngjyrë blu, i errët, pallto “gub” e hirtë, e errët, kapele republike, po e hirtë, e errët, këmishë të bardhë dhe kravatë të kuqe. “Më rrëzuan prapë”, tha mbyturazi. Dhe vajti drejt e në dhomën e tij. Në shtëpi ra zia. Kur para ca kohësh e kishin përjashtuar nga partia, ne ishin tronditur, megjithatë e prisnim. Kësaj here përjetuam tmerrin e një katastrofe, sikur qe shembur pallati dhe u zumë nën rrënoja. Pasi u ndërrua, ai erdhi në kuzhinë, ku po rrinim të shushatur. Takoi dhe falënderoi të afërmit, e mbledhur për të festuar. “Më vjen keq, – u tha. – Tani shihni punët tuaja, puna ime u pa”. Dhe ata u larguan në heshtje, njëri pas tjetrit.

Asnjëherë nuk e mësuam, ç’kishte ndodhur dhe përse gjithçka qe përmbysur. Nëna i bëri një kafe dhe ai mundi të më tregonte ndonjë gjë. “E kuptova sapo u futa, – tha, – kur të tjerët rrinin kokulur, pa guxuar të më shihnin në sy, dhe vetëm ai M. M., me shpirtin më të zi se surratin, zuri me avazin e vjetër, m’u vërsul që në fillim me pyetjen, se; ç’biseda politike kisha bërë me Beqir Ballukun? Pse dreqin, mendova, kam një familje? – Nëse ju vërtetoni, se unë kam bërë biseda politike me Beqir Ballukun, bari e mbuloftë shtëpinë time, – i thashë. Ndërsa ai ma ktheu: ‘Ik, je i pasinqertë dhe pijanec. Partisë, nuk kanë ç’i duhen njerëzit e pasinqertë dhe pijanecë”!

Kjo, pra, qe fatura që i lanë në dorë në fund atij njeriu, nga goja e të cilit gjithë jetën, kisha dëgjuar vetëm propagandën për “vijën e partisë”. Pa pikën e edukatës, me harbutërinë kriminale, tipike të njerëzve më të neveritshëm ordinerë. Derisa vdiq, për paradoks, im atë këmbënguli të mos pranonte se e keqja, nuk i kishte ardhur nga ai që e cilësoi; “me shpirtin më të zi se surratin”, por nga ngrënësi i kokave, “shefi suprem”, para të cilit, siç shprehej ndonjëherë ai vetë, “dhisnin gjak” të gjithë, përfshi edhe atë, “me shpirtin më të zi se surratin”.

Derisa vdiq, ai nuk deshi të pranonte edhe diçka tjetër: në rini të tij, ende student në Itali, duke përqafuar idetë komuniste, qoftë këto edhe të Antonio Gramshit, thjesht sepse këmishëzinjtë e Duçes dhe ky vetë, i ngjallnin alergji, kishte bërë gabimin më të rëndë të jetës. Përveç këtyre alternativave, në atdheun e Xhuzepe Verdit, për të përmendur vetëm njërin nga të mëdhenjtë e familjes së tim eti, kishte edhe alternativa të tjera, ato që e shpëtuan pas luftës Italinë, nga një murtajë po aq e rrezikshme sa fashizmi. Rreth këtyre subjekteve, ndodhte të bënim debate dhe ai mërzitej. Ndodhte të humbte logjikën.

Për shembull, më kujtohet një përplasje një natë, për të cilën tani, si për shumë të tjera, jam penduar. Atë natë, s’di si erdhi biseda, unë i thashë: “Sikur gjatë luftës, fshatarët, të cilëve u premtuat ‘lugën e florinjtë’, ta dinin se në ç’gjendje do t’i katandisnit, jo vetëm s’do t’ju kishin strehuar e mbajtur me bukë, jo vetëm s’do t’ju kishin dhënë djemtë e tyre, për të luftuar, por do t’ju kishin vënë pushkën”. Im atë u zbeh. Mezi po mbushej me frymë dhe goditi tryezën me grusht. “Fatos, – më tha, – ti je ballist, bënë mirë, që nuk të pranuan në parti”.

Dhe për ca kohë s’më foli me gojë. Frika më e madhe, dhe jo vetëm imja, ato kohë ka qenë një arrestim i mundshëm i tim eti. Tani kjo mund të tingëllojë qesharake, im atë ishte artist, jo gjeneral, por atëherë nuk tingëllonte kështu, dhe vetëm ata që e kanë hequr në lëkurën e tyre, mund ta kuptojnë ç’ishte ai panik. Më kujtohet se në shtëpi, na ndodheshin një tufë revistash të ilustruara franceze, modë, reklama, kinema, etj., të dhuruara nga fqinji ynë në katin sipër, diplomat francez.

Një herë, kur punoja në gazetën “Drita”, ca fëmijë i kishin thyer atij stopat e makinës, të cilën e parkonte në rrugën para pallatit, dhe diplomati erdhi të ankohej te ne. Në shtëpi u ndodhëm edhe unë, edhe im atë, e ky i tha të huajit, se i vinte keq, s’mund të bënte asgjë, fëmijët ishin fëmijë. Francezit i pëlqeu biseda dhe i dha të drejtën vetes, të na vinte për vizitë bashkë me të shoqen, pa u ftuar, sigurisht, kujt ia mbante, e ne i pritëm, e kjo u përsërit dy herë, e të dy herët, im atë nuk mungoi të vinte në dijeni “organet përkatëse”.

