Një aksident ka ndodhur ditën e martë në autostradën “Kavajë-Rrogozhinë”, ku motomjeti me drejtues shtetasin 27 vjeç, ka goditur nga mbrapa automjetin me drejtues shtetasin kosovar 38 vjeç. Mësohet se 27-vjeçari është dërguar menjëherë në Spitalin e Traumës, ku ka ndërruar jetë. Ndërkohë, nga kryerja e testit të alkoolit, 38-vjeçari rezultoi 0.00 mg/l.
Njoftimi i Policisë:
Në lidhje me aksidentin rrugor të ndodhur rreth orës 10:15, të datës 26.06.2024, në autostradën “Kavajë-Rrogozhinë”, ku motomjeti me drejtues shtetasin 27 vjeç, banues në Tiranë, ka goditur nga mbrapa automjetin me drejtues shtetasin kosovar 38 vjeç, dhe si pasojë mbeti i dëmtuar 27-vjeçari, i cili u transportua në Spitalin e Traumës, ju informojmë se: Në lidhje me këtë rast janë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit.
Në përfundim të këtyre veprimeve, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. Nga kryerja e testit të alkoolit, 38-vjeçari rezultoi 0.00 mg/l. Dyshohet se për shkak të dëmtimeve nga ky aksident, ditën e djeshme, shtetasi ka humbur jetën në Spitalin e Traumës, Tiranë.