Që nga ajo kohë, na ndodheshin një numër revistash franceze, të dhuruara nga fqinji. Paniku që na përfshiu ato ditë, qe aq i fortë sa, nga frika e një bastisjeje, u kujtuam për revistat, prania e tyre në shtëpi, mund të na ngatërronte më keq. T’i digjnim, pra, dhe ashtu vepruam. Nënës iu deshën disa orë, për t’i djegur në sobë një nga një, ato revista voluminoze dhe pësoi një helmim të rëndë me të vjella, nga gazrat që çlironte djegia e tyre, dhe u bë keq, aq sa u detyruam të thërrisnim urgjencën. Frika jonë për një arrestim të mundshëm të tim eti, sado absurde, nuk vinte fort në kundërshtim me realitetin, pikërisht sepse ky ishte një realitet absurd.

Si u ktheva në Elbasan, një mbrëmje vonë erdhi më kërkoi në fjetore, një kushëriri im, djalë xhaxhai, Frederik e quanin, moshatar me mua. I ndjeri Frederik, – ka vdekur para ca vitesh, – m’u duk i prerë. “Këtu është hapur fjala, se dajën e kanë futur në burg, – më tha, – si është puna”? (Në Elbasan, dajë u thonë të dyve, edhe vëllait të nënës, edhe të babait). U vesha dhe dola. Sipas fjalëve, tim atë e paskëshin arrestuar atë pasdite. Po të jetë e vërtetë, se në momente tronditjesh të forta, ndodh që njeriu të thinjet, gjatë rrugës nga fjetorja, deri te posta e qytetit, unë duhej të isha thinjur, për aq flokë sa më kishin mbetur ende pa rënë.

Nuk u thinja, pra nuk besoj në vërtetësinë e kësaj legjende. Në anën tjetër të fillit, më doli nëna. E pyeta; “Si jeni”? e ajo m`u përgjigj: “Ç`të jemi”?! e unë, i alarmuar, kërkova të dija nëse ndodhej në shtëpi im atë, e ajo m`u përgjigj “Po, këtu është, në dhomën e tij”, e kur më tha se po shkonte ta thërriste, iu luta; “Aman, lëre të qetë”! Frederiku më propozoi të shkonim nga Turizmi i vjetër, të pinim ndonjë gotë. Nuk ia prisha, përkundrazi. Megjithëse, gjatë rrugës nga fjetorja, deri te posta e qytetit, nuk isha thinjur, atë natë s’do të mund ta kaloja, pa nxjerrë jashtë vetes një ndjesi, e cila nuk do të më shqitej më, gjatë gjithë pjesës së mbetur të jetës: frika nga e nesërmja.

Pavarësisht se hë për hë, me mua po silleshin mirë, më kishin qetësuar me shprehjen; “çdo berr, varet nga këmbët e veta”, atë natë më zuri për fyti, një ankth mbytës. Për t’i shpëtuar, më duhej të pija. E kam thënë, alkooli më ka tërhequr gjithmonë. Por deri atëherë, pija për qejf. Më kishte ndodhur edhe të dehesha, për sport, për t’u dukur i “fortë”, dhe e pësoja. Rastet e pijes deri në dehje, kishin qenë jo të shtyra nga një nevojë e brendshme. Unë nuk e dija, se ç’do të thotë të ndiesh nevojë, për t’u dehur. Atë natë, ndjeva nevojën për t’u dehur. Piva aq shumë, sa Frederiku këmbënguli të mos shkoja në fjetore, më propozoi të flija tek ai, dhe unë iu binda.

Dehjen, si mjet për të shpëtuar nga gjendjet e ankthshme, kam filluar ta ndiej të nevojshme për herë të parë, në ato rrethana. Provova gjithashtu për herë të parë, një vithisje, befas e pashë veten të ndryshuar, të shndërruar cilësisht në tjetër “materie”. Është si një makth i ëndërrt, që vazhdon edhe pasi të del gjumi. Vështruar në retrospektivë, gjithçka vjen me pamjen asnjanëse të një përvoje, edhe shkatërrimtare edhe ndërtuese, plot rreziqe, por pa dyshim përvojë, e pakrahasueshme, në rrugën e njohjes.

Sa çel sytë e, deri në mbrëmje, kudo që ndodhesh, në çdo hap që hedh, një zë, herë përçmues, herë me ngazëllim cinik, të kumton: “Ja pra, si vërtitet bota! Njerëzit tani ju largohen, kështu e kërkojnë rregullat e lojës. Këto rregulla ti i njeh, i ke zbatuar ndaj të tjerëve, mos u anko tani, që po i provon në kurrizin tënd. Tash e tutje, edhe ti futesh në kategorinë jo higjienike të kësaj shoqërie. Thënë më troç, tani të erdhi radha ty të bëhesh objekt i luftës së klasave”. Memorie.al